STOCKHOLM (AA) – Mahmud Halfi, imami i xhamisë së Stockholmit në Suedi e cila është përballur 25 herë me sulme raciste që nga viti 2017 e deri tani ka theksuar se në Suedi, xhamitë janë të ekspozuara ndaj sulmeve raciste dhe nuk mbrohen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetën “Aftonbladet”, Halfi është shprehur se muslimanët në Suedi jetojnë si qytetarë të klasit të dytë.
Ai ka rikujtuar se që nga viti i ri e deri tani dera e xhamisë është sulmuar 3 herë me kryqin nazist. “Me 20 janar në derën e xhamisë u vendos një kryq i madh nazist prej hekuri. Gjithashtu edhe me 23 mars dhe 2 prill në derën e xhamisë u pikturua kryqi nazist. Policia ka nisur hetimet, por nuk ka gjetur as gjurmët e sulmuesve. Në Suedi, xhamitë janë të ekspozuara ndaj sulmeve raciste dhe nuk mbrohen”, tha Halfi.
“Fatkeqësisht kundër sulmeve raciste nuk kemi vërejtur mbështetjen e asnjë politikani. Asnjë organizatë apo institucion i shoqërisë civile nuk ka protestuar për ne, asnjëri nuk ka dhënë mbështetje”, ka vlerësuar Halfi, duke vënë theksin në mungesën e reagimeve nga politikanë apo organizatat civile ndaj këtyre sulmeve.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror suedez SVT, xhamia e Stockholmit në vitin 2017 ka qenë 22 herë në shenjestrën e sulmeve raciste dhe 3 herë në vitin 2018.