9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Stacionet e pastrimit të gjynaheve

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Stacionet e pastrimit të gjynaheve

Xhenneti është një vend, në të cilin do të hyjnë vetëm ata që janë të pastër nga gjynahet. Të mos ketë as dhe një gjynah. Nuk lejohet që në xhenet të hyjë dikush me përgojime, me fyerje,me shikime haram, dikush që ka marrë pasurinë e të tjerëve pa të drejtë.  Në xhenet duhet të hysh i pastruar nga çdo gjynah, sado qoftë. Këtë e thotë vetë Zoti në Kuran, ku melekët do tu thonë banorëve të xhenetit:
 “paqja qoftë mbi ju, jeni pastruar (nga gjynahet), prandaj hyni në të ku do të jeni të përjetshëm”.  (Zumer, 73)
Kushti për të hyrë në xhenet, është që të jesh i pastër nga çdo gjynah. Po kush prej nesh është i pastër dhe pa gjynahe ?  Asnjëri prej nesh. Meqënëse nuk ka njeri që të mos gabojë, Zoti ka caktuar 11 stacione pastrimi të gjynaheve. Këto stacione janë 4 në këtë botë, 3 në jetën e varrit dhe 4 pas ringjalljes së njerëzve. Nëse këto të pastrojnë nga ato gjynahe që ke bërë,  do të hysh në xhenet. Por nëse pasi të kalosh këtë stacione dhe akoma do të kesh gjynahe, patjetër që do të hysh në zjarr.
Le t’i përmendim secilin me rradhë, të cilat do të përfundojnë para kalimit të urës së Siratit. Kur të arrish tek Sirati, ose do të jesh pastruar dhe do të kalosh, ose nuk je pastruar dhe do të biesh brenda.
Sirati është më i hollë se fija e flokut dhe më i mprehtë se shpata. Ai që do të kalojë, do e gjejë derën e xhenetit  para vetes,do e marrë profeti a.s për dore dhe do e çojë në pallatin e tij në xhenet.
Tregon profeti a.s rreth njerëzve që do të kalojnë Siratin: “.. do të ketë njerëz që e kalojnë Siratin sa hap e mbyll sytë. Të tjerë do e kalojnë si rrufeja. Të tjerë si era, të tjerë do të ecin këmbadorazi dhe disa të tjerë barkazi. Do të ketë nga ato që do të kapen pas Siratit, por melekët do ti tërheqin drejt tij. Do të ketë të tjerë që do të bien brenda tij…”
 
Stacionet dhe mjetet me të cilat do të pastrohesh o besimtar, me qëllim që të mos hysh në zjarr jënë katër në këtë botë, tre në jetën e varrit dhe katër pas ringjalljes. Ato të kësaj bote janë:
1- Teubja ose pendimi, i cili është stacioni i parë, me të cilin Zoti do t’ua fshijë gjynahet njerëzve. Thotë Zoti në Kur’an:“Pendohuni të gjithë tek Allahu o besimtarë, që të gjeni shpëtim”. (Nur, 31)
Le të pendohemi për të gjitha gjynahet, në mënyrë të përgjithshme. Sikur të pendoheshim çdo ditë për gjynahet që bëjmë, nuk do të kishim nevojë për stacionet e tjera.
2- Istigfari (të thuash “estagfirullah” që do të thotë “o Zot më fal”). Ndryshimi i istigfarit me pendimin qëndron në atë se istigfari është për të gjitha gjynahet që i di dhe ato që nuk i di. Profeti a.s bënte istigfar më shumë se 70 herë në ditë. Në një hadith ai thotë:”Kush i lutet Zotit që ta falë (bën istigfar) në mënyrë të vazhdueshme, për çdo hall Zoti do t’i japë zgjidhje, do t’ia largojë gjërat që e proekupojnë dhe do ta furnizojë nga nuk e pret”.
3- Veprat e mira që i fshijnë ato të këqiat.
Një njeri, në kohën e Profetit, kishte puthur një grua që nuk i lejohej dhe shkon dhe i tregon Profetit (a.s.)  se ç’të bënte. Por Profeti (a.s.) i kthen shpinën i  zemëruar. Atëherë zbriti ajeti i mëposhtëm:“Fale namazin në dy skajet e ditës dhe në orët e natës. Veprat e mira i shlyejnë ato të këqiat…”  (Hud, 14)
Kur e dëgjoi këtë ky njeri, i tha Profetit (a.s.): “A vetëm për mua është kjo o Profet, apo për të gjithë njerëzit?”  “Është për ty dhe për të gjithë njerëzit” – i tha Profeti.
Që të jesh musliman nuk do të thotë që të jesh i pagabueshëm dhe të mos kesh gjynahe, por të dish se si të veprosh pas gjynahit. Të pendohesh dhe të bësh një të mirë që ta fshijë gjynahin. E mira mund të jetë dy rekat namaz, të falesh në xhami, lëmoshë që u jepet të varfërve
4- Fatkeqësitë që i fshijnë gjynahet. Për këtë, Profeti a.s. thotë:”Është për t’u habitur me çështjen e besimtarit. Çdo gjë për të është në të mirën e tij dhe kjo nuk është veçse për besimtarin. Nëse i jepet një mirësi, ai falenderon Zotin dhe kjo do të jetë në favor të tij. Nëse e prek diçka e keqe, ai duron dhe përsëri është në favor të tij”.
 “Besimtari mund të sëmuret dhe kur çohet prej saj, i janë falur gjynahet”.
Kujt i vdes ndonjë i afërt apo i bien fatkeqësi të tjera, le të durojë se do të shpërblehet për durimin. Sa mirë do të ishte sikur t’i shfrytëzonim këto mundësi në këtë botë dhe të ishim të qetë në botën tjetër. Por ne kemi harruar veten tonë. Nëse nuk do na pastrojnë nga gjynahet këta 4 stacione në këtë botë, Zoti na ka caktuar dhe 3 të tjerë në jetën e varrit.
1- Namazi i xhenazes, i cili shërben për faljen e gjynaheve të të vdekurit. Prandaj, kujt i vdes ndonjë i afërt, le të mbledhë sa më shumë njerëz fetarë për t’i falur xhenazen, gjë për të cilën i vdekuri ka shumë nevojë.
2- Frika dhe tmerri që ndjen njeriu gjatë qëndrimit në varr. Ngaqë është i vetëm, do të japë llogari para dy melekëve, do të jetojë në varr me krimbat, gjarpërinjtë, errësirën e varrit etj…, e gjitha kjo do të jetë shkak për pastrimin e gjynaheve. Kjo nëse nuk je pastruar akoma. Kurse nëse je pastruar nga gjynahet qysh në dynja, me pendim, istigfar dhe vepra të mira, nuk do ndjesh frikë dhe tmerr në varr.
3- Punët e mira që të gjallët ua dhurojnë të vdekurve. Shihni se ç’mëshirë të madhe ka Krijuesi për robërit e Tij. Edhe pasi të vdesë, ka bërë të mundur që të përfitojë nga të gjallët besimtarë, të cilët luten, japin sadaka etj… për të vdekurin e tyre dhe e gjitha kjo i arrin të vdekurit dhe ia lehtëson vështirësitë. Dijetarët kanë rënë dakort që 4 gjëra janë ato që i arrijnë të vdekurit nga i gjalli:  haxhi, umreja, sadakaja dhe lutjet. Të gjitha këto të ndihmojnë të pastrohesh nga gjynahet.
Një person tregonte se kishte takuar në haxh një njeri, i cili po kryentë haxhin për Ibnu Hazmin El Endelusin (i cili ka jetuar para 1200 vjetësh), sepse kishte dëgjuar se nuk e kishte kryer haxhi gjatë jetës së tij. Thotë Profeti (a.s.) në një hadith rreth kësaj :
 “Kur vdes njeriu i ndërpritet çdo punë, veç tre gjërave: një sadaka që vazhdon ( p.sh ka nxjerrë një pus ku pijnë ujë njerëzit, apo ka hapur një rrugë),  një dije që ka lënë me të cilën kanë dobi njerëzit dhe një fëmijë besimtar që lutet për të”.
Nëse do të ketë njerëz që akoma nuk janë pastruar nga gjynahet, përsëri Zoti nuk do ta lërë, por ka caktuar për të dhe katër stacione të tjerë.
1- Frika dhe tmerri që do të përjetojnë njerëzit në ditën e gjykimit. Do të ulet dielli mbi kokat e njerëzve, do të shpërthejnë detrat, do të përplasen yjet etj. Të gjitha këto vuajtje do jenë pastruese të gjynaheve të njerëzve.
2- Paraqitja  dhe qëndrimi para Zotit, gjë e cila do të jetë më e vështira. Do të qëndrojmë para Tij dhe do të na pyesë për ato punë që kemi vepruar në këtë dynja. Do na thotë “hape librin e veprave të tua dhe lexoji ato që ke vepruar në dynja”. “O filan, a nuk më pate aspak frikë kur e bëre këtë gabim? A nuk e ndjeve që Unë të shikoj dhe të dëgjoj? A nuk të dhashë mirësi dhe ti i përdore ato për gjynahe?! Përse fshihesh prej njerëzve, dhe nuk të shqetësonte fakti që dhe Unë të shikoj?”
Ali ibnu Ebi Talibi thotë se do të ketë njerëz që do t’u bjerë mishi i fytyrës copa copa prej turpit kur të qëndrojë para Zotit. Disa të tjerë do të thonë: “O Zot, më mirë na ço në zjarr se sa të dalim para Teje”.
10- Shefati (ndërmjetësimi) i Profetit (a.s.).
 “çdo profeti ka një lutje që i pranohet tek Zoti. Profetët tjerë e kërkuan tu plotësohej në këtë botë, kurse unë e kam vonuar për umetin tim ditën e kijametit”
11- Falja e Zotit, i cili do të thotë ditën e kijametit: “Ndërmjetësuan melekët, ndërmjetësuan profetët, ndërmjetësuan dhe besimtarët për njerëzit e tyre të afërt, ndërmjetësoi dhe i dashuri im, profeti Muhamed. Tani është rradha e faljes sime.  Saqë edhe shejtani  – thotë Profeti (a.s.) – do të zgjatet në majë të gishtave me shpresë se mos e arrin falja e ZOTIT edhe atë.
Por përsëri do të ketë njerëz, të cilët nuk janë pastruar dhe që do të hyjnë në zjarr. Ç’farë gjynahesh paskan bërë këta vallë? Pas gjithë këtyre stacioneve për pastrimin e gjynaheve dhe të mos pastrohesh? Këta do të futen në zjarr që të pastrohen, ashtu si floriri, i cili do temperature të lartë deri sa të pastrohet dhe të mbetet flori i pastër.
Nga të gjitha stacionet që përmendëm, ato që i ka në dorë njeriu janë vetëm tre të parat: Pendimi, istigfari dhe punët e mira. E lusim Allahun e madhëruar që të na bëjë nga ata që do t’u pastrohen gjynahet qysh në këtë botë.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit