1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Spitali i Fierit që po ndërtohet nga Turqia: Qendër e ekselencës shëndetësore, punët po ecin si sahat

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe zyrtarë të tjerë vizituan në fundjavën e kaluar kantierin e ndërtimit të spitalit të Fierit, i cili po ndërtohet me mbështetjen financiare të Turqisë.

Duke publikuar një video në rrjetet sociale nga inspektimi, kryeministri Rama shkruan se një personel prej 50 personash, si menaxherë, mjekë e infermierë turq do të punojnë në këtë spital së bashku me personelin prej 320 mjekësh, infermierësh e punonjësish shqiptarë të shërbimeve mbështetëse.

Gjatë këtij inspektimi të pranishëm ishin edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Ministrja Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët do të vijnë nga Turqia “për të bërë transferimin e dijeve dhe teknologjisë”.

“…Ky spital do të ketë një teknologji bashkëkohore për sa u përket pajisjeve dhe aparaturave të cilat janë porositur dhe besoj që rreth fundit të marsit do të vijnë…”, u shpreh Manastirliu.

Vlen të përmendim se ndërtimin e një spitali në Fier e premtoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Ankara ndërkohë, punimet po realizohen nga kompania turke YDA Group.

Ndërsa, në një intervistë për ERTV-në nga kantieri i Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, Rama vlerësoi se gjithçka po funksionon si sahat zviceran.

“…Jam i lumtur me gjithçka se realisht po funksionon si sahat zviceran. Premtimin për ndërtimin brenda 3 muajve e ka dhënë Presidenti Erdogan, unë kam qenë i rezervuar, por me sa shoh, afati do tejkalohet, jo vetëm do të kapet…”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se absolutisht Spitali Rajonal Memorial i Fierit do të jetë pjesë e sistemit të shërbimit shëndetësor publik shqiptar, njësoj si gjithë spitalet e tjera, por do të administrohet krejt ndryshe.

“…Do të jetë një qendër pilot e transferimit të dijes dhe e vënies në funksion të autonomisë spitalore që me t’u implementuar këtu do të shtrihet edhe në spitalet e tjera. Që do të thotë që buxheti do të menaxhohet nga spitali, rrogat nuk do të jenë fikse njësoj për të gjithë, por mjekët dhe infermierët do të paguhen sipas performancës, pra sipas numrit të operacioneve, vizitave etj…”,- tha ai.

Rama tha se “paralelisht me punën në kantier vazhdon puna mes dy ekipeve të ngarkuara nga të dyja ministritë”.

“Sot kthehet ekipi nga Ankaraja ku kanë qenë për të finalizuar modelin. 50 persona menaxherë, shefa pavionesh, mjekë dhe infermierë për të bërë kryeinfermierët dhe shërbime specifike do të jenë turq dhe 320 do të jenë shqiptarë, mjekë dhe infermierë, të rinj e të reja që do të testohen dhe angazhohen prej tyre. Pranë tyre do të vendoset në skuadrën e menaxhimit edhe një numër i caktuar 2-3 kandidatë për të marrë në dorë menaxhimin kur të mbaroj tranzicioni që do të kenë mësuar mirë punën. Po kështu dhe pranë shefave të pavioneve e kështu me radhë. Gjithçka është sipas planit. I gjithë sistemi do të ndryshojë në këtë sens. Edhe Turqia kur ka nisur reforma e madhe e shëndetësisë ka nisur si këtu. Në fillim me risistemimin e infrastrukturës të spitaleve, me organizimi i linjave të furnizimit, me depot e barnave dhe pastaj është hyrë në fazën e autonomisë spitalore, siç po bëjmë ne sot”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarë të Fierit, iu përgjigj interesimit lidhur me mundësinë e hapjes së filialit të Universitetit të Mjekësisë në Fier.

Kryeministri theksoi se “ambicia jonë është për të sjellë këtu universitete që janë me nam, me emër, me reputacion të madh në vende të mëdha”.

“Hapi i parë është ardhja e Universitetit Teknologjik të Stambollit, një nga universitetet më me reputacion në Evropë, ku ne kemi pasur për 6 vjet eksperiencën e bukur të studentëve shqiptarë. Ardhja këtu do t’i japi mundësi shumë të rinjve shqiptarë që të shkojnë në një universitet ndërkombëtar por të mos ikin nga shtëpia dhe të kenë kosto më të ulëta se jashtë. Nga ana tjetër është një universitet që funksionon perfekt për tregun, nevojat e sotme të tregut që nga teknologjia e lartë te gjithë spektri i teknologjive të ndryshme duke krijuar një prurje ekspertësh për shumë aspekte të tregut që ka nevojë të madhe”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri tha se beson që “ne do të kemi edhe universitete të tjera që do t’i sjellim nga njëra anë duke hapur degë të veçanta përfshirë brenda universiteteve tona, ose duke qenë afërsisht brenda rrjetit të sistemit tonë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit