2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Studim: Martesat homoseksuale, prindërit homoseksualë dhe adoptimi

Më të lexuarat

MARTESAT HOMOSEKSUALE, PRINDËRIT HOMOSEKSUALË DHE ADOPTIMI

Ajo që shpesh harrohet të thuhet

Nga Gilles Bernheim, Kryerabini i Francës

(Shënim: Shkëputur nga eseja me të njëjtin titull, e shkruar në tetor të 2012-s, nga ish-Kryerabini i Francës, rreth legalizimit të martesave homoseksuale në Francë.)

Martesat homoseksuale në emër të barazisë?

Ajo çfarë dëgjojmë të thuhet: Homoseksualët janë viktima të diskriminimit. Ata duhet të kenë të drejtën të martohen, si heteroseksualët.

Ajo që shpesh harrojmë ta themi: Fakti që njerëzit duan njëri-tjetrin, jo domosdo pasohet nga e drejta për t’u martuar, edhe nëse ata janë heteroseksualë apo homoseksualë. P.sh. një burrë nuk mund të martohet me një grua që tashmë është e martuar, edhe nëse ata e duan njëri-tjetrin, sikurse e njëjta gjë vlen edhe për rastin kur një grua dashuron dy burra, ajo nuk mund të martohet me ata të dy, nisur nga fakti se ajo i do që të dy dhe secili prej tyre do të jetë bashkëshort i saj. Një baba nuk mund të martohet me bijën e tij, edhe pse dashuria e tyre është unike, prind-fëmijë.
Natyrisht, ne e kuptojmë dëshirën e njerëzve që duan njëri-tjetrin, që dashuria e tyre të njihet ligjërisht. Por, përsëri ka rregulla strikte që përcaktojnë se çfarë lloj bashkimesh mund të njihen si martesë dhe çfarë jo. Shprehja “martesë për çdo njeri” është vetëm një slogan. Edhe pas miratimit për lejimin e martesave homoseksuale, përsëri ligji do të përmbajë forma pabarazie dhe diskriminimi. Këto ndalesa do të vazhdojnë të aplikohen për ata që e duan njëri-tjetrin, por që ligji nuk i lejon të lidhen në një martesë.

Argumenti se të gjithë kanë të drejtë të martohen nuk tregon në fakt dy këndvështrimet e ndryshme që ekzistojnë për martesën. Sipas njërit prej këtyre këndvështrimeve, të cilin unë e ndaj me një numër të madh njerëzish, qofshin këta besimtarë ose jo të tillë, martesa nuk është vetëm njohja e një lidhjeje dashurie, është institucioni që shpreh bashkimin ndërmjet burrit dhe gruas, si pjesë e vazhdimësisë së brezave. Është institucionalizimi i familjes, pra i qelizës sociale bazë që krijon marrëdhënie dhe lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet anëtarëve të saj. Përtej jetës së zakonshme të dy individëve, ajo organizon jetën e një komuniteti, që përbëhet nga paraardhësit dhe pasardhësit. E kuptuar kështu, martesa është një akt themelor në ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e individëve dhe shoqërisë.

Sipas një tjetër mendësie, martesa është një institucion i vjetruar dhe i ngurtë, trashëgimia absurde e traditës dhe e tjetërsimit të shoqërisë. A nuk është pra paradoksale, të dëgjosh ata që ndajnë këtë mendim, të ngrenë zërin e tyre në favor të martesës homoseksuale? Përse ata që refuzojnë martesën dhe preferojnë bashkime të lira, demonstrojnë përkrah aktivistëve LGBT që janë në favor të martesave homoseksuale?!
Cilindo këndvështrim që ju keni, është e qartë se ajo që po ndodh pas sloganit “barazi martesore” është një përmbysje: një institucion i mbarsur me legjitimitet, kulturë dhe domethënie simbolike kërkon të zëvendësohet nga një kategori ligjore shterpë. Kjo padyshim që minon themelin e individëve dhe të familjes. A duhet që ne, në emër të barazisë dhe luftës kundër diskriminimit, t’i japim fund të gjitha referimeve ndaj dallimeve seksuale, në marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, duke filluar që nga ceremonia martesore dhe kujtimet familjare që e pasojnë këtë ceremoni?

Martesë homoseksuale për të mbrojtur partnerin?

Çfarë dëgjojmë: Shumë homoseksualë gjenden në situata problematike, pa asnjë mbrojtje ligjore pas një vdekjeje ose një ndarjeje. Martesa homoseksuale do të ofrojë një zgjidhje për këtë çështje.
Ajo që shpesh harrojmë ta themi: Martesa, ose çfarëdo bashkimi civil qoftë, nuk mund të krijojë të drejta dhe përgjegjësi, përderisa ajo të jetë një marrëveshje ligjore. Me fjalë të tjera, miratimi i martesave homoseksuale në Francë nuk do të garantojë automatikisht mbrojtje për të gjithë partnerët, në të gjitha çiftet homoseksuale. Partnerët përsëri do të duhet të martohen. E njëjta gjë vlen edhe për çiftet heteroseksuale, shumë prej të cilëve zgjedhin të jetojnë së bashku pa qenë të martuar.

Shumë çifte heteroseksuale zgjedhin bashkime civile (në Francë pacte civil de solidarité, ose ndryshe PACS) sepse ata e shohin këtë formë bashkimi në interes të tyre, në veçanti në aspektin ekonomik dhe atë ligjor, ku përcaktohen interesat materiale të secilës palë (strehimi, financa, sigurimi social…etj.) Dallimi ndërmjet këtyre dy formave legale është i kufizuar.
Edhe pse dispozita të caktuara u jepen automatikisht çifteve të martuara, çfarë nuk jepet në mënyrë të tillë në bashkimet civile, e megjithatë ato bëhen të mundura. Merrni shembullin e trashëgimisë. Një partner në një bashkim civil mund të trashëgojë nën të njëjtat kushte si një bashkëshort në një çift të martuar, por partneri i tij duhet të ketë hartuar më parë një testament, duke e caktuar atë si trashëgimtar. Si në rastin e PACS, ashtu edhe në rastin e martesës, trashëgimia e partnerit nuk është subjekt i taksës së pasurisë.

Këtu ngrihet çështja e dallimit në pagesat kompensuese, kur një ndarje shkakton një rënie të konsiderueshme në të ardhurat e njërit prej partnerëve, edhe pse partneri në këtë rast mund të hapë një çështje gjyqësore për të rindarë pronën e përbashkët dhe rishqyrtuar çështjen. Unë dua të shpreh dëshirën time, që të gjenden zgjidhje teknike që do të mbrojnë partnerët në bashkimet civile, në të njëjtin nivel si bashkëshortët e martuar në rast vdekjeje ose ndarjeje.
Unë dëshiroj veçanërisht të theksoj se, në kuadër të bashkimeve civile, tashmë të aplikuara në Francë, nuk ka asnjë arsye që shqetësimi ynë për mbrojtjen e partnerëve të na bëjë të vëmë në pikëpyetje institucionin e martesës dhe në mënyrë kaq radikale, çka ndodh në fakt nëse miratohen martesat homoseksuale.

Prindër homoseksualë në emër të dashurisë?

Ajo çfarë dëgjojmë: ajo çka është më e rëndësishme është dashuria. Një çift homoseksual mund t’i japë shumë dashuri një fëmije, ndonjëherë edhe më shumë sesa një çift heteroseksual.
Ajo që shpesh harrojmë ta themi: Të duash një fëmijë është diçka; por të duash një fëmijë me një dashuri që i siguron atij një strukturë të domosdoshme është diçka tjetër. Nuk ka dyshim se homoseksualët kanë të njëjtën aftësi të duan një fëmijë dhe ta shfaqin këtë dashuri ashtu si edhe heteroseksualët bëjnë, por roli i prindërve shtrihet përtej dashurisë që ata ndjejnë për fëmijët e tyre. Ta kufizosh lidhjen prindërore tek aspektet emocionale dhe edukative, do të thotë të mos vështrosh faktin se lidhja prind-fëmijë është një vektor psikologjik i një rëndësie themelore për ndjenjën e identitetit të fëmijës.

Edhe gjithë dashuria e botës sikur të mblidhet, është e paaftë të prodhojë struktura psikologjike bazë, që i përgjigjen nevojës së fëmijës që ai ka, për të njohur se nga vjen. Kjo, sepse fëmija e krijon identitetin e tij vetëm përmes një procesi diferencimi, të cilit ai e merr me mend se i ngjan. Kështu që ai ka nevojë të dijë se rrjedh nga dashuria dhe bashkimi ndërmjet një burri, që është i ati i tij, dhe një gruaje, që është e ëma e tij, falë dallimit seksual që ka ndërmjet tyre. Madje edhe fëmijët e adoptuar e dinë se rrjedhin në origjinë nga dashuria dhe dëshira e prindërve të tyre, edhe pse ata nuk janë prindërit e tyre biologjikë.

Babai dhe nëna përfaqësojnë një prejardhje për fëmijën. Fëmija ka nevojë për një prejardhje të qartë dhe koherente, ku ai gjen vendin e tij si individ. Ajo çka e karakterizon dhe do ta karakterizojë gjithmonë humanitetin tonë, është aftësia e gjuhës së folur për të bërë dallime seksuale në mes trupave njerëzorë dhe prejardhjes nga vjen. Po ashtu, më e rëndësishmja, është vendosja e fëmijës në një zinxhir brezash. Vargu i prejardhjes i siguron çdo individi një vend në botën ku ai jeton, për të ditur se nga ai vjen.

Sot ne përballemi me rrezikun e madh e të pakthyeshëm të konfuzionit në zinxhirin e brezave. Ashtu si askush nuk mund ta shkatërrojë themelin e një shtëpie pa shkatërruar vetë shtëpinë, ashtu dhe askush nuk mund të refuzojë themelet e shoqërisë sonë, pa vënë në rrezik vetë shoqërinë.

“Prindërit homoseksualë” nuk janë prindër. Vetë termi është sajuar për të zbutur pamundësinë që kanë homoseksualët për të qenë prindër. Kjo sajesë e re, e shpikur për të përkrahur mundësinë ligjore për t’i dhënë një fëmije dy “prindër” të të njëjtit seks, është pjesë e një iluzioni.

As martesa dhe as të qenit prindër, nuk kanë qenë ndonjëherë të bazuara në seksualitetin e individëve, por përkundrazi mbi vetë seksin, që bazohet mbi dallimin antropologjik në mes burrit dhe gruas.
Kështu pra, duke braktisur veçorinë e martesës burrë-grua në favor të martesave hetero-homoseksuale, aktivistët homoseksualë nuk kërkojnë thjesht të drejtën për të qenë prind (atësinë ose mëmësinë), por të drejtën e një statusi të ri prindëror abstrakt, që e kufizon rolin e “prindit” në ushtrimin e vetëm disa funksioneve, si p.sh. edukimi. Kjo gjë tejkalon faktin se, edhe në rastet kur kemi adoptim të fëmijëve, të jesh prind nuk do të thotë vetëm të edukosh fëmijë, por gjithashtu të rikrijosh linja atësie dhe mëmësie.

Prandaj ne rikonfirmojmë me forcë se, të jesh baba ose nënë nuk është thjesht një shprehje emocionale, kulturore apo një funksion social. Termi “prind” nuk është asnjanës; ai përfshin dallimin seksual. Të pranosh termin “prindër homoseksualë” do të thotë ta zhveshësh fjalën “prind” nga trupi i tij esencial, biologjik dhe mishëror i kuptimit.
Organizata e Prindërve Gay dhe Lesbian dhe Prindërit e së Ardhmes, kanë propozuar disa zëvendësime për termin “prind”, në varësi të funksioneve të ndryshme që ata do të kryejnë: “prindër-njerk”, “bashkë-prindër”, “homoseksualë-prindër”, “nënë për një tjetër”, “prindër biologjikë”, “prindër ligjorë”, “prindër socialë”, “prindër të dytë” etj. Duket e pamundur që një fëmijë të mund të arrijë të gjejë natyrshëm, një kuptim të qëndrueshëm në lidhje me gjithë këto terma.
Adoptim për të mbrojtur të drejtat e fëmijës?

Çfarë ne dëgjojmë: Homoseksualët janë viktima të diskriminimit. Ashtu si heteroseksualët, ata duhet të kenë të drejtën për të pasur fëmijë.
Ajo që shpesh harrojmë ta themi: E drejta për një fëmijë nuk ekziston. Dëshira për të pasur një fëmijë, në asnjë rrethanë nuk vendos të drejtën për të pasur një fëmijë, as për heteroseksualët, as për homoseksualët. Dëshirat e një çifti heteroseksual jopjellor mund të mos respektohen, nëse kushtet nuk janë të favorshme. Për shembull, dikush mund të gjykojë se një çift i ri dhe i shëndetshëm është më i përshtatshëm të ketë një fëmijë, sesa një çift me moshë të madhe dhe me shëndet të lig. Nëse do të njihet e drejta që çiftet homoseksuale të kenë fëmijë, atëherë të gjitha çiftet heteroseksuale të refuzuar për të pasur fëmijë, do të ndihen viktima të diskriminimit në një mënyrë ose një tjetër dhe kanë të njëjtin justifikim për të pretenduar të njëjtën të drejtë.

Këtu nuk po vëmë në pyetje mohimin e vuajtjeve që përjetojnë çiftet homoseksuale për shkak të mungesës së pjellorisë së tyre -një vuajtje që ata e ndajnë me çiftet heteroseksuale, të cilët nuk mund të shumohen. Por, të tilla çifte homoseksuale tani kërkojnë që vuajtjet e tyre të njihen dhe të lehtësohen. Por, duhet të dihet ama, se askush nuk ka të drejtë të çlirohet nga vuajtjet e tij në kurriz të tjetrit, veçanërisht kur kjo është në disfavor të të dobëtit dhe të pafajshmit. Vuajtja e tyre nuk është një arsye e mjaftueshme për t’i dhënë atyre të drejtën për të adoptuar fëmijë.

Fëmija nuk është një objekt të drejtash, por një subjekt të drejtash. Të flasësh për “të drejtën për një fëmijë” do të thotë të instrumentalizosh dhe ta bësh fëmijën objekt të drejtash të dikujt tjetër. Në debatin aktual, fëmija si individ, si subjekt, mungon në argumentet e atyre që kërkojnë të drejtën e adoptimit për çiftet homoseksuale. Kjo mungesë argumenti u mundëson të rriturve që kërkojnë të drejta të shmangin pyetjen lidhur me të drejtat e fëmijës, çfarë fëmija ka nevojë, dhe nëse fëmija mund të preferojë të ketë një baba dhe një nënë në vend të dy prindërve të të njëjtit seks. Ky është një rast ku kufijtë tanë të pakujdesisë kalojnë në cinizëm.

Adoptim për të ndihmuar fëmijët që presin të adoptohen?

Ajo që dëgjojmë: mijëra fëmijë janë duke pritur për t’u adoptuar, do të ishte më mirë për ta që të adoptoheshin nga çiftet homoseksuale, sesa të qëndronin në jetimore.
Ajo që shpesh harrojmë ta themi: fëmijët e adoptuar kanë më shumë nevojë për një nënë dhe një baba, sesa për fëmijë të tjerë. Në thellësi, instinktivisht, ai dëshiron të gjejë një vend sa më pranë qelizës bazë që i ka dhënë atij jetë: një nëne dhe një babai. Fëmija i adoptuar është i ngarkuar njëkohësisht me traumën e braktisjes, si dhe traumën e identitetit familjar të dyfishtë. Më shumë se fëmijët e tjerë, ky fëmijë ka nevojë për një ndjenjë të qartë të prejardhjes biologjike. Kjo për arsye se, ai ose ajo nuk e posedon perceptimin e të qenit fryt i një bashkimi dashurie. Ai nuk është i dëshiruar, atij nuk ia hedh sytë askush, ai nuk mund ta njohë vetveten në asnjë nga anëtarët e familjes së tij të re.

Është e zakonshme për fëmijët e adoptuar që të refuzojnë një nga dy sekset. Prandaj është e rëndësishme që fëmija të jetë në gjendje të identifikohet me dy prindër me sekse të ndryshme: me nënën e tij, sepse ka nevojë të ri-harmonizohet me ekzistencën e një gruaje; me babanë e tij, në mënyrë që të kuptojë prezencën e një burri, pa të cilin e ëma e tij nuk do të mund të kishte një fëmijë.

Adoptimi homoseksual rrezikon të rëndojë traumën e fëmijëve të braktisur, rrjedha e breznisë do të thyhet dyfish: së pari nga realiteti i braktisjes së fëmijës dhe së dyti, simbolikisht, nga fakti se prindërit adoptues janë homoseksualë. A kemi ne të drejtë të kërkojmë nga një fëmijë, që tashmë është plagosur nga e shkuara e tij, të përshtatet emocionalisht me gjendjen e prindërve të tij të rinj homoseksualë, një situatë kjo shumë e ndryshme nga ajo e shumicës së fëmijëve dhe nga ajo që ai dëshiron të rizbulojë?

A mos vallë qenka përgjegjësi e fëmijës së adoptuar, të përshtatet me zgjedhjen e jetës emocionale të prindërve të tij adoptues?
Adoptimi ekziston për t’i dhënë fëmijës një familje, dhe jo të kundërtën. Adoptimi ka për qëllim të adresojë në vendin e duhur vuajtjet e fëmijës dhe jo diçka tjetër. Është pra e domosdoshme që çdo çift, që paraqet një kërkesë për adoptim, të dallojë qartë qëllimet: a adoptohet fëmija për të plotësuar interesin e fëmijës, apo për të plotësuar nevojat e çiftit? Çifti adoptues dëshiron të kurojë vuajtjet e fëmijës, apo kërkon shërim për dhimbjet e tij, nisur nga fakti se vetë nuk mund të ketë fëmijë?

Për të qenë të sigurt, një çift nuk duhet të adoptojë një fëmijë, nëse nuk e ndjen të nevojshme ta bëjë diçka të tillë. Megjithatë, ne duhet të sigurohemi që interesi i fëmijës duhet të vihet në radhë të parë, ashtu siç deklarohet në kodin tonë të familjes se: “çdo fëmijë ka të drejtë të ketë një familje –para së gjithash familjen e tij, dhe, në mungesë të saj, një familje e përshtatur që do të bëhet e tij, nëpërmjet adoptimit.” Kjo është arsyeja pse është e domosdoshme t’i rikujtojmë vetvetes se, të dëshirosh një fëmijë nuk është diçka e mjaftueshme për ta adoptuar atë, dhe siç duket qartë, këto zgjidhje të thjeshta që bazohen në dëshira dhe emocione nuk janë gjithmonë zgjidhje të mira: shumë dëme mund të bëhen në emër të së mirës.

Format e reja të prindërisë homoseksuale krijojnë barazi?

Ajo çfarë dëgjojmë: kuptimi i familjes ka evoluar, në veçanti falë ndihmës mjekësore në riprodhim. Ligji duhet të marrë parasysh këto zhvillime.
Ajo që shpesh harrojmë ta themi: Shoqata e lesbikeve dhe feministëve “LesBienNées” ka ofruar katër forma të prindërisë homoseksuale, të cilat –sipas tyre- duhet të marrin miratimin ligjor: “Familja mund të jetë rezultat i një rikompozimi familjar me të njëjtin seks, që pason një bashkim heteroseksual. Ajo mund të jetë rezultat i një sistemi bashkëprindëror, në të cilin gay-t dhe lesbiket bien dakord të kenë një fëmijë, i cili do të rritet së bashku ndërmjet dy familjeve. Ajo gjithashtu mund të jetë rezultat i një adoptimi. Ose, së fundi, mund të jetë rezultat i një pllenimi artificial ose riprodhim i ofruar me asistencë mjekësore.”

Aktivistët LGBT kërkojnë të avancojnë idenë se, çdo kufizim në të drejtat e “prindërisë” duhet të jetë shkelje e parimeve të barazisë dhe kjo është padrejtësi; duke lënë kështu mënjanë faktin se, një fëmijë lind gjithmonë nga bashkimi i një burri dhe një gruaje, edhe në qoftë se ky bashkim nganjëherë mundësohet në mënyrë mjekësore. Këta aktivistë kërkojnë zbatim konsekuent të parimit të barazisë, për të fuqizuar kauzën e tyre, në veçanti në rastin e riprodhimit me asistim mjekësor për çiftet lezbike.

Këto forma të reja të prindërisë homoseksuale kanë hapur derën e kombinimeve të frikshme. Për shembull, një lesbike mund t’i dhurojë një vezë partneres së saj, vezë që më pas mbillet në të-pas fekondimit artificial- dhe sjell një fëmijë për çiftin. Sperma në këtë rast mund të merret nga një çift meshkujsh homoseksualë, të cilët më pas do të funksionojnë si bashkëprindër për fëmijën, fëmijë ky, që do të ketë katër prindër. Këto kombinime dhe të tjera janë tashmë një realitet. Këto kombinime të sajuara shtrojnë dy kërkesa: e para të legjitimohen, sepse ato tashmë ekzistojnë, dhe e dyta, krijimi i një të drejte universale për çfarëdo kombinimi të tillë, me arsyetimin se qasja në këto mënyra riprodhimi në vende të tjera është e shtrenjtë dhe për këtë arsye një burim pabarazie.

Është më se e kuptueshme, në shumë aspekte të jetës, se një kundërvajtje ligjore –kështu duhet thënë, për dështimin e mosrespektimit të një ndalimi- nuk përbën arsyetim të mjaftueshëm për të hequr ndalimin që nuk është respektuar. Me fjalë të tjera, realiteti i disa fakteve nuk është i mjaftueshëm për të krijuar një realitet ligjor. Kjo vlen edhe për format e reja të prindërisë homoseksuale. Është gjithashtu e qartë se, çfarë është peng i rrezikshëm i riprodhimit me asistim mjekësor dhe i shtatzënisë surrogato, shkon përtej kërkesës për prindër homoseksualë dhe e tejkalon atë që parashikohet në kodin francez të familjes. Kështu që është e domosdoshme, që subjektet të vazhdojnë të trajtohen në kuadrin e duhur ligjor të bioetikës dhe kjo strukturë të mos merret peng nga kërkesa, që kanë si qëllim të fshijnë të gjitha dallimet seksuale në shoqërinë tonë.
Ligji dhe interesi i përgjithshëm përballë provës së shifrave.

Çfarë dëgjojmë: qindra mijëra të rritur dhe fëmijë janë përshtatur. Francezët e pranojnë martesën homoseksuale. Vende të tjera gjithashtu e kanë legalizuar atë. Pse ne duhet të mbetemi pas?

Ajo që shpesh harrojmë ta themi: statistikat e cituara në 1999, që u përdorën për të mbështetur bashkimet civile (PACS) u frynë së tepërmi dhe e njëjta gjë po bëhet edhe në rastin e martesave homoseksuale. Në 1999, na u tha se ishte urgjente të miratohej PACT-i, sepse pesë milion njerëz kërkojnë të aplikojnë të tilla bashkime. Por, statistikat qeveritare sot na tregojnë se 904,746 janë ata që kanë hyrë në këtë bashkim civil ndërmjet viteve 2000-2010 dhe vetëm 7% e tyre i përkisnin personave me të njëjtin seks (ky numër në dhjetë vjet ka qenë 63,609 persona). I njëjti ankand po përdoret edhe sot: Legjislativi na thotë se ka 3.5 milion gay dhe lesbike në Francë, dhe citon për këtë Shoqatën e Prindërve Gay dhe Lesbike dhe Prindërit e së Ardhmes (APGL) dhe për pasojë 45% e lesbikeve dhe 36% e gay-ve dëshirojnë të kenë fëmijë. Kjo do të zgjidhë–sipas tyre- çështjen e 700,000 martesave homoseksuale. Në Spanjë, në një vend me 46 milion banorë, ka rreth 3,100 martesa homoseksuale çdo vit, që nga viti i parë (2006), ku u kryhen 4,300 të tilla.

Numri i fëmijëve të çifteve homoseksuale gjithashtu është zmadhuar së tepërmi. Sipas APGL ka nevojë urgjente për një ligj, sepse 300,000 fëmijë janë rritur në Francë nga prindër të të njëjtit seks. Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Studimeve Demografike (INED), Agjencia Zyrtare e të Dhënave Demografike, tregon se numri i fëmijëve është ndërmjet 24,000 – 40,000.
Ka një numër, me që ra fjala, që është i lehtë për tu verifikuar dhe nuk ka nevojë për debat -përkatësisht numri i anëtarëve të APGL: janë 1800 gjithsej në të gjithë Francën.
Legalizimi i martesave homoseksuale dhe adoptimi i fëmijëve prej tyre, nuk tregon as progres dhe as zhvillim të kombit. Është thënë shpesh që Franca ka mbetur prapa në krahasim me vendet e tjera që kanë legalizuar martesat homoseksuale, apo kanë adoptuar korniza ligjore të bashkimeve civile. Unë preferoj, të konsideroj si tregues zhvillimi apo përparimi për një komb, mirëqenien e popullit dhe besimin që ata kanë për të ardhmen, përkrah të dhënave tradicionale të gjendjes social-ekonomike, edukimit dhe arritjeve shkencore. Aty ku bëhen shqetësim kërkesat për drejtësi sociale, kombi mund të duket në të njëjtën kohë shumë mbrapa, e po ashtu dhe shumë përpara, në varësi të standardeve mjaft arbitrare të klasifikimit që përdoren.
S’ka dyshim se dikujt ia ka qejfi që në klasifikim të futet edhe martesa homoseksuale, por së pari duhet të dëshmohet se, është në interesin e përgjithshëm të kombit të jemi në ballë të kësaj gjëje.

Pjesa e dytë

Mohimi i dallimeve seksuale
Aktivistët LGBT dëshirojnë të mohojnë dallimet seksuale. Një nga mjetet e tyre është “teoria gjinore”. Në fillim, kjo teori është përdorur nga feministet, në luftën e tyre për barazi seksuale. Teoria gjinore është adoptuar nga aktivistët homoseksualë në luftën e tyre kundra dallimeve seksuale. Në vitin 1960, lëvizjet feministe anglo-saksone dënonin dallimet sociale që vazhdonin të ekzistonin në mes burrave dhe grave dhe që bazoheshin vetëm në dallimin seksual. Idetë e tyre i dhanë jetë nocionit të “gender-it” (nocionit gjinor), i cili mund të përkufizohet si roli social që i dedikohet çdo seksi. Me fjalë të tjera, nocioni gjinor përkufizon diferencimin dhe hierarkinë sociale ndërmjet burrave dhe grave në bazë të funksionit që secili seks ka. Norma të tilla gjinore supozohet të jenë themeli sistematik që përligj dominimin mashkullor mbi femrat.

Përkundrazi, seksi është çështje që i përket dallimit biologjik ndërmjet burrave dhe grave, gjinia i referohet dallimeve sociale bazuar pikërisht në këto dallime seksuale. Prandaj çështja gjinore duhet të përshkruhet si një dimension social i dallimeve biologjike seksuale. Teoritë që kufizojnë individin në disa role të caktuara, në punë ose imazhe, siç është “burri në punë dhe gruaja në shtëpi” janë dënuar si shtypëse.
Teoricienet e çështjeve gjinore, si Simone de Beauvoir, besojnë se “askush nuk lind grua, por bëhet grua” duke supozuar se disa “karakteristika gjinore” janë, në shumicën e rasteve, konstrukte kulturore, të cilat dënohen nga këto teoriciene. Çdo kush lind “neutral” dhe është shoqëria ajo që i imponon identitetin çdo mashkulli si burrë, për shkak se ai i përket seksit mashkull dhe identitetin grua çdo femre, sepse ajo ka lindur e tillë, e shoqëruar kjo me të gjitha pabarazitë që mbart ky dallim.

Këto teoriciene nuk e përkufizojnë individin nga seksi i tyre (burrë ose grua), por sipas seksualitetit të tij ose të saj (homoseksual-, hetero-, etj). Ata tentojnë të fshijnë dimensionin biologjik dhe anatomik që ndan dy sekset, në mënyrë që të shihen vetëm gjini të larmishme, të diktuara këto nga kultura dhe historia. Që nga momenti që ato e konsiderojnë dallimin seksual të jetë një konstrukt social dhe kulturor, e për rrjedhojë edhe artificial, lëvizjet feministe dënojnë marrëdhëniet ekzistuese sociale dhe kërkojnë një kulturë të aftë të mbrojë gratë. Një nga implikimet e kësaj mbrojtjeje është edhe braktisja e heteroseksualitetit si normë.

Teoricienet më radikale shkojnë edhe më tej: ato shfaqin dëshirën të zhdukin të gjitha pabarazitë ndërmjet burrave dhe grave, për të arritur barazinë e përsosur ndërmjet tyre. Duke qenë se besojnë se nuk mund të ketë dallime pa pasur pabarazi, ato kërkojnë t’i japin fund dallimeve seksuale mes burrit dhe gruas. (Ajo çfarë është paradoks në këtë mes, është fakti se në një shoqëri ku ne betohemi më shumë se për çdo gjë, për pranimin e të ndryshmes, e ndryshmja perceptohet si problem. Në fakt, nuk ka asnjë kontradiktë parimore në mes të ndryshmes dhe barazisë; e kundërta e barazisë nuk është e ndryshmja dhe barazia nuk është në kontradiktë me ndryshimin seksual.)

Meqenëse këto teoriciene hamendësojnë se dallimi seksual është shkaku i përjetshëm i dorëzimit të gruas para burrit, atëherë barazi do të thotë që domosdoshmërisht duhet t’i jepet fund dallimeve seksuale. Kështu pra, duket se, qëllimi final i revolucionit feminist nuk është vetëm të largojë privilegjet e të qenit mashkull, por edhe të eliminojë pikërisht dallimin ndërmjet sekseve. Nëse gjinia është thjesht një konstrukt social, atëherë i gjithë prezantimi social i seksualitetit është i fituar dhe artificial. Në këtë mënyrë, pak nga pak, seksi i kuptuar si një kategori natyrore vihet në pikëpyetje, për rrjedhojë edhe vetë seksualiteti si një e dhënë natyrore relativizohet.

Teoria Queer (nga anglishtja, i çuditshëm, i veçantë, ai që nuk është heteroseksual) e shtyn teorinë gjinore në pikën e saj ekstreme dhe fajëson si heteroseksiste qasjen se, heteroseksualiteti është normë dhe për këtë arsye superior ndaj orientimeve të tjera seksuale. Sipas tyre, meqë heteroseksualiteti ka humbur vetë-dëshminë e tij, atëherë të gjitha format e konstruktit seksual janë të mundura. Teoria Queer pretendon krijimin e një antropologjie të re, e cila nuk do të jetë më subjekt i “heteroseksualitetit të detyrueshëm” ose “heteroseksualitetit të dhënë,” me qëllim që ta kthejë atë në një fazë më të hershme, në atë të para ekzistencës së dallimeve seksuale ose “gjinore”. Ajo kërkon t’i japë fund perceptimit “gjinor” për individin dhe përdorimit të të gjitha fjalëve “gjinore”, në mënyrë që “burrë” apo “mashkull” mund të përshkruhet edhe një trup femre, sepse vetë trupi nuk kuptohet më si një realitet i dhënë statik. Duke qenë se është vetëm një konstrukt social, identiteti seksual nuk është aspak përcaktues i gjendjes psikike të individit. Prandaj, nuk ka nevojë që atë ta marrim më në konsideratë.

Në vend të identitetit seksual, i cili konsiderohet si diçka që i përket të kaluarës, teoria queer propozon nocionin e “orientimit seksual”, që zgjidhet nga çdo individ, bazuar në gjininë në të cilën ai e përcakton veten e tij ose të saj, nga brenda. Duke dalluar në mes seksit (seksualitetit si diçka e dhënë) dhe seksuales (seksualitetit si sjellje), teoria queer mbron idenë se, dikush mund të jetë fizikisht mashkull, por psiqikisht femër, ose dhe anasjelltas. Për rrjedhojë, i pavarur nga ndërtimi i tij biologjik apo seksi që ai ka, ai mund të përjetojë dëshira që janë homoseksuale, heteroseksuale, biseksuale, apo edhe joseksuale.
Kështu pra, teoria queer e fton individin që të heqë prangat e “të qenit burrë” apo “të qenit grua”, status të cilin ai nuk e ka zgjedhur dhe të shprehë vetveten në bazë të asaj që ai vetë-ndjehet. Për shembull, një person që biologjikisht është mashkull, por me “gjini” femër, mund të ketë dëshira heteroseksuale dhe kështu që ai mund të jetojë me një mashkull tjetër. Nisur nga ky këndvështrim, orientimi seksual i zgjedhur nga individi, nuk do të jetë kurrë i përcaktuar dhe mund të ndryshojë gjatë rrjedhës së jetës së çdokujt. Nëse gjinia është një konstruksion social, ajo mund të dekonstruktohet (shpërbëhet). Të qenit femër dhe mashkull kthehet thjesht në rol, të cilin çdokush mund ta zgjedhë ose refuzojë, në një parodi që mund të ndryshojë sipas dëshirës. Grua, burrë, heteroseksual, homoseksual, biseksual, ose transeksual… Në këto kërcime gjinore, identitetet seksuale zëvendësohen nga shprehjet individuale, të cilat krijohen dhe rikrijohen pareshtur në marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin. Ajo çka vlen në këtë rast nuk është më identiteti seksual i individit, por orientimi i tij seksual.
Në emër të tolerancës, mbrojtësit e teorisë queer, kërkojnë njohje shoqërore për të gjitha format e orientimit seksual, por toleranca në këtë rast, nuk është gjë tjetër vetëm se një kalë Troje, që kërkon të luftojë heteroseksualitetin si normë shoqërore, të cilin ata e gjykojnë si normë sociale e imponuar dhe e vjetruar, dhe që ndërtohet mbi dallimin seksual.

Kjo luftë, padyshim, synon të prekë modelin aktual të familjes, e cila shihet si një formë e kushtëzimit social dhe si pengesë për shprehjen e gjinisë së njerëzve, si një aktivitet “i brendshëm” i tyre. Mjekësia dhe ligji duhet të përshtaten me këto shprehje personale të seksualitetit. Nëse individi fizikisht mund të jetë mashkull, por psiqikisht femër, ose anasjelltas, dhe nëse është dëshira dhe jo natyra e lindur ajo që e përcakton seksin, atëherë pse të mos institucionalizohet bashkimi i dy njerëzve, çfarëdo qofshin ata? Dhe, në veçanti, pse duhet të refuzohet t’i besohen fëmijë një çifti të tillë, përderisa të gjitha modelet e ndryshme konsiderohen njëlloj?
Të ballafaquar me këtë seri kërkesash, është legjitime për ne të mendojmë se objektivi final i këtyre aktivistëve është zhbërja e plotë e martesës dhe e familjes, siç ajo është konceptuar tradicionalisht. Me këtë synim në mendje, martesa homoseksuale dhe e drejta e adoptimit të fëmijëve për çiftet e të njëjtit seks, paraqet as më shumë e as më pak sesa një mjet që kërkon të shkatërrojë themelin e shoqërisë, duke mundësuar çdo lloj bashkimi, të çliruar tashmë nga morali i stërgjyshërve dhe kështu ata përfundimisht do të zhdukin nocionin e dallimeve seksuale.
***
Përshtati J.Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit