Në bazë të dokumenteve arkivore, këto të dhëna që përmbajnë listat, janë nxjerrë nga raporti i Këshillit të Ulemave të rreth-veprimit të Shkupit të vitit 1938-1939.
Nga viti 1941 deri në vitin 1944 nga aspekti politik, kombëtar, fetar dhe kulturor ka funksionuar Shqipëria etnike, përfshirë të gjitha trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Krahas organizimeve politike kombëtare në Shqipërinë etnike në atë periudhë ka funksionuar një komunitet mysliman shqiptar për të gjithë shqiptarët mysliman, qendra e të cilit i ishte Tirana. Në kuadër të këtij komuniteti vepronin të gjitha kryemyftinitë dhe myftinitë e vakëfeve në tokat e çliruara jashtë shtetit amë-Shqipërisë.
Në kuadër të këtij organizimi fetar islam institucional në mbarë trojet shqiptare, “Kryesia e Këshillit të Ulemave të Komunitetit Mysliman, me qendër në Tiranë, më datë 07/06/1944 u dërgoi një qarkore kryemyftinive, myftinive dhe nën myftinive të zyrave të vakëfit në tokat e lirueme, përmes së cilës kërkon përgatitjen e listave statistike të numrit të popullsisë myslimane të të gjitha xhemateve brenda kufijve të atëhershëm të Shqipërisë (1944). Këtë listë duhej ta hartonin imamët ofiqarë.(1)
Përmes asaj qarkoreje kërkohej edhe hartimi i listave statistikore të xhamive me emra, pastaj lista e medreseve, mesxhideve, përfshirë këtu edhe të dhënat e tjera – se prej kujt janë ndërtuar ose nga kush janë lënë vakëfe si dhe të dhëna të tjera rreth historikut të tyre dhe vjetërsisë së tyre si monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ky dokument qarkor, që ndodhet në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë, është i nënshkruar nga kryetari i Këshillit të Ulemave të Komunitetit Musliman, Haxhi Sherif Langu(2).
Sipas Urdhrit verbal të Kryesisë së Këshillit të Ulemave të Komunitetit Musliman Shqiptar, zëvendësinspektori i këtij organi obligohet ta koordinojë dhe ta realizojë këtë projekt në bashkëpunim me të gjitha zyrat e tokave të lirueme. Realizimi i listave statistike me të dhënat e kërkuara nga kryesia e Këshillit të Ulemave u përfundua më 27/06/1944. Në bazë të dokumenteve arkivore, këto të dhëna që përmbajnë listat, janë nxjerrë nga raporti i Këshillit të Ulemave të rreth-veprimit të Shkupit të vitit 1938-1939.
Lista e popullsisë muslimane në rreth-veprimin e Këshillit të Ulemave të Shkupit 1938-1939
Në këtë listë janë të shënuara numri i shtëpive, numri i myslimanëve të ndarë në gjini, dhe numri i përgjithshëm i myslimanëve sipas qyteteve të mëdha të rajoneve.(3)
Pasqyra statistike e xhamive 1938 – 1939
Në dokumentet arkivore të A.Q.Sh, në fondin e Komunitetit Musliman Shqiptar, hasim një dokument listë, në të cilin janë të shënuara të gjitha xhamitë e qyteteve dhe fshatrave të trojeve etnike shqiptare jashtë shtetit amë – Shqipërisë. Në këtë listë në detaje përshkruhen të gjitha të dhënat për xhamitë si: periudha e ndërtimit, materiali i ndërtimit, gjendja momentale, ndriçimi, materiali dhe forma e mbulesës së xhamisë, pastaj numri i xhamive me minare, xhamitë pa minare, xhamitë me mafil ose pa mafil, pastaj falja vetëm e xhumave ose falja edhe e vakteve etj..
Në vazhdim do të paraqesim të dhënat e xhamive sipas rajoneve:
Gjakova me rrethinë
Numëronte gjithsej 39 xhami, në gjendje të mirë ishin 38 dhe 1 në gjendje gjysmë të mirë. Me minare ishin 21 xhami, pa minare 18. Të mbuluara – me alumin ishte një xhami, ndërsa 38 ishin të mbuluara me tjegulla. Me material të fortë ishin të ndërtuara 35 dhe me material të dobët 4 xhami. Të ndërtuara në qytet ishin 16 xhami, në katunde 23. Me ndriçim elektrik ishin 7 xhami, me vajguri ose me qirinj ishin 32. Deri më 1912 ishin të ndërtuara 37 xhami, deri më 1930 ishte ndërtuar 1, dhe deri më 1940 po ashtu ishte ndërtuar 1 Xhami. Sa i përket faljes së namazeve, në 29 xhami falej xhumaja dhe vakte të herëpashershme, në 3 xhami nuk falej fare xhumaja, në 2 xhami falej vetëm xhumaja, në 2 xhami vetëm namazi i teravive dhe në 3 xhami nuk falej asnjë vakt. Numri i nëpunësve të xhamive ishte gjithsej 46.
Kërçova me rrethinë
Numëronte gjithsej 32 xhami, në gjendje të mirë ishin 29 dhe në gjendje gjysmë të mirë ishin 3 xhami. Me minare ishin 29, ndërsa pa minare ishin vetëm 3. Të mbuluara ishin të gjitha, vetëm me tjegulla. Me material të fortë ishin të ndërtuara 29 xhami, ndërsa me material të dobët 3. Në qytet ishin 3 xhami, në katunde 29. Të ndriçuara me elektrik ishin 3 xhami, me vajgur dhe qirinj 29 xhami. Deri më 1912 ishin ndërtuar 25 xhami, gjer më 1930 5 xhami dhe gjer më 1940 ishin 2 xhami. Falja e namazeve në 20 xhami bëhej vetëm ditën e xhuma dhe me vakte të herëpashershme, në 10 xhami nuk falej fare as xhumaja dhe në 2 xhami falej vetëm xhumaja. Nëpunës të xhamive gjithsej ishin 34.
Rahoveci me rrethinë
Numëronte gjithsej 29 xhami, në gjendje të mirë ishin 28 xhami, në gjendje gjysmë të mirë 1, të gjitha ishin me minare dhe të gjitha të mbuluara me tjegulla. Të ndërtuara me material të fortë ishin 28, ndërsa me material të dobët vetëm 1 xhami. Në qytet ishin të ndërtuara 4 xhami, në katunde 25 xhami. Të ndriçuara me elektricitet nuk ishte asnjë, me vajgur dhe qirinj ishin 29 xhami, të ndërtuara deri në vitin 1912 ishin 27 xhami, deri në vitin 1930 2 xhami, dhe deri më 1940 asnjë. Falja e xhumave dhe e vakteve të herëpashershme bëhej në 2 xhami, në 19 xhami nuk falej xhumaja fare, në 4 xhami falej vetëm xhumaja dhe namazi i teravisë, në 1 xhami falej vetëm namazi i teravive, dhe në 3 xhami nuk falej asnjë vakt. Nëpunës të xhamive ishin gjithsej 23.
Struga me rrethinë
Struga numëronte gjithsej 25 xhami, në gjendje të mirë ishin 19 xhami dhe 6xhami në gjendje gjysmë të mirë. Me minare 18 xhami, ndërsa pa minare 7 xhami. Të mbuluara – me alumin vetëm 1 xhami, me tjegulla 24 xhami. Me material të fortë ishin të ndërtuara 19 xhami, me material të dobët 6 xhami. Në qytet ishte e ndërtuar një xhami, ndërsa në katunde 24 xhami. Të ndriçuara me elektrik – asnjë xhami, me vajgur ose qirinj 25 xhami. Deri më 1912 ishin të ndërtuara 20 xhami, deri më 1930 ishin të ndërtuara 2 xhami dhe deri më 1940 – 3 xhami. Falja e namazeve të xhumasë me ndonjë vakt bëhej në 23 xhami, pa xhuma nuk kishte, me xhuma dhe teravi 1 xhami, vetëm me xhuma 1 xhami. Nëpunës të xhamive gjithsej ishin 28.
Prizreni me rrethinë
Numëronte gjithsej 106 xhami, 76 xhami ishin në gjendje të mirë dhe 30 xhami në gjendje gjysmë të mirë. Me minare 46 xhami, pa minare 60 xhami. Të mbuluara me alumin ishin 6 xhami, ndërsa me tjegulla 100 xhami. Me material të fortë ishin të ndërtuara 76 xhami, me material të dobët 30 xhami. Qyteti i Prizrenit kishte gjithsej 23 xhami, ndërsa fshatrat 83 xhami. Ndriçimi me elektricitet ishte i instaluar në 15 xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj ndriçoheshin 91 xhami. Deri më 1912 ishin ndërtuar 88 xhami, deri më 1930, 9 xhami dhe deri më 1940, po ashtu, 9 xhami. Falja e xhumave dhe e vakteve të herëpashershme bëhej në 61 xhami, pa xhuma 20 xhami, pa asnjë vakt 2 xhami, me xhuma e teravi 14 xhami, vetëm me teravi 3 xhami, dhe pa asnjë vakt 6 xhami. Këshilli i Prizrenit kishte gjithsej 120 nëpunës të xhamive.
Peja me rrethinë
Numëron gjithsej 41 xhami, 37 në gjendje të mirë, 4 xhami në gjendje gjysmë të mirë. Me minare ishin 19 xhami, pa minare 22, të mbuluara – me alumin 1 xhami dhe me tjegulla 40 xhami. Me material të fortë ishin të ndërtuara 37 xhami, me material të dobët 4 xhami. Në qytet ishin të ndërtuara 12 xhami, ndërsa në katunde 29 xhami. Me elektricitet ndriçoheshin 8 xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj 33 xhami. Deri në vitin 1912 ishin të ndërtuara 34 xhami, deri më vitin 1930 ishin të ndërtuara 3 xhami, dhe deri më 1940 të ndërtuara ishin 4 xhami. Xhumatë dhe vaktet e herëpashershme faleshin në 27 xhami, në 9 xhami nuk faleshin xhumatë, xhumatë dhe teravitë faleshin në 4 xhami, vetëm xhumaja dhe pa asnjë vakt – asnjë xhami. Nëpunës të xhamive ishin gjithsej 58.
Plava me rrethinë
Numëronte gjithsej 10 xhami, në gjendje të mirë ishin të gjitha, me minare po ashtu të gjitha. Të mbuluara me dërrasa ishin 10 xhami, të ndërtuara me material të fortë 10 xhami, me material të dobët asnjë. Qyteti kishte 6 xhami, katundet 4 xhami. Të gjitha xhamitë ishin të ndriçuara me vajgur dhe qirinj. Deri në vitin 1912 kanë qenë të ndërtuara 9 xhami, deri në vitin 1940, 1 xhami. Vetëm xhumatë faleshin në 8 xhami, xhumatë dhe teravitë faleshin në 2 xhami, dhe pa falje nuk kishte asnjë xhami. Nëpunës të xhamive gjithsej ishin 13.
Dibra me rrethinë
Numëronte gjithsej 33 xhami, 32 ishin në gjendje të mirë, 1 xhami në gjendje gjysmë të mirë. Me minare ishin 22, pa minare 11 xhami, të mbuluara që të gjitha ishin me tjegulla. Me material të fortë ishin të ndërtuara 32 xhami
dhe me material të dobët 1 xhami. Qyteti kishte 6 xhami, ndërsa katundet 27 xhami. Të ndriçuara me elektricitet ishte 1 xhami, me vajgur dhe qirinj 32. Deri në vitin 1912 ishin ndërtuar 29 xhami, deri në vitin 1930, 3 xhami dhe deri në vitin 1940, 1 xhami. Në 32 xhami faleshin vetëm xhumatë dhe në një xhami asnjë vakt. Nëpunësit e xhamive të Dibrës me rrethinë ishin gjithsej 58.
Tetova me rrethinë
Numëronte gjithsej 84 xhami, 22 xhami ishin në gjendje të mirë, 46 në gjendje gjysmë të mesme dhe 16 xhami në gjendje të mesme. Me minare ishin 73xhami, ndërsa pa minare 11 xhami. Të mbuluara – me alumin një xhami, ndërsa me tjegulla 83 xhami. Me material të fortë ishin të ndërtuara 22 xhami dhe me material të dobët 62 xhami. Qyteti i Tetovës kishte 10 xhami, ndërsa katundet numëronin 74 xhami. Me elektricitet ndriçoheshin 8 xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj 75 xhami. Deri më 1912 janë ndërtuar 70 xhami, deri më 1930 janë ndërtuar 8 xhami, dhe deri më 1940, 6 xhami. Në 28 xhami faleshin vetëm xhumatë, në 56 xhami faleshin vaktet pa xhuma. Xhamitë kishin gjithsej 99 nëpunës.
Gjilani me rrethinë
Numëronte gjithsej 64 xhami, 53 xhami ishin në gjendje të mirë, 1 xhami ishte në gjendje gjysmë të mesme, dhe 10 xhami ishin në gjendje të mesme. Me minare ishin 26 xhami, pa minare 38 xhami. Të gjitha xhamitë ishin të mbuluara me tjegulla. Me material të fortë ishin të ndërtuara 53 xhami, me material të dobët 11 xhami. Qyteti kishte 4 xhami, ndërsa katundet 60 xhami. Të gjitha xhamitë ishin të ndriçuara me vajgur dhe qirinj. Deri në vitin 1912 janë ndërtuar45 xhami, deri në vitin 1930 janë ndërtuar 7 xhami, dhe deri në vitin1940 janë ndërtuar 12 xhami. Në 12 xhami janë falur xhumatë dhe here pas here edhe vakte të tjera, në 30 xhami nuk janë falur xhumatë, po falej ndonjë vakt, në 2 xhami janë falur xhumatë dhe teravitë, në 15 xhami është falur vetëm xhumaja, dhe në 5 xhami nuk është falur asnjë vakt. Nëpunës të xhamive ishin gjithsej 67.
Ulqini me rrethinë
Numëronte gjithsej 24 xhami, në gjendje të rregullt ishin të gjitha. Me minare ishin 13 xhami, ndërsa pa minare 11 xhami. Të gjitha xhamitë ishin të mbuluara me tjegulla dhe të ndërtuara me material të fortë. Në qytet ishin të ndërtuara 7 xhami, në katunde 17 xhami. Të ndriçuara me elektricitet ishin 2 xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj 22. Të gjitha xhamitë janë të ndërtuara para vitin 1912. Falja e xhumave dhe e vakteve të herëpashershme bëhej në 19 xhami, pa xhuma nuk ishte asnjë xhami, xhumatë dhe teravitë faleshin në 4 xhami, dhe vetëm teravitë faleshin në një xhami. Gjithsej ishin 34 nëpunës.
Skenderaj
Me rrethinë: numëron gjithsej 10 xhami, në gjendje të mirë ishin 9 xhami, në gjendje të mesme 1 xhami. Me minare ishin 3 xhami, pa minare 7. Të mbuluara me tjegulla ishin të gjitha, me material të fortë ishin të ndërtuara 9 xhami, ndërsa me material të dobët ishte vetëm
1. Të gjitha xhamitë e Skenderajve ishin të shtrira vetëm në katunde. Të ndriçuar me elektricitet nuk kishte asnjë xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj ishin 10 xhami. Deri në vitin 1912 kanë qenë të ndërtuara 8 xhami, deri në vitin 1930 1 xhami dhe deri më 1940 ka qenë e ndërtuar 1 xhami. Falja e xhumave dhe e ndonjë vakti tjetër bëhej në 2 xhami, falja e xhumasë dhe e teravive bëhej në 5 xhami, vetëm me xhuma ishin 2 xhami, vetëm teravitë faleshin në 1 xhami, pa asnjë falje nuk ishte asnjë xhami.
Prishtina me rrethinë
Numëronte gjithsej 38 xhami, në gjendje të mirë janë 24 xhami, në gjendje gjysmë të mesme 12 xhami, dhe në gjendje të mesme 2 xhami. Me minare janë24 xhami, pa minare 14 xhami. Të mbuluara me alumin ishin 5 xhami, ndërsa 38 xhami janë të mbuluara me tjegulla; me material të fortë ishin të ndërtuara 23 xhami, me material të dobët 15 xhami. Qyteti i Prishtinës kishte 15 xhami, ndërsa katundet 23 xhami. Të ndriçuara me elektricitet ishin 8 xhami, me vajgur dhe qirinj 30 xhami. Deri në vitin 1912 janë ndërtuar 35 xhami, deri në vitin 1930 janë ndërtuar 2 xhami dhe deri në vitin 1940 është ndërtuar 1 xhami. Falja e xhumave dhe e vakteve herë pas here bëhej në 14 xhami, pa xhuma ishin 5 xhami, me xhuma dhe teravi 16 xhami, vetëm me xhuma 1 xhami, dhe pa asnjë vakt apo falje asnjë xhami. Nëpunës të xhamive gjithsej ishin 73.
Gostivari me rrethinë
Numëronte gjithsej 53 xhami, në gjendje të mirë ishin 43 xhami, në gjendje gjysmë të mesme 8 xhami dhe në gjendje të mesme 2 xhami. Me minare janë 45 xhami, pa minare janë 8 xhami. E mbuluar me bakër 1 xhami, ndërsa 52 xhami ishin të mbuluara me tjegulla. Me material të fortë ishin të ndërtuara 43xhami, me material të dobët ishin 10 xhami. Qyteti kishte 6 xhami, ndërsa katundet 47 xhami. E ndriçuar me elektricitet ishte vetëm 1 xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj janë 52 xhami. Deri në vitin 1912 janë të ndërtuara 52 xhami, dhe deri në vitin 1940 ishte ndërtuar vetëm 1 xhami. Xhumatë dhe vaktet herë pas here faleshin në 11 xhami, në 36 xhami nuk faleshin xhumatë fare, me xhuma dhe teravi 6 xhami. Nëpunës ishin gjithsej 53.
Ferizaj me rrethinë
Numëronte gjithsej 29 xhami, në gjendje të mirë ishin 24 xhami, në gjendje gjysmë të mesme janë 5 xhami. Me minare ishin 4 xhami, pa minare ishin 25 xhami. Të gjitha xhamitë ishin të mbuluara me tjegulla. Me material të fortë ishin të ndërtuara 24 xhami, ndërsa me material të dobët 5 xhami. Qyteti kishte vetëm 2 xhami, ndërsa katundet 27 xhami. Të ndriçuara me elektriciteti ishin vetëm 2 xhami, ndërsa me vajgur dhe qirinj 27 xhami. Deri në vitin 1912 ishin të ndërtuara 22 xhami, deri në vitin 1930 5 xhami dhe deri në vitin 1940 janë ndërtuar 2 xhami. Falja e xhumave dhe herë pas here e vakteve bëhej në 14 xhami, në 2 xhami faleshin vaktet pa xhuma, në 12 xhami faleshin xhumatë dhe vaktet e rregullta dhe në 1 xhami falej vetëm xhumaja. Nëpunës të xhamive gjithsej ishin 28.(5)
Mbështetur në këto të dhëna arkivore mbi ekzistimin dhe funksionimin e xhamive në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze, mund të konstatojmë se aty bëhet fjalë për një organizim dhe rrjet shumë të gjallë veprues në aktivitetet fetare islame, dhe për një numër mjaft të madh të xhamive në atë periudhë. Në bazë të statistikave, del se shumica e xhamive kanë qenë të ndërtuara me material të fortë. Po ashtu nga këto të dhëna kuptojmë se shumica e xhamive kanë qenë të ndërtuara në periudha të hershme historike – para vitit 1912. Nga këto të dhëna burimore mësojmë se në shumicën e xhamive, përveç xhumave, faleshin edhe namazet e vakteve të tjera, një dukuri që, për fat të keq, nuk ndodh sot me atë masë në xhamitë tona. Për sa i përket faktit se në atë kohë nuk falej xhumaja në disa xhami, mendojmë se ishte pasojë e mungesës së kuadrit të mjaftueshëm profesional.
Të dhënat në hollësi për secilën xhami, si ato që i gjetëm në dokumentet e administratës së asaj periudhe, vështirë që mund t’i gjejmë në ditët tona në shumë institucione fetare apo jofetare. Kam përshtypjen se ky efikasitet i punës dhe ky përkushtim aq serioz dhe i përpiktë në administratën fetare, ishte trashëguar kryekëput nga efikasiteti dhe disiplina e punës e periudhës së Perandorisë Osmane.
_____________
1) A.Q.SH.Fondi. 882, V. 1944, dok. 80, fl.19.
2) Po aty.
3) A.Q.SH.Fondi. 882, V. 1944, dok. 80, fl.16.
4) Po aty, fl.17.
5) AQSh, fondi 882, viti 1944, dokumenti 80, fl.18/1.
Prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi