Autor: Ilmi Rexhepi
Ndryshe nga gjuhët e mëdha botërore në të cilat Kurani është përkthyer që herët, për gjuhën shqipe u desh të vinin vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar që të përkthehej në të në tërësi Kurani i madhëruar dhe në vend se në Shqipërinë Londineze, ku kryesisht janë përkthyer në shqip kryeveprat botërore, u përkthye në trevat ku bie sot Kosova.
Mund të thosha shkurt “u përkthye në Kosovë…” dhe sot shumëkujt do t’i dukej më e qartë, më e drejtpërdrejtë, por unë s’mund ta parapëlqej këtë qartësi kur fjala është për Hasan Nahin, i cili jetën e kaloi duke bindur bashkatdhetarët që Kosova ishte Shqipëri dhe nuk më kushtojnë gjë tri fjalë më shumë që ta përcaktoj me saktësi dhe drejtësi ideologjike vendin që për ta ruajtur këtë vend shqiptar dhe fetar Hasan Nahit iu desh, jo veç t’ i thoshte tri fjalë të tërthorta më shumë, por ta jetonte krejt jetën të tërthortë duke mbështetur ashtu shkollën shqipe moralisht, duke dhënë kontribut iluminist e fetar me ligjërime nëpër xhami, me aktivitet edukativo-arsimor në medrese dhe me përkthimin e Kuranit, prandaj kujtimin e figurës dhe të veprës së tij e shoh edhe si promovim të rrugëve origjinale e ideale të jetës e për të cilat ka kaq shumë nevojë shoqëria jonë e gjendur në rrethana krejtësisht të reja dhe të mjegullta.
Kaq sa u përket elementeve idealo-biografike dhe po i kthehem përmbajtjes së temës të paralajmëruar në titull, në fjalët e para rreth së cilës përmenda që përkthimi i Kuranit krahasimisht përbën eveniment të pazakontë si nga koha, ashtu edhe nga vendi ku u përkthye.
Por, ndonëse në shqipen Kurani në tërësi u përkthye relativisht vonë në krahasim me gjuhët e mëdha botërore, kjo nuk i mohon gjuhës shqipe aftësinë që, në të, të mund të përkthehet Kurani më rrokshëm dhe më me sukses sesa në gjuhët e mëdha, folësit e të cilave nuk janë myslimanë, sepse feja islame ka shekuj që për shqiptarët është fe tradicionale, nocionet, vlerat dhe praktikat e saj janë bërë pjesë e kulturës së përgjithshme popullore të shqiptarëve dhe një pjesë e madhe e nocioneve islame janë mbuluar me terma qoftë duke i huazuar nga arabishtja, turqishtja e persishtja dhe qoftë duke fjalëformuar me brumë të shqipes.
Krahas përparësisë që ka për shkak të leksikut fetar dhe të gatishmërisë receptive të folësve të saj, gjuha shqipe, sikurse arabishtja gjuha e origjinalit të Kuranit, është gjuhë që ka ruajtur lakimin dhe ka sintaksën me rend të lirë të fjalëve në fjali, gjë që mundëson theksimin e nuancave të holla kuptimore, për të cilat shquhet Kurani i madhëruar. Prandaj, po të paramendojmë përkthyes që njohin njëjtë mes vete Kuranin dhe gjuhët e veta përkatëse, do të ishte krejt e natyrshme që në gjuhën shqipe Kurani të dilte më i përmbajtur sesa në gjuhët angleze, gjermane,frënge, italiane, turke, boshnjake…
Po si është realizuar përkthimi nga Hasan Nahi dhe cilës metodë përkthimi i është përmbajtur?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje po përpiqem ta gjej duke identifikuar disa karakteristika, parime, kritere dhe zgjidhje të dhëna që dalin nga analiza e tekstit përkthim.
- Pjesëmarrja e vetëdijes teorike për metodat e përkthimit.
Që të përcaktohet nëse ka pasur pjesëmarrje të vetëdijes teorike për metodat e përkthimit dhe ç’lloj ka qenë e në ç’masë është shtrirë ajo vetëdije në procesin e përkthimit; fatmirësisht na dalin në ndihmë pohimet e vetë Hasan Nahit në hyrje të përkthimit të tij, ku thotë:
“Është detyrë e dijetarëve fetarë për ta përkthyer Kuranin në gjuhën e popullit të vet. Përkthimi i Kuranit bëhet në dy mënyra: përkthimi me komente dhe përkthimi tekstual…”(1)
Pjesëmarrja e vetëdijes teorike për çdo fushë shkencore quhet përparësi, pasurim dhe begatim, siç thotë Rexhep Qosja:
“Në këtë pikëpamje është e drejtë të thuhet se te shkrimtari që ka prirje, që është i pajisur me dituri dhe shije të formuar, pjesëmarrja e vetëdijes kritike në procesin krijonjës është më e madhe se ç’e pandehin ithtarët e teorisë idealiste mbi gjeniun dhe talentin.”(2)
Është e qartë, ndërkaq, që përkthimi, ndonëse i kufizuar në përmbajtje dhe pjesërisht në mjete gjuhësore, është krijim pasi në thelb ka idenë e riformulimit gjuhësor.
Duke mbajtur parasysh literaturën arabe të kohës së studimeve të Hasan Nahit në Egjipt dhe literaturën shqipe para përkthimit të Kuranit, nuk lihet shteg për të menduar se Nahi njihte e i përmbahej ndonjë teorie të përkthimit të Jakobsonit, jo se jo të Pierces, apo të ndonjë teoricieni tjetër perëndimor të traduktologjisë. Të kujtojmë që në botën arabe teoritë e tilla s’kanë bërë jehonë, aq më pak në qarqe me orientim fetar (shih Nahin: i referohet një debati me karakter didaktik të vitit 1932), në Shqipëri gjatë gjithë kohës së komunizmit kanë qenë të ndaluara dhe në Kosovë përmbajtje të gjuhësisë tekstore ka pasur vetëm në përkthime dhe reflektime të Rexhep Ismajlit.
Por, siç do të shtjellohet në vijim, përkthimin e Hasan Nahit e kanë udhëhequr disa parime që, po të identifikohen, do të përbënin një teori të mirëfilltë si përkthehet Kurani në gjuhë të tjera.
- Përkthimi- negocim dhe interpretim
Sipas Umberto Ekos, çdo përkthimi i paraprin negocimi me tekstin origjinal. Ai thotë:
“Dua vetëm të them edhe një që shumë koncepte që qarkullojnë në traduktologji (ekuivalenca, përputhja me qëllimin, besnikëria ose nisma e përkthyesit) për mua qëndrojnë në bazë të negociatës.”(3)
Ndryshe nga përkthimi i Sherif Ahmetit, i cili duket të negociojë më shumë përmes shkencës së tefsirit, përkthimi i Hasan Nahit negocion përmes shkencës së Usulifikhut, prandaj shumë hoxhallarëve që merren më ngushtësisht me çështje të fikhut u vjen më i përshtatshëm pikërisht përkthimi i Hasan Nahit. Shkenca e “Usulifikhut” është shkencë islame, një ndër kapitujt më të rëndësishëm të së cilës u kushtohen rregullave të nxjerrjes së kuptimeve nga teksti kuranor.(4)
Gjithashtu, ndërsa përkthyesit e tjerë negociojnë në masë të madhe përmes përkthimeve në gjuhë të tjera për të arritur te kuptimet e Kuranit, te Hasan Nahi kjo nuk duket. Tregues për këtë është edhe mungesa e kalkeve dhe e mënyrave të të thënit të gjuhëve të tjera në përkthimin e Nahit dhe prezenca e madhe e tyre në përkthimet tërësore të të tjerëve.
Fakti që negocion përmes shkencës së Usulifikhut, përkthimin ia bën interpretim. Ai nuk kërkon thjesht përgjegjëset (ekuivalentet) e fjalëve të Kuranit në shqip, por nxjerr kuptimin e tekstit pastaj e jep atë duke i ruajtur karakteristikat sintaksore të tekstit origjinal për aq sa e lejon kompetenca e vet gramatikore për shqipen. Të jepet vërejtja që termi kompetencë këtu u përdor jo në kuptimin e përgjithshëm të autoritetit, por në vështrimin strukturalist, sipas të cilit nënkupton vetëdijen e personit për rregullat gramatikore, qofshin ato të sakta apo të pasakta.
- Rrjedhojat deduktive kuptimore
Sfida më e rëndë e atij që ia mësyn përkthimit të Kuranit, nuk është, siç mendohet zakonisht, ta japë sa më të plotë kuptimin e origjinalit, por të pengojë të mos rrjedhin në përkthim kuptime që nuk përmbahen në origjinal, sepse shtimi i kuptimeve në krahasim me mosdhënien e plotë të tyre ka ndjeshmëri më të madhe fetare.
Në përkthimin e Hasan Nahit vërejmë kujdes të veçantë që nga teksti përkthim të mos rrjedhin deduktivisht kuptime të papërmbajtura në origjinal.
Le të krahasojmë përkthimin e katër ajeteve të sures “Elbekare”, si janë përkthyer nga Hasan Nahi dhe si kanë dalë ato pas redaktimit nga “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam”:
Përkthimi i Hasan Nahit:
“1.Elif, Lam, Mim.
- Ky libër, është i padyshimtë, udhëzues për të gjithë ata që i druajnë dënimit të Perëndisë.
- të cilët u besojnë gjërave të padukshme (në bazë të argumenteve mendore) dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që ju kemi dhënë;
- të cilët besojnë që të ka zbritur Ty (Kurani) dhe atyre para Teje (pejgamberëve tjerë) dhe që padyshim i besojnë jetës tjetër.”
Kurse përkthimi i tij pas redaktimit nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, duket kështu:
“1. Elif, Lam, Mim.
- Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit,
- të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne;
- dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.”
Vërtet, teksti i redaktuar nga Instituti, ndryshe nga teksti i parë, s’ka gabime gjuhësore dhe duket më i rrjedhshëm për shkak të organizimit të mirë sintaksor, por përkthimet për ajetin katër, në thelb, kanë dallim të ndjeshëm ndërmjet vete kuptimisht.
Ndërsa sipas tekstit të parë, përmbajtja e ajetit katër është shtjellim, sikurse edhe përmbajtja e ajetit tre, i fjalës “elmuttekin” (shprehur sipas analizës gramatikore arabe: fjala “el-ledhine-të cilët” është “matuf” për fjalën “el-ledhine” të ajetit tre, e cila është “sife” i fjalës “elmuttekin”, pra, sipas këtij përkthimi, fjalitë në ajetin katër vazhdojnë të shtjellojnë përmbajtjen e fjalës “elmuttekin- të devotshmit”, gjë që është interpretim i mbështetur nga interpretuesit autoritativë të Kuranit); në tekstin e redaktuar nga Instituti Shqiptar për Mendim dhe Qytetërim Islam te ajeti katër përemri dëftor “dhe për ata që” jepet si gjymtyrë homogjene me fjalën “elmuttekin-të devotshmit”, pra, sipas tekstit të paraqitur kështu, i bie që Kurani të jetë udhëzim edhe për ata që përmenden në ajetin tre, edhe për ata që përmenden në ajetin katër, si grup i veçantë, gjë që përbën interpretim të cilin, megjithë hulumtimin tim nëpër tefsire dhe libra që analizojnë gramatikisht Kuranin, nuk e kam hasur askund.
Vërtet, nëse në planin e realizimit gjuhësor të tekstit brenda shqipes, nuk mund të flasim me terma superlativë, sa i përket negocimit me Kuranin përmes Usulifikhut- nxjerrjes së kuptimeve të Kuranit , Hasan Nahi ka kryer me sukses një detyrë të rëndë dhe përkthimi i tij po bëhet referenca më kredibile për kuptimet e Kuranit në gjuhën shqipe.
- Veçimi i nivelit
Në përkthime të Kuranit në gjuhë të tjera ka pasur përpjekje që të bartet dhe ndonjë aspekt i stilit letrar të Kuranit, siç është përkthimi i përkthyesit Marmaduke Pickthal-i më 1930, që ka përkthyer Kuranin në një variant klasik të gjuhës angleze.(5)
Ndërkaq, në përkthimin e Hasan Nahit, si në shumicën e përkthimeve të Kuranit, synohet të përkthehet vetëm niveli kuptimor.
Kurani krahas nivelit kuptimor, ka nivelin stilistik, nivelin poetik, nivelin pragmatik, nivelin semiologjik, nivelin e sintaksës shprehëse… Në ballafaqim me një tekst të tillë shumështresor, edhe gjuhësia tekstore parapëlqen veçimin e nivelit të tekstit objekt-trajtimi, siç thotë Saussure-i:
“Objektet heteroklite mund të studiohen seriozisht vetëm nëse më parë bëhet njëfarë reduktimi metodik, i cili ka për detyrë t’i veçojë këto nivele dhe shtigje.” (6)
Reduktimi metodik i Hasan Nahit në përkthimin e tij është përzgjedhja dhe mjaftimi me përkthimin e nivelit kuptimor.
Nga gjithë sa u tha, mund të përgjithësohet që përkthimi i Hasan Nahit është përkthim ndërgjuhësor, i drejtpërdrejtë, i negociuar përmes shkencës së Usulifikhut që e bën interpretim dhe i reduktuar në nivelin kuptimor.
———————————–
Fusnotat:
- Hasan Nahi, Kurani i madhëruar (përkthim), Prishtinë, 1988, faqe 5 nga e majta.
- Rexhep Qosja, Kontinuitete, Rilindja, Prishtinë, 1972, faqe 220-221.
- Umberto Eko, Ta thuash gati të njëjtën gjë: Përvoja përkthimi, përkthyer nga Mariana Ymeri dhe Alketa Ylli, Dituria, Tiranë, 2006, faqe 18.
- Abdulvehhab Hal-laf, Ilmu-usulilfikh, botimi i njëzetë, Darulkalem, Kuvajt, kapitulli i tretë, nga faqja 140.
- Izzudin Muhammed Nexhib, Ususu-tterxhemeti, mektebetu-bni-sina, Kajro, 2001, faqe 200.
- Rexhep Ismajli, Shumësia e teksteve, Rilindja, botimi i dytë, Prishtinë, 1980, faqe 7