3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Stano: Deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap të Kurtit për de-eskalimin e situatës në veri

Më të lexuarat

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell ka marrë një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me hapat e propozuar për de-eskalimin e situatës në veri.

Kurti ka thënë të martën se në mëngjes është takuar me ambasadorët e QUINT-it për të prezantuar propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai ka thënë se këtë propozim e ka ndarë paraprakisht me Borrellin.

Stano, në një përgjigje për Telegrafin, tha se si gjithmonë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së do të përgjigjet [në letrën e Kurtit] përmes kanaleve të duhura.

“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap të vendosur dhe të menjëhershëm nga kryeministri Kurti të nevojshëm për deeskalim të situatës”, tha Stano.

Ai tha se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe se kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë popullit në Kosovë.

“Ne ndamë me shtetet anëtare të BE-së një mori të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të ulur tensionet”, tha Stano, për Telegrafin.

Ai gjithashtu tha se diskutimet midis vendeve anëtare të BE-së janë duke vazhduar dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe të vendeve anëtare të BE-së.

Kryeministri Kurti tha sot se e ambasadorët e QUINT-it ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend, dhe propozimin e qeverisë në lidhje me de-eskalimin në katër komunat në veri.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit