Në Mianmar, ku 135 grupe etnike njihen zyrtarisht, budistët fanatikë kundërshtojnë njohjen zyrtare të muslimanëve të Arakanit
– Mbi 80 për qind e muslimanëve të Arakanit të cilët që nga vitet e 70-ta i janë nënshtruar tiranisë dhe shtypjeve sistematike në Mianmar, kanë braktisur trojet e tyre në këtë vend dhe kanë migruar në shtetet e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas zëdhënëses së Komisariatatit të Lartë për Refugjatë pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Duniya Aslam Khan, mbi 500 mijë muslimanë të Arakanit kanë shkuar në Bangladesh që nga 25 gushti, për shkak të incidenteve të fundit të dhunës në Arakan.
Muslimanët e Arakanit, të cilët nga qeveritë e Mianmarit janë konsideruar si migrantë të ardhur nga Bangladeshi, në dokumente zyrtare ata emërohen si “Bengali”.
Përmes një ligji të miratuar në vitin 1982 ata humbën të drejtën për shtetësi dhe llogariten si popull “pa shtet”, teksa Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) i konsideron si “pakica më e persekutuar”. Ata njëkohësisht përballen me dhunë dhe me diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror.
Në Mianmar, ku 135 grupe etnike njihen zyrtarisht, budistët fanatikë kundërshtojnë njohjen zyrtare të muslimanëve të Arakanit.
Përleshjet që shpërthyen në vitin 2012 në Arakan mes budistëve dhe muslimanëve, aktualizoi dramën e muslimanëve Rohingya. Gjatë incidenteve, mijëra njerëz humbën jetën, shumica muslimanë, ndërsa qindra shtëpive dhe bizneseve iu vu zjarri.
Në operacionet e ushtrisë së Mianmarit që nisën tetorin e vitit të kaluar pas sulmeve ndaj disa pikave policore, muslimanët u ballafaquan me dhunë dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Caku kryesor i operacioneve u bënë civilët.
Ikja masive nga Mianmari
Për shkak të trysnive sistematike, muslimanët e Arakanit prej vitesh strehohen në vendet e rajonit, duke migruar në mënyrë që të mbijetojnë dhe të jenë të sigurtë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit dhe të dhënave të përafërta të përpiluara nga deklaratat e zyrtarëve të vendeve të rajonit, që nga vitet e 70-ta e deri në fillim të vitit 2017, mbi një milion e 100 mijë muslimanë të Arakanit janë detyruar t’i braktisin trojet e tyre.
Në këtë periudhë, 400 mijë muslimanë të Arakanit kanë migruar në Bangladesh, mbi 300 mijë në Pakistan, 300 mijë në Arabinë Saudite, 55 mijë në shtetet e tjera të Gjirit, mbi 100 mijë në shtetet e Azisë së Paqësorit me në krye Malajzinë dhe dhjetë mijë në Indi, përmes rrugëve legale apo ilegale.
Sipas një raporti me titull “Kriza e Komunitetit Rohingya” e Drejtorisë së Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e Civilëve dhe Ndihma Humanitare pranë Komisionit Evropian, numri i përafërt i popullsisë muslimane në Arakan në fillim të vitit 2017 ka qenë 800 mijë.
Data 25 gusht 2017 u bë pikë kthese për muslimanët e Arakanit.
Ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë, duke u arsyetuar me disa sulmet ndaj pikave kufitare në Arakan, filluan të ushtrojnë dhunë masive.
Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), mbi 500 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladeshin fqinj që nga 25. Në këtë mënyrë, numri i muslimanëve Rohingya në Bangladesh ka kaluar në mbi 900 mijë.
Spastrimi etnik detyroi ikjen e 84 për qind të muslimanëve
Pas ikjeve të fundit drejt Bangladeshit, supozohet se afër një milion e 600 mijë muslimanë të Arakanit ndodhen në shtetet e rajonit, kurse 300 mijë ende janë në Arakan.
Sipas këtyre të dhënave, 84 përqind e gjithsej 1.9 milionë muslimanëve të Arakanit kanë braktisur Mianmarin që nga vitet e 70-ta, ndërsa kanë mbetur vetëm 16 përqind.
Këto shifra tregojnë se muslimanët e Arakanit përballen me spastrim etnik.