Me miliona banorë, pronarë biznesesh e punëtorë nisën të gërmonin përmes borës të dielën pas stuhisë së fuqishme dimërore e cila bllokoi në kuptimin e plotë të fjalës Washingtonin, New Yorkun dhe qytete tjera të Amerikës verilindore, ndërsa la të vdekur së paku 19 persona në disa shtete.
Stuhia e fundit është e dyta më e fuqishmja në historinë e qytetit të New Yorkut, ku bora arriti në lartësinë e 68 cm deri në mesnatën e së shtunës, pak më pak se rekordi i shënuar më 2006 që ishte 68.3 cm.
Trembëdhjetë persona u vranë në aksidente të ndërlidhura me motin në Arkansas, Karolinën veriore, Kentucky, Ohajo, Tennesi dhe Virginia të shtunën. Një person vdiq në Maryland dhe tre të tjerë në qytetin e New Yorkut derisa po e hiqnin borën me lopata. Dy të tjerë vdiqën nga hipotermia në Virginia, raporton Reuters.
Në bregun e New Jerseyt, rajon ky i goditur fortë më 2012 nga super-stuhia Sandy, stuhia solli vërshime.
Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, deklaroi gjendje emergjente, siç bënë edhe 10 guvernatorë tjerë.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Bill de Blasio ndaloi udhëtimet jo urgjente në qytet, pas orës 2:30 pasdite (e shtunë), ndërsa stuhia masive vazhdon në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara duke krijuar kushte që meteorologët i kanë konsideruar me rrezik për jetën, transmeton Koha.net.
De Blasio bëri thirrje gjithashtu për mbylljen e dyqaneve dhe restoranteve. Ai shtoi se ata që nuk largohen nga rrugët, mund të përballen me arrestim.
Deri në 85 milionë veta janë në zonën ku po kalon stuhia Jonas dhe qindra dhe mijëra persona janë pa energji elektrike dhe mijëra të tjerë janë bllokuar pasi stuhia paralizoi trafikun rrugor, hekurudhor dhe ajror përgjatë bregut lindor të Shtetet të Bashkuara.
Sipas parashikimeve të motit, bora do të vazhdojë deri në orët e para të së dielës.
Banorëve u është bërë thirrje të mos dalin jashtë, ndërsa era intensifikohet dhe arrin shpejtësinë 80 km në orë duke e bërë udhëtimin edhe më të rrezikshëm.
Shkollat u mbyllën të premten jo vetëm në Washington dhe në Virginia dhe Maryland. Edhe zyrat federale u mbyllën. Autoritetet madje mbyllën edhe sistemin e transportit publik, një masë e jashtëzakonshme.
Në shkallë vendi, të paktën 6,300 fluturime u anuluan dhe mijëra të tjera patën vonesa.