Një person i panjohur hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi Qeveria e Malit të Zi.
Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter.
“Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.
Ambasada amerikane në Podgoricë po ashtu e konfirmoi sulmin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Policia tha se nuk i di motivet e sulmuesit vetëvrasës.
“Ka ndodhur një incident”, tha një zyrtar i policisë për agjencinë Reuters, por nuk dha më shumë detaje.
Nënsekretari amerikan për diplomacinë publike dhe çështjet publike, Steve Goldstein, tha se askush në ambasadë nuk u plagos, raporton New York Times.
Fotografi i Reutersit në Podgoricë tha se policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada.
Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.
“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.
Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.
Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro-rusë atje dhe gjetkë në Ballkan. /Rel/