-1.4 C
Pristina
Saturday, January 11, 2025

Sudan, IHH hap puse ujore në zonat e harruara të Darfurit

Më të lexuarat

Celil Özatamer, koordinatori i Projekteve të Puseve të Ujit pranë IHH-së, theksoi se me 60 puset e reja të hapura ka arritur në 300 numri i puseve të hapura në tërë Sudanin

HARTUM (AA) – Fondacioni Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) ka filluar punimet për hapjen e 30 puseve të reja në vendbanimet afër kufirit të Darfurit me Çadin që deri më tani nuk janë vizituar nga asnjë organizatë humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondacioni Humanitar IHH zhvillon aktivitete në nivel botëror për qasjen e ujit të pastër për miliona persona që ballafaqohen me mungesë të ujit. Në këtë drejtim, delegacioni i IHH-së që ka arritur në Sudan, ka hapur 60 puse të tjera në rajonin Umshalaja të Darfurit. Puset e ujit janë hapur me donacionet e bamirësve, ndërsa nga to pritet të përfitojnë 24 mijë afrikanë.

Celil Özatamer, koordinatori i Projekteve të Puseve të Ujit pranë IHH-së, për AA theksoi se me 60 puset e reja të hapura ka arritur në 300 numri i puseve të hapura në tërë Sudanin.

“Natyrisht, ne nuk do të mjaftohemi me këto puse të hapura. Ne bëmë vëzhgime në rajonin Kabar që ndodhet 20 kilometra nga kufiri me Çadin për të nisur punimet e fizibilitetit dhe për gjetjen e vendeve të përshtatshme për edhe 30 puse të tjera”, tha Özatamer.

Özatamer theksoi se në këtë zonë të prekur nga thatësira jetojnë afro 50 mijë persona dhe se deri më sot nuk janë bërë punime nga asnjë organizatë humanitare, duke folur më tej për vështirësitë me të cilat përballen njerëzit e rajonit për sigurimin e ujit.

“Për të siguruar ujë, njerëzit bëjnë udhëtim që zgjat gjithsej tetë orë, katër orë shkuarja dhe katër orë kthyerja. Rrugëtimin e kryejnë më gomerë, kurse ujin e sigurojnë me bidonë. Ia vlente të shihej gëzimi i njerëzve në këtë rajon kur u thamë se do të hapim puse. Me mbështetjen e bamirësve, së shpejti do të hapim 30 puset për popullatën e rajonit,” njoftoi Özatamer.

Ndryshe, krahas Darfurit, Fondacioni Humanitar IHH ka filluar punimet për hapjen e puseve të reja edhe në shtete të tjera të Afrikës, edhe atë 40 në Somali, vend ky me nivelin më të lartë të thatësirës, dhjetë në Kenia, 20 në Etiopi dhe dhjetë në Xhibuti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit