Specat e pjekur të shoqëruar me domate të skuqura janë një pjatë verore e shijshme. Në këtë stinë perimet janë të freskëta dhe të mira dhe me to mund të gatuajmë shumë pjata të ndryshme. Specat e gatuara në këtë mënyrë mund edhe ti përziejmë me makarona ose shoqërojmë një pjatë mishi.
Përbërësit për Speca me domate
1 spec i kuq i madh ose 4 të vegjël
1 spec i verdhë
1 spec jeshil
400 gr domate të freskëta
4 thelpinj hudhre
3 qepë të njoma
pak kripë
pak piper
pak majdanoz
3 lugë gjelle vaj ulliri
Përgatitja
Si fillim lajmë mirë specat dhe i thajmë me letër. Vendosim specat në zgarë të piqen.
Shiko këtu recetën për përgatitjen e specave në zgarë.
Më pas pasi i kemi qëruar mirë, i presim në copa.
Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe grijmë hollë qepën e njomë dhe hudhrën.
E kavërdisim pak derisa të zbutet. Më pas shtojmë domatet e prera në copa. Mbulojmë tiganin me kapak dhe e lemë të ziejë për pesë minuta.
Më pas shtojmë specat e prera, pak kripë e pak piper. Mbulojmë me kapak përsëri dhe e lemë të ziejë me zjarr të ngadaltë derisa të shohim që salca është lidhur.
Pasi është gati, në fund shtojmë majdanoz të grirë hollë dhe e trazojmë.
Hedhim specat me domate në pjatë dhe i shërbejmë.
kjo pjatë mund të shijohet edhe e ftohtë.