-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

S’lëshoj më “Ramush me qira!”

Më të lexuarat

Ndërsa portalo-novela, që nga një skenarist i mençur bollywood-ian do të mund të titullohej fare lehtë: Roberti dhe Nora – seç na i dha një shije tragjike fund-muajit që iku; tifozët e Liverpool-it e nisën sezonin të bindur që ky i sivjetmi do t’ua sjell titullin e fituesit në Premier League pas një kohe të gjatë; fansat e Game of Thrones, vazhduan të shprehin mallin e tyre të pashuar për përfundimin e serisë; deputeti Labinot Tahiri e rruajti mjekrën, krejt për hir të Kosovës (motiv ky i njëjtë që e pat shty me e lëshue, kuptohet); dhe kështu u futëm në ditët e mërzitshme të fushatës së parakohshme zgjedhore, ku përditë përballemi me pyetjen: a do ta kemi përsëri në krye të shtetit një kryeministër të marrë me qira, apo jo?

Shkruan: Imer Topanica

Fillimisht lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e pat cilësuar Haradinajn si një kryeministër «i marrë me qira»; pra të merremi vesh, kjo nuk është një shpikje e imja. Më vonë Veseli, mbase edhe pavetëdijshëm, e pat vërtetuar duke thënë «…nuk ka më kryeministër me qira»; në kuptimin që PDK më nuk do ta ndihmojë askënd jashtë petkut të partisë, për t’u ngritur në krye të qeverisë. Në këtë histori cilësimesh, ka një të vërtetë: partia me traditën më të gjatë në pushtet, në historinë relativisht të shkurtër të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe demokratik, ka qenë partnerja kryesore në disa koalicione qeverisëse me radhë. Ajo përnjëmend i pat lëshuar institucionet me qira, duke e marrë pjesën më të madhe të fitimit për vete. Kështu pjesa më e madhe e përgjegjësisë që rrjedh nga ‘dosja e kapjes së shtetit’, nëse ajo do të shqyrtohet ndonjëherë, i takon pikërisht asaj.

Por (ndonëse asgjë për t’u çuditur), anëtarët e këtij subjekti, në krye me Veselin, po justifikohen pikërisht duke u katërrithur te kjo pikë: se me demek, kanë përzgjedhë partnerët e gabuar në koalicionet e mëhershme qeverisëse, prandaj edhe nuk kanë faj për dështimet. Për më shumë, ky subjekt, ka marrë guxim që ta bartë flamurin e luftës ndaj korrupsionit. Masakruesit më të mëdhenj të demokracisë, të pabrekët e dikurshëm – siç do të shprehej Ali Asllani, dhe milionerët e sotëm, duan ta luftojnë korrupsionin, që në një mënyrë i bie ta luftojnë vetveten. Bajraktar i këtij kampi, ashtu siç edhe pritej, doli vet Veseli, me sintaksën e përçudnuar të të cilit na u mësuan veshët neve gazetarëve për disa vite, kur shkonim t’i ndiqnim seancat në parlament.

Por Veselit, vështirë që do t’i besohet ky mision. Një ortek prej vrulli, entuziazmi, por edhe revolte qytetare, ka marrë tashmë hov. Ai pritet që t’i godas shumicën prej pushtetarëve të deridjeshëm, të cilët tash e sa dekada, e kanë shijuar pushtetin, duke përvetësuar, për aq sa kanë mundur duke e shndërruar Kosovën nga një tokë e shpresës, në një tokë të dëshpërimit. Kjo goditje disa do t’i nxjerr krejt jashtë parlamenti, e disa do t’i lë në opozitë. Ky skenar i pashmangshëm, megjithatë varet edhe nga disa elementë të tjerë. Bashkëpunimi ndërmjet opozitarëve nga legjislacioni i fundit, duhet të vijë në shprehje pikërisht pas 6 tetorit, përkatësisht pasi të konfirmohen fituesit.

Është një moment kritik. LVV që ka prirë në të gjitha sondazhet serioze, edhe pse mund ta fitojë mandatin për ta formuar qeverinë, mund të hasë në vështirësi, për sa i përket gjetjes së partnerëve për koalicion pas-zgjedhor. E në qoftë se nuk do ta kemi fatin të udhëhiqemi nga një qeveri e përbërë nga Kurti e Osmani, depresioni kolektiv do të shtohet, ato fijet e rralla të shpresës do të zbehen edhe më, qytetarët do t’i pushtojnë edhe më me ngulm oborret e ambasadave, e ndërsa rreziku i përsëritjes së PAN-it 2 është mjaft i madh.

Por jo, kjo është pak e gjasshme të ndodhë. Kush do të guxojë të dalë kundër asaj që e do shoqëria? As të ashtuquajturit “shikista” brenda LDK-së, që ashiqare e prishën për pak marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me LVV-në, nuk do të guxojnë ta çelin gojën.

Albini dhe Vjosa, nuk janë veshur me petkat e Mehdiut e Messihut, dhe qeveria e tyre nuk do të jetë pa probleme, por diferenca që do ta bëjnë me qeverinë paraprake, do të shquhet menjëherë. Dallimet do të bëhen gradualisht, përditë e ngapak.

Në vet listat për deputetë që i kanë publikuar, përveç emrave që meritojnë respekt, ka edhe të atillë që duhet parë me dyshim. Pastaj, të këqijat që janë shtresuar tash e dy dekada, nuk mund të përmirësohen brenda pak ditësh. Fundja, ne kemi fituar një republikë në letër, por kemi dështuar ta ndërtojmë atë në realitet dhe për këtë jemi fajtorë që të gjithë, pa përjashtim. Prandaj fillimi i ndërtimit të saj, do të jetë i vështirë, por do Zoti: të jetë fillim shpresëdhënës. Amin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit