3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Startup-et më të mëdha në botë për vitin 2021

Më të lexuarat

Kompanitë miliardëshe të teknologjisë…

 

Shumë sipërmarrës fillojnë biznese në mbarë botën, por vetëm kompanitë e reja më të suksesshme arrijnë të bëhen “unicorns”*, të vlerësuara mbi 1 miliard dollarë.

Disa kompani të tilla janë më pak të njohura dhe ecin përpara pa bërë shumë zhurmë, por me një ndikim të madh në fushat e softuerëve, kujdesit shëndetësor, sektorin atomobilistik, etj. Kompani të tjera janë bërë tashmë liderë të njohur të industrisë, si për shembull prodhuesi i mjeteve të hapësirës ajrore SpaceX, si dhe zhvilluesi dhe tregtuesi i lojërave Epic Games.

Në total, ka më shumë se 800 startup-e në mbarë botën që janë kthyer në kompani miliardëshe.

Startup-et private me vlerë mbi 10 miliardë dollarë

Vlera e startup-eve miliardëshe më të shquara në botë ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, teksa ato kalojnë në faza të ndryshme financimi ose maturimi.

Në dhjetor të vitit 2021, kishte 35 startup-e që vlerësohen mbi 10 miliardë dollarë, të shpërndara në vende dhe industri të ndryshme.

   

Pjesa më e madhe e startup-eve të vlerësuara më shumë janë tashmë gjigantë në fushat e tyre. Për shembull, kompania e mediave sociale Bytedance është zhvilluesja e platformës së rrjetit video Douyin dhe e versionit të saj ndërkombëtar, TikTok. Ajo është vlerësuar në 140 miliardë dollarë.

Kompania e shërbimeve financiare dhe softuerëve të pagesave Stripe bëri një kapërcim nga vlerësimi prej 36 miliardë dollarësh, në 95 miliardë dollarë, gjatë rrjedhës së pandemisë COVID-19.
Edhe emra të kompanive më pak të dëgjuara në rang global, si për shembull fintech-u suedez Klarna (45.6 miliardë dollarë) dhe platforma australiane e dizajnit grafik Canva (40.0 miliardë dollarë) janë shumë të njohura në fushat e tyre përkatëse.

Por, vlerësimet private nuk zgjasin përgjithmonë. Shumë prej këtyre kompanive vendosin përfundimisht të bëhen publike, si për shembull prodhuesi i automjeteve elektrike dhe konkurrenti i Tesla-s, Rivian, i cili vlerësohej me 27.6 miliardë dollarë përpara se të listohej në NASDAQ.

 

Startup-et më të mëdha sipas industrive dhe vendeve

Segmentimi i startup-eve më të mëdha në botë sipas industrisë tregon se teknologjia mbetet ende e para në shumicën e qarqeve të investorëve.

Më shumë se 77% e kompanive startup me vlerë mbi 10 miliardë dollarë kategorizohen drejtpërdrejt në fusha të lidhura me teknologjinë, kryesisht në softuerët financiarë dhe tregtarë.
Madje, edhe shumë prej startup-eve miliardëshe që nuk kategorizohen në fushën e teknologjisë, në thelbin e tyre janë kompani teknologjike.

Në fakt, kompania e logjistikës dhe shpërndarjes së pakove në Indonezi, J&T Express, është një nga të paktat startup-e e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me fushën e teknologjisë, megjithëse përdor renditjen e automatizuar në magazinat e saj.

Ajo ishte një nga të paktat startup-e që nuk vinte nga një vend si SHBA-ja apo Kina, të cilat së bashku përbënin mbi 70% të 35 startup-eve më të mëdha. Mbretëria e Bashkuar (me 3 startup-e në listë) ishte vendi i radhës i listuar më shpesh, ndërsa Australia, Brazili, Gjermania, India dhe Suedia kishin secila nga një startup me vlerë mbi 1 miliard dollarë në këtë listë.

Me vlerësimet që luhaten vazhdimisht dhe përparimet teknologjike që sjellin gjithmonë risi, startup-i i ardhshëm prej 10 miliardë dollarë mund të jetë nga pothuajse secili vend i botës.

 

*”Unicorn” është një term që përdoret në industrinë e ‘venture capital’ për të përshkruar një kompani startup private me vlerë mbi 1 miliard dollarë

Visual Capitalist

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit