3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Sulltani i dijetarëve – Jetëshkrimi i El-Izz Ibn Abduselamit

Më të lexuarat

Nga Sherif Abdulaziz Ezuhejri

Mirëqënia e njerëzve në këtë botë shkon paralel me drejtësinë dhe ndershmërinë e pushtetarëve, ndërsa drejtësia e këtyre të fundit lidhet ngushtë me integritetin e dijetarëve. Ndaj marrëdhënia mes këtyre dy kategorive është e veçantë dhe e ndërvarur. Nëse raporti është konfliktual apo antagonist, pasojë janë belatë dhe sprovat, korruptimi dhe kaosi. Kur dijetarët janë proklamues të së vërtetës dhe qëndrestarë, ajo është mirësi në dynja dhe ahiret; ngritje e ymetit dhe forcë përball armiqve. Ndërsa kur harrojnë rolin e tyre primar në drejtimin e pushtetarëve, këshillimin dhe udhëzimin e tyre, përhumbet ymeti e shpërbëhet si pluhri, duke mos dalluar më të lejuarën nga e ndaluara, as mikun nga armiku.

Prezantm
Sulltani i dijetarëve, shitësi i mbretërve dhe princërve, dijetari i rrallë, hoxha i madh, muxhtehidi absolut, shehul islami, një nga imamët më të shquar, autor i librave të dobishëm, lider në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, i madhi i shafi’ive, myftiu i dalluar: imam Izzedin Abdel-Aziz bin Abdes-Salam bin Ebil-Kasim bin Hassan bin Muhamed bin Muhdhab As-Selam; i njohur si El-Izz ibn Abduselam.
U lind në vitin 577 hixhri në qytetin e Damaskut, në atë kohë zemra vibrante e islamit dhe kryeqyteti i xhihadit kundër kryqtarëve, nën sundimin e Salahudin Ejubit. Damasku i atyre ditëve vlonte nga dijetarët, hoxhallarët dhe luftëtarët. Në atë atmosferë imani, dije dhe xhihadi u rrit El-Izz ibn Abduselami. Nisi të marrë dituri vonë në moshë, ndryshe nga ç’ishte zakon i dijetarëve të mëdhenj. Në Damask mësoi nga dijetarët e kohës, si Fakhrudin ibn Asakir, Seifudin El-Amidi, Ibn El-Hafiz etj. Tregoi zell e përkushtim, u thellua në shkenca – veçanërisht në fikhun shafi’i – aq sa arriti të jetë i pari i shafi’ive në Damask. Dallohej për mendjemprehtësi, saktësi në hulumtime dhe preçizion në fetvatë e tij.
Imam El-Izz ibn Abduselami nuk e ndante diturinë nga të vepruarit. Ishte i njohur për asketizëm, devotshmëri, skrupolozitet, luftimin e herezive dhe shkeljeve të sheriatit. I ruhej të dyshimtave dhe ishte shenjë nga shenjat e Allahut kur vinte në fjalë shpërfaqja e së vërtetës, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Nuk i frikësohej askujt përveç Zotit të Madhëruar. Ka mbajtur shumë qëndrime që i sollën telashe e mundime të mëdh; dhe nga ana tjetër e bën të jetë i pari i dijetarëve dhe më i nderuari në kohën e tij.

Lëvdatat e dijetarëve për të
Megjithëse epoka në të cilën jetoi El-Izz ibn Abduselami ishte plot me dijetarë të shquar, ai ishte emblema dhe kreu i tyre; e më i avancuari në çdo shkencë. Si bashkohësit edhe të mëvonshmit ia njohin primatin, virtytin dhe diturinë. Këtu po sjellim disa nga dëshmitë e tyre.
Taxhudin Es-Subki ka thënë për të: shehu i islamit dhe i muslimanëve, një nga imamët më të shquar, sulltani i dijetarëve, imami i kohës së vet pa diskutim, mbartësi i urdhërit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja në kohën e tij, njohës i të vërtetave dhe thellësive të sheriatit, i dijshëm për synimet madhore të tij (Mekasid). Nuk ka hasur askënd të ngjashëm me veten e tij, as nuk ka takuar dikë që ta konsiderojë të barabartë për nga dituria, devotshmëria, qëndrimi në mbrojtje të së vërtetës, guximi, forca e zemrës dhe autoriteti i fjalës.
Nxënësi i tij Ebu Shamah ka thënë për të: ai ishte më meritori për predikim dhe imamllëk. Shpalli të pavlefshme shumë prej bidateve që bënin hatipët, siç ishte goditja e minberit me shpatë, namazi i Regaibit dhe gjysmës së Shabanit.
Izzedin El-Husseini ka thënë: ishte flamuri i dijes në kohën e tij. Përfshiu lëmi të shumta të shkencës, siç i pati në natyrën e vet te dyja: largimin nga ngarkesa e tepërt dhe soliditetin në fe.
Dhehebiu ka thënë: arriti gradën e ixhtihadit dhe u bë referenca e medh’hebit; shto asketizmin, devotshmërinë, urdhërimin për të mirë e ndalimin nga e keqja dhe vendosmërinë në fe.
Ibn Kethiri ka thënë: El-Izz ibn Abduselami ishte imami i medh’hebit dhe burim mirësie për njerëzit. Ai është autor i librave me vlerë. Shkëlqeu në medh’heb saqe u bë referenca e shafi’ive. Arriti dituri të shumta me të cilat u bëri dobi nxënësve të tij dhe shkollave që i studjuan më pas. I vinin ti kërkojnë fetva nga të gjitha anët e botës.
Xhelaludin Sujuti ka thënë për të: sheh Izzedin Ebu Muhamed, shehu i islamit, sulltani i dijetarëve, mori dituritë bazë, dëgjoi hadithin dhe shkëlqeu në fikh, usul dhe arabisht. Jetoi mbi njëzet vjetë në Egjipt, ku përhapi diturinë, urdhëroi për të mirë dhe ndaloi nga të këqijat. Mbante qendrim të ashpër ndaj mbretërve dhe kujtdo tjetër. Ka pasur vepra dhe keramete të shumta. Nga fundi i jetës nuk iu përmbajt më medh’hebit por jepte fetva sipas ixhtihadit të vet.
Ibn Shakir el-Kutbi ka thënë për të: shehu i islamit, nga të famshmit e rrallë. Sheh Izzedini mësoi, u thellua në dituri e dha gjykime fetare. Shkëlqeu në medh’heb dhe arriti gradën e ixhtihadit. I vinin studentët nga të gjitha anët dhe kur dilnin nga ai ishin dijetarë. Fetvatë e tij ishin të qëlluara, ishte asket i devotshëm, urdhëronte për të mirë, ndalonte nga e keqja dhe nuk i frikësohej askujt veç Allahut.
Dijatari i madh El-Jafiu ka thënë për të: sulltani i dijetarëve, zotëria i fisnikëve, i pari i të gjithë bashkohësve, deti i shkencave dhe diturive, më i nderuari ndër vise. I saktë dhe përpiktë në hulumtimet e tij. Është prej atyre për të cilët vlen të thuhet: dituria që kishin ishte më e gjerë se shkrimet që lanë. Artikulimin dhe oratorinë e kishte të lartë, jo më pak se të kuptuarit dhe diturinë e gjerë. Aftësitë i tij në dituritë e sheriatit përkojnë me të hershmit nga brezat e parë.
Alama El-Esnewi ka thënë: sheh Izzedini, Allahu e mëshiroftë, ishte shehul islam në dituri, vepra dhe devotshmëri, në shkrime dhe mësimdhënie, në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Para tij janë ndjerë të vegjël mbretërit e kushdo tjetër. Edhe pse këshillonte ashpër, leksionet dhe tubimet e tij ishin të stolisura me poezi dhe anekdota.
Ed-Dawudi ka thënë: të gjithë e merrnin si shëmbull për devotshmëri dhe dituri.

Veprat e tij:

El-Izz ibn Abduselami nuk ka pasur shumë vepra, e parë kjo në proporcion me dijen e tij të madhe dhe pozitën që gëzon në mesin e dijetarëve të ymetit. Megjithatë ka lënë shkrime me vlerë nga të cilat njerëzit ende përfitojnë. Disa nga librat e imamit – Allahu e mëshiroftë – janë si më poshtë:

1- El-Kawaid el-Kubra, i njohur si Kawaid al-Ahkam: një nga librat e tij më të njohur, i dobishëm dhe më i përhapuri në mesin e njerëzve deri në ditët tona.
2- Shaxharat al mearif.
3- Addalail al mutaealiqat.
4- Tafsir mukhtasar lil Quran.
5- Mukhtasar sahih muslim.
6- Alghayat fi-khtisar an-nihayat.
7- Bidayat alsuwl fi tafdil al rasul.
8- Alfatawa al mawsilia wal misria.
9- Bejan ‘ahwal an-naas jaum al kijama.
10- Fawaid al balwaa walmihan – “Dobitë e belave dhe fatkeqësive”. Në të sjellë ajete dhe hadithe për durimin: melhem dhe ngushëllim për kë e kapin telashet dhe mundimet. Libër që shkroi pas një vargu sprovash në Sham, shkaku pse u detyrua të largohej për në Egjipt.

Sprovat e tij:
Mundimet dhe sprovat imam El-Izz ibn Abduselamit i kanë ardhur – në thelb – ngase ai e kish kuptuar drejt misionin e dijetarëve dhe rolin e tyre në ruajtjen e shoqërive muslimane, veçanërisht në kohë krizash dhe fatkeqësish. Sprovat dhe mundimet e kanë shoqëruar thuajse kudo ka shkelur, pasi ai kultivonte ndjenjën e thellë se dijetarët janë drejtuesit e vërtetë të ymetit; se është e domosdoshme të merret mendimi i tyre dhe të veprohet sipas këshillave të tyre, për të garantuar legjitimitetin e veprave dhe sigurinë nga shkeljet dhe herezitë. El-Izzi dëshironte ti sheh dijetarët të prijnë rrugën, e besimtarët ti ndjekin e të punojnë sipas udhëzimit të tyre. Ndaj njerëzit e ditur dhe bashkohësit e thirrën me ofiqin Sulltan i Dijetarëve.

Sprova e tij në Levant
El-Izz ibn Abduselami lindi në Damask në kohën e sundimit të Salahudin Ejubit. U rrit në ditët e lavdisë, dinjitetit dhe fitores: rimarrjes së Bejtul-Makdisit. Siç dëshmoi edhe largimin e kryqtarëve nga Shami; kryqëzatën e pestë dhe të gjashtë kundër botës islame; heroizmin e madh treguar nga muslimanët në zmbrapsjen e atyre fushatave barbare. Më pas imami dëshmoi edhe regresin që pllakosi botën islame në nivel udhëheqje, pasqyruar në luftën e ashpër midis princave të familjes ejubite për kontrollin e Egjiptit dhe Shamit. Konflikt ky që degradoi – në rastin e emirit të Damaskut, Salih Ismailit – në nivelet më të ulta, me aleancën që lidhi me kryqtarët kundër nipit të tij, mbretit të Egjipitit – Nexhmudin Ejubit – për ti hequr duarsh sundimin e tij.
Në vitin 639 hixhri, Salih Ismaili – në këmbim të mbështetjes ushtarake – u dha kryqtarëve qytetin bregdetar të Sajdas dhe kështjellën Esh-shekif, siç u lejoi të hynin në Damask e – për herë të parë që nga shpërthimi i kryqëzatave – të blinin në të armë dhe furnizime. El-Izz ibn Abduselami në atë kohë ishte hatip i xhamisë emevite, myfti i shafi’ive dhe kreu i dijetarëve të Damaskut. Kështu ditën e xhuma hipi në minber dhe mbajti një hytbe të rrallë, të kalibrit të rëndë. Aty proklamoi fetvanë e tij ku ndalonte me të madhe shitblerjen me kryqtarët, siç dënoi hapur veprimet e Salih Ismailit. Në fund të hytbes, nuk e bëri dovanë për emirin, siç ishte zakon, por në vend të saj lexoi lutjen e tij të famshme, e cila do të mbetej në kohëra:
اللهم أبرم لهذه الأمَّة أمر رشد يُعز فيه أهل طاعتك، ويُذل فيه أهل معصيتك، ويُؤمر فيه بالمعروف، ويُنهى فيه عن المنكر
“O Allah, bëj emër që ky ymet të prihet nga e drejta, të lavdërohen në të ata që të binden Ty dhe të poshtërohen ata që të kundërshtojnë Ty, të urdhërohet në të për të mirë dhe do të ndalohet nga e keqja”.
Mosbërja e lutjes në hytbe për Salih Ismailin – e marrë veçmas – vlente si deklarim për largim nga posti dhe të qenit i papranueshëm për detyrën. Emiri u zemërua tejmase dhe e shkarkoi imam El-Izzin nga pozicioni i hatipit dhe myftiut, po ashtu urdhëroi edhe arrestimin e tij. Si pasojë u përhap pakënaqësi e madhe në mesin e popullit të Damaskut, i cili e urrente Salih Ismailin dhe krimet e tij. Emiri kishte një ministër të keq – Gazal El-Muslimanin – që ia zbukuronte lajthitjet dhe bënte ti dukeshin të drejta prapsitë e veta. Me këtë rast Gazali e këshilloi ta josh me pasuri imamin; t’i kthejë atij të gjitha pozitat e mëparshme, veç privilegjeve të tjera shtesë, me kusht që ti puthte dorën emirit në publik.
Kur erdhi lajmëtari me mesazhin e Salih Ismailit, përgjigja e befasishme e shehut ishte burim krenarie për çdo dijetar të vërtetë, e tillë vazhdoi të jetë brez pas brezi në shekuj. Ai i tha mesazherit: o i mjerë, unë nuk pranoj që ai të puthë dorën time, e jo më unë të puth dorën e tij. O njerëz, ju jeni në një kodër e unë në një tjetër. Falënderimi i takon Allahut që më ka ruajtur nga ajo që ju ka goditur. Pastaj emiri urdhëroi që të arrestohej sërish e ti shtohej dënimi.
Salih Ismail u përgatit ta linte Damaskun për tu nisur bashkë me kryqtarët të sulmonte Egjiptin, për t’ia marrë atë djalit të vëllait, Nexhmudin Ejubit. Por kishte frikë nga prania e imam El-Izzit në Damask: se mos njerëzit e lironin nga burgu dhe rrebeloheshin kundër tij. Kështu që vendosi ta marrë me vete në fushatën e tij me kryqtarët. Rrugës, shehut i ndodhën disa keramete dhe kryqtarët e lavdëruan shumë, sa që i pari i tyre i tha Salih Ismailit: nëse ky imam do kish qënë prifti ynë, do t’i kishim larë këmbët dhe do e pinim ujin.
Pasi Salih Ismailit i shkuan huq të gjitha përpjekjet, dhe presionet mbi imam El-Izz ibn Abduselamin dështuan, vendosi përfundimisht ta dëbojë nga Shami. Kështu imami e la Damaskun për tu nisur për në Egjipt – bashkë me Ebu Amr El Hixhabin, imami i Malikive, i cili ishte njëjtë me të për nga dituria dhe shpërfaqja e të vërtetës – për të filluar një kapitull të ri lavdie, por edhe sprovash.

Sprova e tij në Egjipt

Imam El-Izz Ibn Abduselami e la Damaskun për të vazhduar në drejtim të Egjiptit. Kur po kalonte afër qytetit El-Karak, emiri Naser Davud doli ta takojë dhe e ftoi të qëndronte në të. El-Izzi i tha: vendi yt është i vogël për diturinë time. Kjo tregon edhe një herë krenarinë e tij me diturinë dhe konceptimin që kishte për statusin dhe rolin e dijetarëve. Gjë që nuk nguronte ta theksojë sa herë që vinte rasti.
Në Kajro e priti më së miri sulltan Nexhmudin Ejubi, i cili i vlerësonte shumë qëndrimet e imamit në Sham. Kështu sulltani e emëroi hatip të xhamisë Amr ibn Al-Aas dhe kadi të Egjiptit të Sipërm. Imam El-Izzi u gëzua shumë dhe ja nisi menjëherë mësimdhënies dhe fetvasë. Ishte i pari që dha tefsir në xhami në formën e mësimit të përditshëm. Rreth tij nisën të mblidhen njerëz të shumtë, studentë dhe dijetarë. Sheh Izzedini vazhdonte me të vetën si përherë, nuk ngurronte ta thotë të vërtetën, të urdhërojë për të mirë e të ndalojë nga e keqja; madje ti kërkojë llogari vet sulltanit e kujtdo pas tij, saqë nisën ti kenë drojë të gjithë.
Pak nga pak, prezenca e imam El-Izzit u bë e rëndë për princat, fisnikët dhe qeveritarët, të cilët nuk e pëlqenin praninë e një alimi të tillë, që ringjalli dispozitën e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Forca dhe guximi i imamit për hakun arrinte deri atje saqë i hoqi të drejtën ligjore të integritetit (Adaleh) zëvendësit të sulltanit – princit Fakhrudin ibn Sheikh al-Shujukh – me pasojë humbjen e të drejtës së dëshmisë (Shehadeh). Kjo për shkak se princi Fakhrudin kish ndërtuar një punishte daullesh – krah një xhamije në Kajro – që shërbenin për të shënuar kohët e namazit dhe lajmëruar daljen e sulltanit nga qyteti. Princi Fakhrudin nuk e fitoi më të drejtën e dëshmisë derisa vdiq, aq sa një herë kalifi abasid në Bagdad – El-Mu’tasimi – refuzoi një letër që i erdhi nga sulltan Nexhmudin Ejubi, pikërisht sepse personi që e dorëzonte ishte princi Fakhrudin. Pas këtij incidenti imami dha dorëheqjen nga gjyqësori.
Ngjarja tjetër – më e njohura në historinë e shehut – që tregon edhe piedestalin e nderit dhe pozitës së tij, kulmon me nxjerrjen në treg dhe shitjen e princave memalik. Kjo pasi imamit i rezultoi se shumica e princave – në origjnë skllevër – de juro nuk e kishin fituar ende lirinë dhe si të tillë, me statusin e skllavit, të gjitha aktet e tyre ishin ligjërisht të pavlfshme. Kjo deklaratë e imamit shkaktoi irritim dhe zemërim të pa precedent tek princat, të cilët u ankuan me të madhe tek sulltani dhe ia dolën ta vën kundër imam Izzedinit. Sulltani e thirri imamin dhe e qortoi ashpër për sa kish deklaruar. El-Ezzi nuk priti gjë pas kësaj, por menjëherë ngarkoi plaçkat në një gomar, hipi të shoqen në gomarin tjetër dhe u nis për rrugë, duke e lënë pas Egjiptin. Me të marrë vesh për nisjen e imamit, dolën ti bashkohen burra e gra, dijetarët, të devotshmit dhe tregtarët. Sapo i mbërriti lajmi sulltanit, këshilltarët i dhanë këtë mendim: nëse lejon të ikë El-Izz ibn Aduselami, të iku edhe mbretëria pas tij. Kështu sulltani doli vetë dhe e mbërriti në rrugë: e qetësoi, e luti me rixha e temena imamin që të kthehet në Kajro.
Sheh Izzedini pranoi të kthehet me kusht që të plotësohej kërkesa e tij. Sulltani ra dakord për të. Pasi u informuan për sa më sipër, gjëja e parë që tentuan emiret e mëdhenj ishte tundimi i imamit me pasuri, por pa sukses. Kjo i shqetësoi pa masë dhe si zgjidhje finale, princi i parë vendosi të ndërmarrë aktin ekstrem: ta eleminojë fizikisht shehun. Ndaj një natë e rrethoi shtëpinë e tij me një çetë kalorësish dhe teksa ishin me shpatat e zhveshura, i sheh djali i imamit – Abdulatifi – dhe ashtu i tronditur e në panik e lajmëron të atin. Imam El-Izzi nuk u shqetësua aspak për sa po ndodhte e me atë rast tha fjalën e tij të njohur: “O bir, babai yt është më pak sa të meritojë shehidllëkun në rrugën e Allahut” . Pastaj siç ishte doli i qetë, sikur tashmë të kishte zbritur caktimi i Zotit kundër zullumqarëve. Sapo i hodhi shikimin emirit, atij iu tha dora dhe i ra shpata përdhe; filloi të dridhet dhe duke qarë i kërkoi imamit të lutet për të. Aty pranoi që ai vet dhe princat e tjerë të viheshin në shitje si skellvër. Dhe ashtu u bë: imami i nxori emirët në treg duke i thirrur një nga një dhe i shiti të gjithë me vlerën që iu takonte, me “çmim princi”. Të hollat e mbledhura i shpenzoi të gjitha për qëllime bamirësie.
Kur hipi në fron sulltan Seifudin Kutuzi tatarët tashmë ishin në portat e Shamit dhe Egjiptit. Sulltani ftoi ylemanë dhe juristët të konsultohet për mbledhjen e të hollave në popull për të financuar luftën kundër tatarëve. Asnjë nga të pranishmit nuk foli, nga hija e rëndë e sulltanit, përveç sheh Izzedinit i cili tha: kjo gjë nuk lejohet, derisa sulltani, princat dhe komandantët e ushtrisë të dhurojnë të hollat dhe pasuritë që kanë në pallatet e tyre; e të jenë të barabartë me njerëzit e tjerë në ushqim, veshmbathje dhe armë; pas kësaj po, mundet që sulltani të taksojë popullin për të financuar ushtrinë.
E thënë me një fjalë, jeta e imam El-Izz ibn Abduselamit ishte një kalvar i gjatë i dëshmisë së të vërtetës, integritetit fetar, përballjes me zullumin, urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja; një jetë plot telashe, mundime, dhe kërcënime të vazhdueshme. Megjithatë ai nuk u përkul, nuk bëri kompromis, as nuk u tërhoq asnjëherë, por rezistoi shpinëdrejtë deri në vdekje. Ndaj e meritoi titullin Sulltan i Dijetarëve.

Përktheu: Altin Braka

Burimet dhe referencat e autorit:
المصادر والمراجع:

  • طبقات الشافعية: (8/ 214).
  • البداية والنهاية: (13/ 264).
  • العبر للذهبي: (5/ 260).
  • شذرات الذهب: (5/ 302).
  • حسن المحاضرة: (1/ 343).
  • طبقات المفسرين: (1/ 312).
  • العز بن عبد السلام/ للدكتور الزحيلي.
  • تراجم أعلام السلف: (621).

• ترويض المحن – دراسة تحليلية لهم المحن التي مرَّ بها كبار علماء الأمة، دار الصفوة بالقاهرة، 1430 هـ، 2009م

Origjinali (arabisht) gjendet online në alukah . net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit