1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Spasovski: Muret e larta nuk mund të zgjidhin çështjen e emigrantëve

Më të lexuarat

Me debatin mbi përmirësimin e menaxhimit me migrimin ndërkombëtar në bazë të të drejtave të njeriut përfundoi Sesioni vjeshtor i 15-të i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Debati filloi me adresimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski, i cili theksoi se problematika e migrimit tashmë në kontekstin global politik është faktor i cili doemos të jetë i kalkuluar në bashkëpunim ndërkombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Spasovski tha se vitin e kaluar i gjithë kontinenti evropian ishte dëshmitarë i një serioziteti, peshës dhe kërcënimit që dilnin si pasojë e valës së madhe të migrimit nga Lindja e Mesme. Ai shtoi se kjo gjendje qartë nxori në pah se është i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar, jo vetëm në drejtim të ndërtimit të besimit, por edhe në drejtim të intensifikimit të qasjes së përbashkët të koordinuar në ballafaqimin me migrimin.

“Dua të konstatoj se fakt i njohur i dal nga praktika, problemi me migrimin nuk mund të shikohet në mënyrë të izoluar. Muret e larta nuk mund të zgjidhin atë problem. Ngjarjet e vitit të kaluar tregojnë se nëse nuk ka qasje të përbashkët të sinkronizuar në nivel operativ dhe normativ, vështirësitë dhe kërcënimet ashtu sikurse do t’i ndajmë si shtete individulisht, do t’i ndajnë edhe njerëzit e pafat të cilët migrojnë”, deklaroi ministri Spasovski.

Rocco Gianuuca: Nevojitet bashkëpunim global për të drejtuar lëvizshmërinë e migracionit në bazë të të drejtave njerëzore

Ndërkaq, koordinator i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim i Ballkanit Perëndimor, Rocco Gianuuca, theksoi se humbja e jetëve të refugjatëve dhe emigrantëve gjatë vitit të kaluar u zgjerua së tepërmi dhe për këtë çështje siç tha ai, patjetër nevojitet një zgjidhje e përbashkët globale dhe afatgjate.

Gianuuca duke theksuar se migracioni është i vjetër aq sa qenia njerëzore dhe se lëvizshmëria e njerëzve nuk e merr atë vëmendje që meriton, përmendi tre sfida kryesore me të cilat ballafaqohet Organizata Ndërkombëtare për Migrim, ndër të cilat edhe sfidën e katastrofës humanitare.

“Kemi shumë emigrantë që vijnë në Evropë përmes Detit Egje dhe Detit Mesdhe. Këta emigrantë ballafaqohen me kërcënime dhe rreziqe të shumta ndër të cilët është edhe trafikimi me njerëz. Kjo na solli edhe në vdekshmërinë e shumë emigrantëve. Komuniteti ndërkombëtar ballafaqohet me sfidën për të ofruar një reagim efektiv gjithë kësaj. Kjo nuk është një çështje për t’i zgjidhur nevojat e emigrantëve, por duhet të ballafaqohemi edhe me mbrojtjen e këtyre njerëzve të shpërngulur. Patjetër duhet të gjejmë një mënyrë për t’u siguruar mbrojtjen e të drejtave të njerëzve që janë në lëvizje”, deklaroi Gianuuca.

Ai theksoi se në krahasim me kohërat e tjera në histori, sot gjithnjë e më tepër njerëzit janë në lëvizje dhe se në vitin 2015 numri i emigrantëve ndërkombëtar arriti në 244 milion, prej të cilëve 65 milion janë emigrantë të detyruar.

Në vijim të fjalës së tij, Gianuuca duke iu drejtuar parlamentarëve të pranishëm në konferencë, tha se ata janë aktorët kryesorë në formulimin dhe zbatimin e politikave qeveritare. Ai kërkoi ndihmën e tyre në vendosjen e themeleve për të drejtuar lëvizshmërinë e migracionit në bazë të të drejtave njerëzore.

“Migracioni është një veti esenciale e kohës dhe në vend që ta shohim atë si një problem që duhet të zgjidhet, ne duhet ta shohim si realitet njerëzor me të cilin duhet të ballafaqohemi. Neve na nevojitet një veprim dhe mendim kolektiv që të zhvillojmë qasje gjithëpërfshirëse në ballafaqimin e migracionit, gjë që do të sigurojë mbrojtje të emigrantëve dhe njëkohësisht që do të krijojë kanale të sigurta për emigrantët”, deklaroi Gianuuca.

Sesioni vjeshtor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së filloi dy ditë më parë, ndërsa tema e kësaj konference treditore ishte “Përforcimi i masave për ndërtimin e besimit dhe qeverisjes së mirë në rajonin e OSBE-së”. Në këtë sesion morën pjesë rreth 350 përfaqësues të 57 trupave parlamentarë dhe të tjerë të OSBE-së dhe organizatave tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit