3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Sllovakia do ta mbyllë Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë

Më të lexuarat

Sllovakia, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Prishtinë më 31 dhjetor të këtij viti.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi për mbylljen e kësaj zyre është pjesë e vendimit të Sllovakisë për të mbyllur deri në fund të vitit edhe ambasadat e saj në Danimarkë dhe Norvegji, si dhe konsullatat e përgjithshme në Krakovë dhe Shën Petersburg.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjikë dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera”, tha MPJD-ja në përgjigjen dërguar REL-it.

Në ueb-faqen e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë thuhet se pavarësisht mbylljes së zyrës, “shërbimet për qytetarët sllovakë dhe raportet diplomatike do të mbahen në bazë të kornizës së operacioneve nga ambasadat sllovake në shtetet fqinje”.

Ndërkaq, MPJD-ja tha se pavarësisht vendimit për mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse, Kosova është e përkushtuar që t’i forcojë raportet me Sllovakinë, “qoftë nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse, qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”.

Sllovakia, së bashku me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë janë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Bratisllava ka raporte të mira me Serbinë dhe e konsideron Beogradin partner kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit