3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Më të lexuarat

Robert Fico ka deklaruar se Sllovakia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, por do të dërgojë trupa në misionin e KFOR-it pas një pauze 15-vjeçare. Kryeministri sllovak këto komente i bëri gjatë një vizite zyrtare në Serbi ku u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Gjatë intervistës së dhënë për RTS-në, Fico u pyet për vendimin e Sllovakisë për të mbyllur zyrën ndërlidhëse në Prishtinë pas 25 vitesh dhe për presionet ndërkombëtare që mund të kenë pasuar këtë vendim. Ai theksoi se qëndrimi i Sllovakisë mbi integritetin territorial të Serbisë mbetet i pandryshuar.

“Për ne nuk ka asgjë për të ndryshuar. Kam deklaruar qartë në konferencën për shtyp me presidentin Vuçiq se qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë. Në forume ndërkombëtare, kur na pyesin nëse do ta rishikojmë këtë çështje, përgjigjja ime është gjithmonë ‘jo’,” tha Fico, shkruan euractiv.

Ai gjithashtu përforcoi narrativën serbe duke e cilësuar situatën e Kosovës si një shembull të “standardeve të dyfishta” dhe deklaroi se qëndrimi i Sllovakisë nuk do të ndryshojë për sa kohë ai është kryeministër. “Kosova është shembull i atij standardi të dyfishtë”, shtoi ai.

Në vijim, Fico njoftoi se Sllovakia planifikon të dërgojë deri në 150 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it. Ai theksoi se prania sllovake në këtë mision është e rëndësishme për të marrë informacione objektive mbi zhvillimet në Kosovë.

Deklaratat e tij riafirmojnë mbështetjen e fortë të Sllovakisë ndaj Serbisë në raport me Kosovën, duke shprehur një qëndrim të pandryshuar ndaj çështjes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, Sllovakia së bashku me Qipron, Rumaninë, Spanjën dhe Greqia janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit