6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Si falet namazi i Bajramit

Më të lexuarat

1 – Nuk ka as ezan e as ikamet e as që thuhet fjala: essalatu xhamiatun – namaz i përgjithshëm.

Xhabir Ibën Semurete (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tregon dhe thotë: “I kam falur bashkë me të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dy bajrame më shumë se një herë pa ezan dhe pa ikamet.”(Transmeton Muslimi)

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) kur arrinte në musala e fillonte namazin pa ezan dhe pa ikamet si dhe pa fjalën: namazi i përgjithshëm. Kjo është prej sunetit të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) të mos bëj asgjë nga këta që i cekëm.

2 – Nuk ka namaz para namazit të bajramit e as pas tij

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) rrëfen dhe thotë: “Doli i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ditën e Bajramit dhe i fali dy rekate duke mos falur para tyre dhe pas tyre asgjë.”(Transmetojnë xhemati)

3 – Tekbiret në namaz

Nga Amër Ibën Shuajbi e ky nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në namazin e Bajramit ka marrë dymbëdhjetë tekbire, shtatë në rekatin e parë dhe pesë në rekatin e dytë.(Transmetojnë Ahmedi, Ibënu Maxhe)

4 – Çfarë lexohet në namazin e bajramit

Transmeton Ubejdullah Ibën Abdullah se Omer Ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) e ka pyetur Ebu Uakid Elejthiun: Çfarë lexonte i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në namazin e Fitër Bajramit dhe atë të kurban Bajramit? – i tha:

– Lexonte gjatë tyre: “Kaf uel Kuranil Mexhid” dhe “Ikterebeti saatu uen shekkal kamer”. (D.m.th. suret Kaf dhe Kamer) (Transmeton Muslimi)

Gjithashtu Numan Ibën Beshir transmeton se i Dërguari i Allahut gjatë dy bajrameve dhe në Xhuma lexonte “Sebbihisme rabbikel Ala” dhe “Hel etake hadithul gashije”,(D.m.th. suret A’la dhe Gashije) ndonjëherë ndodhte që të dy festat (bajrami dhe xhumaja) të bien me një ditë dhe ai i lexonte të njëjtat sure. (Transmeton Nesaiu Ibën Maxheh, Abdurrezaku dhe hadihti është sahih-autentik)

5 – Hutbeja pas namazit

Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), Ebu Bekri dhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) e falnin namazin e Bajramit para hutbes.”(Transmeton Buhariu)

6 – Përshëndetja gjatë bajrameve

Xhabir Ibën Nufejriu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Shokët e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) kur takoheshim ditën e Bajramit i thoshin njëri tjetrit: Tekabel Allahu mina ue minke – Allahu na i pranoftë neve dhe juve. (Ibën Haxheri ka thënë se zinxhiri i hadithit është hasen – i mirë).

7 – Dëfrimi dhe argëtimi është i lejuar në festa

Transmeton Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) dhe thotë: “Etiopasit luanin në prezencë të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)ditën e Bajramit dhe ndërsa unë u ngjita mbi supet e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) t’i shikoj ata, derisa u ngopa duke i shikuar pastaj u larguam.”(Transmetojnë Shejbani, Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi)

8 – Shpeshtimi i tekbireve gjatë bajrameve

Allahu i madhëruar thotë: “Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u urdhëroi që të jeni falemnderues.” (Bekare:185)

Transmetohet nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ai merte tekbire në ditët e teshrikut me këto fjalë: Allahu ekber la ilahe il-Allah uAllahu ekber Allahu ekber ue lilahil-hamd. (Transmeton Ibën ebi Shejbeh 2/167 në zinxhir sahih-autentik)

Esuedi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Abdullahu (Ibën Mesudi) merrte tekbire prej namazit të sabahut në ditën e bajramit deri në namazin e ikindisë në ditën e e therjes së kurbaneve dhe thoshte: Allahu ekber Allahu ekber la ilahe il-Allah vAllahu ekber Allahu ekber ue lilahil-hamd.(Transmeton Ibën Ebi Shejbeh me zinxhir sahih-autentik)

Kurse nga Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka transmetim për të se: Ai merrte tekbire prej në mëngjesin e ditës së arafatit deri në namazin e drekës së ditës së fundit të teshrikut.(Transmeton Ibën Ebi Shejbeh me zinxhir hasen- i mirë)

Ibrahim Nehaiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: Ata (selefi) merrnin tekbire prej ditës së Arafatit, dikush prej tyre merrte tekbire i kthyer kah kibla pas çdo namazi duke thënë: Allahu Ekber Allahu ekber la ilahe il-Allah uAllahu ekber Allahu ekber ue lilahil-hamd. (Transmeton Ibën ebi Shejbeh me zinxhir sahih-autentik)

9 – Kujt i ik namazi i bajramit…

Ai i cili nuk arin ta falë namazin e bajramit me xhemat i falë katër rekate nga se kështu transmetohet nga Abdullah Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ky është madje edhe mendimi i Shabiut, Theurit, Ahmedit dhe Is’hakut

10 – Përkujtimi

Ki kujdes vëlla i dashur musliman pas gjithë kësaj mos e lejo të harrosh agjërimin e gjashtë ditëve të muajit sheval, pra gjashtë ditët pas muajit të ramazanit, sepse i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush e agjëron ramazanin pastaj pas kësaj i agjëron gjashtë ditët e shevalit i llogaritet sikur të kishte agjëruar tërë jetën.” (Transmeton Ahmedi, Muslimi, Tirmidhiu)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit