2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Sufizmi dhe shiizmi!

Më të lexuarat

Nga gjërat e përbashkëta që i lidh sufistët dhe shiitët është dhe “Ettekijeh”. Ky term nënkupton fshehjen e besimeve dhe besëtytnive të ndryshme duke shfaqur fjalë dhe veprime të tjera të cilat të bëjnë të besosh fillimisht se sufistët jo vetëm që janë njerëz të mirë, të mbarë dhe të devotshëm, por në shumë raste janë dhe viktima të akuzave dashakeqe. Kështu sufistët paraqiten si viktima të cilave u është bërë padrejtësi duke i akuzuar me lloj lloj akuzash të cilat nuk përkojnë me sufizmin e vërtetë. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe shiitët duke u përpjekur të futen brenda trupit të umetit islam apo duke u integruar në mesin e sunive pikërisht nëpërmjet “Ettekijeh”

Për këtë arsye shikojmë se sufistët paraqiten se e duan ehli bejtin, e duan Profetin alejhi-selam më shumë se të tjerët, i ftojnë njerëzit në përmendjen e Zotit dhe në disiplina të ndryshme me të cilat pretendohet pastërtia e zemrës, pastërtia e shpirtit, sakrifica për hir të Zotit derisa muslimani të ndjejë se ka arritur në një shkallë të lartë dhe në një stad devotshmërie ndryshe nga muslimanët e tjerë.

Muslimanët injorantë në bazat e fesë, të luhaturit në mendime dhe shumë nga ata që vuajnë nga çrregullime të ndryshme dhe që nuk gjejnë dot qetësinë shpirtërore për shkak të rrethanave ku jeton janë të parët që bien pre e sufizmit. Andaj shikojmë shpesh shumë njerëz të cilët futen në sufizëm pikërisht me dëshirën që kanë për të përmendur Allahun, për të qenë më afër devotshmërisë, për të arritur qetësinë shpirtërore etj., dhe shumë pak prej tyre e kuptojnë se gradualisht ata kanë përfunduar duke e përmendur Allahun më kërcime, duke rënë dajres apo lodrës, duke u lëkundur apo shkundur trupin, duke përplasur shuplakat, duke nënçmuar veten e tyre në atë masë sa mendja, trupi dhe zemra komandohen shumë lehtë nga zëri dhe fjalët e një recituesi që i komandon në risitë dhe format e ndryshme të përmendjes së Allahut. Jo vetëm kaq por shumë pak prej tyre kuptojnë se më shumë po përmendin Profetin alejhi-selam se Allahun, më shumë po përmendin emra krijesash që pretendohen si evlija dhe jo emrin e Allahut. Pas gjithë kësaj, kur shikohet se mendjet e tyre janë mpirë, zemrat e tyre janë tjetërsuar dhe trupi i tyre është dorëzuar, thënë ndryshe qenia e këtyre njerëzve është robëruar dhe skllavëruar është më e lehtë tashmë të kalohet në një stad tjetër.

Tashmë sufisti i vërtetë fillon të besojë se Profeti Muahmed alejhi-selam mund të ketë dhe atribute hyjnore duke ia paraqitur fatkeqësitë dhe problemet e jetës pikërisht atij dhe jo Allahut, duke besuar se ai ruan të dobëtin, ai është vendstrehim për mëkatarët, ai të ndihmon në rast fatkeqësie etj. Me kalimin e kohës këto atribute u jepen edhe shumë krijesave të tjera që pretendohen si evilja duke besuar në ta të njëjtat gjëra.

Një nga shenjat më të dukshme që vërteton mpirjen e mendjes dhe devijimin nga rruga e pastër e sunetit profetik është se sufistët fillojnë të mbrojnë më fanatizëm devijimet e tyre dhe t’i shikojnë normale ndryshimet e besimit që kanë pësuar. Nuk i jepet më rëndësi Teuhidit të Allahut, por duhet të mbrohen me fanatizëm besimet e rrezikshme që të çojnë deri në shirk si paraqitja e problemeve dhe sikleteve krijesave dhe kërkimi ndihmë atyre për to.

Përfundimi është se njerëzit kështu largohen nga Zoti në emër të Zotit, largohen nga suneti profetik me justifikimin e dashurisë së madhe për Profetin alejhi-selam dhe shkohet në devijim me pretekstin e arritjes së devotshmërisë. E gjitha kjo ndodh brenda petkut të sufizmit i cili historikisht i ka mpirë njerëzit në mendjen dhe zemrat e tyre, pastaj i ka robëruar dhe skllavëruar ata në emër të së mirës.

Hoxhë Mustafa Tërniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit