-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Sqarimi i turpshëm i “KMSH” – Justinian Topulli

Më të lexuarat


Së pari, pagesën që u merret turistëve për hyrjen në xhaminë e Ethem Beut duhet ta sqarojë kryesia e KMSH, sepse ajo xhami siç na është thënë nga Myftinia e Tiranës, ka specifikë të veçantë dhe varet direkt nga kryesia, kështu që stafi i xhamisë nuk ka asnjë tagër institucional të sqarojë një vendim që nuk u përket atyre.

Së dyti, në vend që të sqaronin nga ana fetare argumentet sheriatike se si është e mundur që lejohet një turp i tillë, profili i mëposhtëm pa asnjë tagër fetar sheriatik në emër të stafit të xhamisë na tregon se bileta na qenka kontribut vullnetar që u jepka me dëshirë nga turistët, ndërkohë që në realitet janë parë raste kur personi që mblidhte paratë pa pikë turpi dhe etike u ka kërkuar para jo vetëm të huajve. Si mund të jetë kontribut vullnetar kur ai që merr paratë u del para njerëzve me bileta në dorë dhe u kërkon të paguajnë?! Nuk u vjen turp këtyre njerëzve që gënjejnë në këtë mënyrë?!

Së treti, cilat janë argumentet fetare që e përligjin këtë pazar në xhami? Praktika e njohur botërisht- thonë! Po nuk u vjen turp këtyre njerëzve që e mbajnë veten për hoxhallarë dhe drejtues të fesë kur japin të tilla justifikime të ulëta?! Këto praktika botërore që këta thonë janë kaq të rralla dhe janë turp i botës dhe për më tepër për to nuk ka asnjë argument fetar. Nëse nesër gjenden nëpër botë praktika të tjera për të cilat nuk ka përligjje fetare, këta do të justifikohen përsëri me to?! Me këtë justifikim do të dalin para Allahut? Atëherë le t’i marrin për mbrojte “praktikat botërore” para Zotit, Ditën e Kiametit, dhe do të shohin sesa iu vlejnë!

I sfidoj publikisht të japin argumente fetare për këtë veprim.

Së katërti, Myftinia e Tiranës me që paska qenë ajo që e paska marrë këtë iniciativë, pse nuk është konsultuar me Këshillin e Myftinës që ajo ka pikërisht për këtë gjë, por e ka bërë fakt të kryer pa pyetur minimalisht atë që statuti i KMSH e ka përcaktuar si organ konsultues të Myftinisë?! Apo kemi të bëjmë në fakt me një vendim arbitrar të saj, si edhe në mjaft raste të tjera.

Së pesti, arka e xhamisë së Ethem Beut është e vetmja arkë në të gjithë xhamitë e Republikës që mbledh të ardhura nga donacionet e njerëzve më shumë se çdo xhami tjetër, të ardhura këto që mjaftojnë dhe teprojnë për shpenzimet e xhamisë. Kështu që xhamia nuk ka nevojë për të tilla bileta turpi, qofshin edhe me shumën modeste 1 euro.

Së gjashti, t’iu vijë turp të gjithë atyre imamëve dhe besimtarëve që i bëjnë like miratues këtij sqarimi të turpshëm, që është më skandaloz sesa vetë pazari që bëjnë me xhaminë.

Së fundi, relativizimi që i bëhet akteve të tilla të turpshme duke u ngecur tek gjëra krejt anësore, siç janë keqkuptimet apo teprimet tragjikomike që bëjnë njerëzit, është turp më vete. Turpi i gylenistëve të KMSH me këtë akt nuk mund të mbulohet dhe justifikohet me pasojat e reagimeve që ka sjell ky akt.

Kryesia e KMSH duhet urgjentisht të anuloj një vendim të tillë dhe të kërkojë ndjesë për këtë akt të turpshëm, dhe të marrë masat që ajo xhami të bëhet një vend i mirëfilltë predikimi që përçon vërtetësinë e Islamit dhe mirësinë e muslimanëve të këtij vendi, dhe jo të na nxijnë fytyrën me të tilla turpe.



https://www.facebook.com/XhamiaEthemBeu/photos/a.541117992697965/2442316569244755/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit