Në korrik të këtij viti në qendër të Durrësit u vendos kjo “vepër arti” e quajtur “Hyjnia e Detit dhe Tërmeteve”.
Lajmi i plotë nga Top Chanell si më poshtë:
Për herë të parë një statujë e Redonit, perëndisë ilire të deteve dhe ujërave, është vendosur në një nga sheshet kryesore të bregdetit të Adriatikut, në Durrës, si një simbol i fuqisë dhe përkatësisë pellazgo-ilire. E realizuar nga skulptori i mirënjohur Ilirjan Xhixha, statuja e perëndisë Redon, e njohur më vonë dhe me emrin Rodon, ka ngjallur menjëherë interes veccanërisht te grupet e turistëve të huaj.
Redoni, hyu i deteve dhe ujërave në mitologjinë ilire, emrin e të cilit mban dhe Kepi i Rodonit, është provë e autoktonisë shumë të lashtë të ilirëve. Sipas studiuesve, hyjnitë e ujërave janë nga më të hershmet në mitologji, pasi lidhen me elementin kozmogonik të ujit në gjenezën e botës dhe njeriut, etnogjenezës së ilirëve dhe shqiptarëve. Kjo vepër që ka kushtuar 29.8 milionë lekë sjell në vëmendje elementet aq thelbësorë për Durrësin antik e të sotëm: ujin, dritën, hapësirën e pushtetin, ndërsa zgjon ndërgjegjen dhe kujtesën historike për qytetin. Në ditët e ardhshme statuja do të plotësohet edhe me elementë ndriçimi e arkitektonikë për t’u harmonizuar më tej me hapësirën urbane përreth saj.
Sot, emrin e Ilirjan Xhixhës, skulptorit që jeton e punon në Itali, e mbajnë edhe vepra të tjera monumentale të artit pamor, që zbukurojnë hapësirat publike të Durrësit, si “Kaligrafia e dritës” fiksuar në sheshin kryesor të qytetit në vitin 2015 për të vijuar me “Frekuencën e dritës” pranë portit detar. Këto si dhe të tjera vepra po krijojnë një imazh të ri estetik urban në qytetin bregdetar.