1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Strategjia e karantinimit: një debat moral publik

Më të lexuarat

Vehap Kola

Përdorimi i teorisë së “domenit qendror” nga Edi Rama për të imponuar axhendën e debatit publik dhe, për pasojë, zhvillimeve në shoqërinë shqiptare është i njohur tashmë. Teoria është zhvilluar nga politologu Carl Schmitt dhe propozon që nëse një domen (sferë, fushë) i caktuar fiton pozitë qendrore, “atëherë problemet e domeneve të tjera zgjidhen në termat e domenit qendror – ato konsiderohen probleme dytësore, zgjidhja e të cilave do të kërkohet, sigurisht, vetëm nëse problemet që i përkasin domenit qendror zgjidhen”.

Gjyqësori i korruptuar, reforma në drejtësi, aksioni për arkëtimin e faturave të energjisë, fushata kundër informalitetit, lufta kundër trafikut të drogës, BKH, vetingu, SPAK, KÇK, OFL, amnistia fiskale etj janë disa nga domenet qendrore që ka përdorur Edi Rama dhe regjimi i tij për të imponuar gjithë debatin publik dhe për të përcaktuar prioritetet e zhvillimeve politike, shoqërore e ekonomike.

Edhe në këtë situatë të emergjencës në shëndetësi, Edi Rama e ka gjetur domenin qendror me anë të të cilit të imponojë zgjidhjen e problemeve të tjera: lufta me armikun e padukshëm. Për ta bërë më të besueshëm dhe të padebatueshëm këtë domen, atij i duhet të thërrasë si dëshmitarë ekspertët e fushës: mjekët, që kryesisht vijnë nga sektori publik.

Në vend po zhvillohet prej javësh një debat mbi mënyrën se si duhet t’i përgjigjet qeveria dhe shoqëria shqiptare përhapjes së virusit Covid-19. Në njërën anë të debatit janë mjekë virologë dhe epidemiologë nga sektori public, që bëjnë thirrje për karantinim të plotë të popullsisë. Kur thirrja e tyre nuk mjafton, Rama thërret edhe mjekë shqiptarë nga spitalet evropiane. Për ta përforcuar ndjënjën e frikës nga “armiku i padukshëm”, ai nuk heziton të shfaqë edhe pamje të kufomave nga vende si Irani, Italia apo SHBA.

Në anën tjetër qëndrojnë një audiencë skeptike më e larmishme, që në rrjetet sociale dhe media kanë shprehur dyshimin mbi nevojën dhe efektshmërinë e karantinës që ka imponuar qeveria. Përbërja e larmishme dhe natyra thellësisht mjekësore e emergjencës, që është propaganduar si domen qendror nga qeveria, e bën këtë segment të shoqërisë të duket më pak ekspert në sytë e publikut.

Argumentet e grupit të parë përputhen me strategjinë e qeverisë për të menaxhuar situatën shëndetësore. Mbrojtja e jetës së njerëzve – thonë ata – është qëllimi i qëllimeve dhe justifikon çdo kufizim të lirisë dhe veprimtarisë shoqërore e ekonomike.

Argumentet e grupit të dytë përfaqësojnë një shqetësim të përhapur se zgjatja e periudhës së karantinimit do të rrënojë ekonominë dhe shqiptarët do të përfundojnë si dhia që shkoi për të gjetur brirët, por la edhe veshët. Epidemia do të ketë bërë të veten dhe vendi do të dalë prej saj edhe me një ekonomi të gjunjëzuar. Pasojat mund të përfytyrohen lehtë për një shoqëri që doli nga mjerimi komunist dhe ka provuar disa kriza ekonomike e shoqërore gjatë këtyre 30 viteve.

Kështu, pra, mjekët janë shndërruar në politikanë, dhe në vend që të ofrojnë ekspertizë, japin argumente për politikën. Duke injoruar thirrjet e ekonomistëve, sociologëve, politikanëve, regjimi ka bombarduar opinionin publik me të gjitha llojet e produkteve mediatike që kanë nga pas një firmë mjeku.

I vetëdijshëm se nesër do të duhet t’u dalë për zot pasojave të karantinimit, Edi Rama është duke u varur në qafë mjekëve një gur të rëndë. Por jashtë profesionit të tyre ekspertët, pra mjekët në politikë, janë po aq njerëz të zakonshëm sa një fatorino autobusi. Përdorimi i deklaratave, intervistave dhe thirrjeve të tyre për të mbështetur ‘shkencërisht’ strategjinë e karantinimit është qëllimkeq dhe i papërgjegjshëm.

Sa herë që eksperti kapërcen kufijtë e dijes teknike dhe futet në territorin e administrimit publik, ai ka marrë rolin e këshilluesit publik. Sigurisht, ka fusha ku duhen patjetër ekspertët dhe këtu kryeson nevoja për të marrë të dhëna. Por këto fusha nuk lidhen drejtpërdrejt me sferën publike. Lidhjen me sferën publike ia bëjnë politikanët. Si administratorë publikë, ata kanë për detyrë që për interesin e përgjithshëm të kombinojnë dijet e ekspertëve të të gjitha fushave.

Për shembull, mjekët – epidemiologë ose jo – nuk ofrojnë dot një zgjidhje për skenarin e falimentit ekonomik të vendit. Nëse shumica e sipërmarrjeve private mbyllen, e për pasojë edhe financat publike kapitullojnë, modelet kompjuterike epidemiologjike nuk janë në gjendje të vlerësojnë pasojat në jetët njerëzore. Përkeqësimi i shëndetit të popullsisë për shkak të kequshqyerjes, mospërballimit të shpenzimeve mjekësore apo shkeljes së standardeve etike e mjedisore në të gjitha fushat e prodhimit e shërbimit, nuk duket se mund të parashikohen nga modelet statistikore ku mbështeten epidemiologët tanë për të përkrahur karantinimin e plotë.

Pra, gjendemi përballë një debati moral dhe, ndryshe nga ç’pretendon Rama, nuk jemi spektatorë të një përplasjeje ndërmjet shkencës dhe injorancës. Për momentin, frika nga vdekja prej “armikut të padukshëm” ka rreshtuar shumicën e zërave publikë në krah të tezës qeveritare të certifikuar nga mjekët e sektorit publik dhe nga paniku që ndjellin videot në ERTV. Por duket se gjithnjë e më shumë zëra po tërheqin vëmendjen drejt nevojës për një strategji gjithëpërfshirëse, që merr parasysh edhe efektet e një ekonomie të falimentuar në javët dhe muajt në vijim.

Rreziku që ekonomia të falimentojë bëhet gjithnjë e më i dukshëm sa më e qartë bëhet se emergjenca do të zgjasë përtej parashikimeve fillestare. Nevoja për të dëgjuar zërin kritik të ekonomistëve bëhet gjithnjë e më e madhe dhe kërkesa që qeveria të peshojë me përgjegjshmëri të gjithë faktorët po bëhet gjithnjë e më e zëshme. Debati moral nuk është më aq i pabalancuar sa ç‘ishte në fillim të karantinës.

Në këtë debat moral opozita është rreshtuar më mirë se pushteti. Që në fillim Basha i bëri thirrje Ramës të marrë masa serioze për të mos lejuar rënien e ekonomisë në kolaps. Paketa e propozimeve të Partisë Demokratike është pasuruar me masa të reja në përputhje me trajektoren e krizës, ndërsa pushteti e ka fshehur mungesën e vullnetit për masa serioze duke nënvlerësuar propozimet e opozitës.

Vetë kaosi që shkaktoi Rama me propozimin kontradiktor për të pezulluar pagesën e qirave ishte dëshmia më flagrante se ai nuk ka një ide të qartë rreth asaj që e pret ekonominë dhe stabilitetin social të vendit. Duket se regjimi beson se mund ta kalojë këtë krizë thjesht duke intensifikuar propagandën dhe duke rreptësuar masat paternaliste ndaj sjelljes shoqërore.

Por çdo ditë që vjen e bën edhe më të qartë se pushteti e ka gabim. Gjithnjë e më shumë njerëz do të detyrohen të thyejnë karantinën për të siguruar jetesën dhe pjesa më e madhe e tyre do të fajësojë qeverinë për keqmenaxhimin e situatës. Domeni qendror i imponuar nga propaganda e regjimit po konsumohet shpejt dhe debati moral po fitohet nga kritikët e qeverisë.

Pozicionimi i opozitës në këtë debat duhet të jetë më i guximshëm. Ajo duhet të ofrojë një strategji afatgjatë për administrimin e gjendjes, që gërsheton ekspertizën epidemiologjke me atë ekonomike, shoqërore dhe të sigurisë. Opozita, ekspertët dhe sipërmarrësit do ta fitojnë këtë debat moral përballë propagandës së regjimit nëse ia dalin të punojnë së bashku.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit