Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca veri-atlantike është thellësisht e shqetësuar për situatën në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Aleatët e NATO-s janë thellësisht të shqetësuar për nivelet e larta të dhunës të shkaktuara nga ofensiva e talebanëve, përfshirë sulmet ndaj civilëve, vrasjet e synuara dhe raportet për abuzime të tjera serioze të të drejtave të njeriut”, tha Stoltenberg në një deklaratë.
“Talebanët duhet të kuptojnë se ata nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare nëse e marrin vendin me forcë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një zgjidhje politike të konfliktit”, shtoi Stoltenberg.
Siç theksoi ai, “qëllimi ynë mbetet të mbështesim qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë sa më shumë që të jetë e mundur. Siguria e personelit tonë është parësore. NATO do të ruajë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës”.
Deklarata vjen teksa talebanët pushtojnë gjithnjë e më shumë qytete të mëdha në Afganistan pas tërheqjes së forcave të NATO-s nga vendi. /aa