0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Spiunët…

Më të lexuarat

Mbrëmë, duke parë lajmet në “Al Xhazira”, sërish u dha lajmi se spiuni “kosovar agjent i MOSSAD-it” kishte pranuar fajin. Këtë e konfirmuan edhe mediat e tjera si CNN, Anatolya dhe mediat e shkruara.

Ka kohë që në Kosovë kanë ngritur kokë elementë të tillë që edhe djallit janë të gatshëm t’i shërbejnë vetëm e vetëm të kenë disa favore materiale, pa e vrarë mendjen se sa dëme mund t’i shkaktojnë jo vetëm shtetit, por edhe kombit në përgjithësi.

Ka muaj që një “Grup i Çubrilloviçëve” ka bërë propagandë psikologjike dhe mediale, si medemek “konvertime” nga një religjion në tjetrin, duke larë kokën në legena dhe me kukulla në dorë, e duke i proklamuar në media si “konvertim nga Islami në Katolik”. Po ky grup horrash e hallabakësh, që kanë humbur rrugën në oborr të vetin, dita-ditës po dëshmohet për lidhjet e tij me individë të dyshimtë në aktivitete serbe (me emra dhe mbiemra). Jo larg është fotografuar një makinë Golf e bardhë me targa të Beogradit para kishës së Llapushnikut, pra aty ku bëhen “konvertimet”. Pra kjo s’ka të bëjë as me Krishtin, as me Muhamedin, por thjesht me shërbimet e BIA-s serbe. Është program i Vaso Cubrilloviçit i shkruar, kur serbët të dështojnë në fusha të tjera, t’i përçajnë shqiptarët, duke u angazhuar në përçarjet fetare. Dhe ky grup palaçosh këtë po bën.

Kohëve të fundit, të njëjtat media promovojnë edhe kriminelët shërbëtorë të ish-UDB-së në ekranet e tyre televizive, pa pikë turpi. Me sa duket kanë marrë krah dhe nostalgjikët ish-jugosllavë dhe ish-UDB-ashët e saj.

Para disa javësh, u arrestuan nga organet e sigurisë së Kosovës dy agjentë shqiptarë kosovarë nga Ferizaj, si spiunë të BIA-s serbe. Tani së fundmi u arrestua ky agjenti i Mossadit në Stamboll për transferim parash për agjentët e saj në terren në Turqi, siç thuhet.

E gjithë kjo duhet të alarmojë organet e sigurisë së Republikës së Kosovës që të rrisin shkallën e aktivitetit dhe goditjeve ndaj këtyre dukurive të papranueshme, duke mos lejuar që Kosova të bëhet poligon i përplasjeve agjenturore. Spiuni është spiun, si ai që i shërben BIA-s, apo Mossadit, ose CIA-s, FSB-së, DGJF-së, FSB-së, apo shërbimeve sllavomaqedonase apo Asfalisë. Është krejt njësoj: ai që spiunon për njërin nuk e ka problem të spiunojë edhe për tjetrin. Spiuni mbetet gjithmonë spiun, pse jo dhe poliagjent.

Kjo duhet të alarmojë organet e sigurisë së Kosovës, e sidomos AKI-në dhe organet e tjera kompetente që të marrin masa të shpejta për parandalimin e kësaj dukurie negative për imazhin e Kosovës. Nuk mund të lejohen veprimtaritë agjenturore në territorin e Republikës, pavarësisht se të cilit shtet i takojnë.

Se për çfarë kanë shërbyer këto zyra paralele, për çfarë kanë shërbyer postat e Serbisë brenda Kosovës, për çfarë kanë shërbyer futja e dinarëve serbë me thasë në Kosovë, tanimë shihet qartë: dita-ditës dalin në sipërfaqe.

Kryeministri z. Albin Kurti duhet mbështetur në luftën e tij për pastrimin e terrenit nga institucionet paralele serbe që bëjnë punën e djallit dhe rivendosjen e ligjit në gjithë territorin e Republikës. Çdokush që jeton dhe vepron në Republikën e Kosovës duhet të njohë, të pranojë dhe t’i nënshtrohet ligjeve të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj. Ligji është i barabartë për të gjithë.

/Nga Eugen Shehu/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit