Sot do të mbahet seanca përgatitore për rastin ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) ka paditur Komunën e Prishtinës dhe Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së shfrytëzimit dhe kthimit në posedim të pronës në kampus, ku edhe gjendet kisha.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo ka thënë se seanca pritet të fillojë nga ora 10:00.
“Po, seanca pritet të fillojë nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për këtë çështje”, ka thënë Gashi.
Çështja e të drejtës së shfrytëzimit së tokës në kampusin universitar të UP-së, ka qenë objekt i gjykimit që nga viti 2012.
Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin fillestar lidhur me këtë çështje, pasi dështuan të paraqiten në gjykatë në seancën për këtë kontest në vitin 2015.
Më pas, edhe Gjykata e Apelit në vitin 2017 i dha të drejtë kishës për pronësinë e tokës duke e hedhur poshtë padinë e UP-së.
Në po atë vit, universiteti inicioi një padi të re për të cilën nuk u mbajt asnjë seancë gjyqësore deri në fillim të vitit 2021.
Në seancën gjyqësore të mbajtur më 25 mars, përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi kishte kërkuar shtyrjen e procesit me qëllim të grumbullimit të provave.
Kjo pasi sipas tij, në mungesë të dokumenteve të kadastratit për vitet e 90-ta, ka qenë e vështirë të grumbullohen provat që tregojnë se si toka kishte kaluar në shfrytëzim të kishës.
UP-ja në këtë rast, pretendon se tokën që është në pronësi të Komunës së Prishtinës, e ka pasur në shfrytëzim të lirë e të papenguar që nga viti 1975.
Kelmendi nuk i është përgjigjur pyetjeve lidhur me grumbullimin e këtyre provave, duke e quajtur “procesin të ndjeshëm”
“Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, me keqardhje ju them që në këtë fazë nuk mund të japë asnjë informatë. Lënda është në proces gjyqësor, prandaj nuk duam që në asnjë mënyrë të interferohet në proces, ndoshta edhe të dëmtohet procesi”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga UP-ja.
Edhe pse çështja e tokës është cilësuar si problem edhe politik, deri më tani, qeveria dhe avokatia e shtetit, nuk janë përfshirë zyrtarisht në këtë çështje gjyqësore. /Telegrafi/