Harta dhe dokumentet sekrete tregojnë si funksiononte puna skllavëruese në Kampin e Zadrimës, që ishte një prej dhjetra kampeve të punës detyruese ku sistemi komunist shfrytëzonte të burgosurit politikë
Dokumentet e rralla, ku zbulohet në detaje, se si ngriheshin kampet e punës së detyruar për të burgosurit politik në Shqipëri, dhe si shfrytëzoheshin ata. Detaji i vetëm që e shqetësonte regjimin ishin kostot për ndërtimet shtesë nga dyqanet tek kinematë për familjet e policëve që ruanin kampin me rreth 1000 të dënuar.
Punët më të vështira e munduese, gjatë viteve të regjimit komunist, gjithmonë bëheshin nga të burgosurit. Çdo herë që projektohej një vepër për tu ngritur, një kënetë për tu tharë, një qytet, aeroport, uzinë apo fabrikë për tu ndërtuar etj, në të gjithë projektet, detaji i pari që ishte i garantuar, ishte fuqia punëtore nga të burgosurit kryesisht ata politikë.
Pasi kjo fuqi ishte e garantuar (duke shkelur çdo normë të të drejtave njerëzore) regjimi mendonte kostot e ndërtimit të veprave dhe në këto kosto ishte edhe ngritja e kampeve ku do të mbaheshin të izoluar të burgosurit. Por ngritja e kampit nuk parashikonte vetëm barakat ku mbaheshin të dënuarit, por edhe shumë ndërtime shtesë që parashikohehsin për drejtuesit e kampit, policët dhe familjarët e tyre.
Ministria e Ndërtimit, në një varg dokumentesh të saj ngrinte shqetësimin se nga viti në vit, ndërtimi i kampeve lëvizëse për të burgosurit, që i transferonin nga një front pune në një tjetër po bëhej gjithnjë e më i kushtueshëm, pasi Ministria e Brendshme i shtonte kërkesat financiare çdo vit, duke kërkuar ambjente shtesë sidomos për familjarët e policëve, nga dyqanet ushqimore deri tek sallat e kinemasë.
Dokumentet ekskluzive që Kujto.al sjell sot kanë të bëjnë me zhvendosjen ekampit të Zadrimës nga fshati Naraç për në fshatin Baqel të Zadrimës. Edhe pse distanca ishte rreth 12 kilometra ndërtimi i kampit të ri, ishte i nevopojshëm. Të burgosurit do të përdoreshin për të hapur kanale të mëdha kulluese e vaditëse. Sipas studimeve që kishin bërë inxhinierët ën terren kjo punë ishte kolosale e s’mudn të mbulohej kurrësesi me punëtorë të lirë. Vetëm sasia e dheut që do të lëvizej me krahë nga të burgosurit ishte përllogaritur se do të ishte rreth 330.000 m3 e veç kësaj do të ndërtoheshin nëj varg veprash arti si ura betoni apo edhe druri, etj.
Shqetësimi i vetëm i organeve të regjimit në këtë rast ishte kostoja e ndërtimit të kampit, e cila kapte shifrën 34 milion lekë. Dhe kjo më së shumti ishte kosto e ndërtimeve jahstë barakave të të burgosurve, pra ndërtime për stafin drejtues të kamopit, policë dhe familjet e tyre. Shkresat mes Ministrisë së ndërtimit dhe kryeministrisë për këtë kamp janë të shumta. Sot sjellim relacionin që shpjegon detajet e ndërtimti të këtij kampi dhe hartën skicë se ku ishte parashikuar ndërtimi i tij.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
Ministrija e Ndërtimit.
Drejtorija Organizim Kontrollit.
Nr. 690 Sekret
Tiranë, më 11/X/1955
LANDA: Mbi spostimin e kampit Zadrimës.
ZAV/ K R Y E M I N I S T R I T
SHOKUT KOÇO THEODHOSI
T I R A N Ë
Për njoftim:
MINISTRIS SË P. TË MBRENDSHME
T I R A N Ë
Bashkanjitur Ju përcjellim një relacjon mbi spostimin e kampit të burgosurve nga katundi Naraç për në katundin Baqel të Rethit Zadrimës në fund të këtij vitit, për kryerjen e punimeve bonifikuese dhe vaditëse të fushës Zadrimës gjatë vitit 1956.
Lutemi, mbasi të studjohet nga ana e Juaj, të na njoftohet përfundimi dhe veçanërisht mbi sigurimin e materialeve të nevojshme për ngritjen e kampit të cilat janë urgjente.
Në Mungesë
M I N I S T R I.
(JOSIF PASHKO)
ZAV/M I N I S T R I
(Ing. Kristaq Gliozheni)
(vula, firma)
Lidhje: Një relacjon.
Një skicë.
R e l a c j o n
mbi ndërtimin e një Kampi të burgosurish në Zadrimë për vitin 1956.
Komisjoni i përbërë prej shokve të Ministris P. të Mbrendshme, Ministris së Ndërtimit, Ndërmarjes Projekti, Ndërmarjes Bonifikimi dhe Kantjerit të Bonifikimeve Zadrimë, mbasi shkeli me datën 1/ dhe 2/ Tetor/ 1955 zonën ku do të ndërtohen kanalet kulluese dhe vaditëse të fushës së Zadrimës gjatë vitit 1956, si edhe vendin e propozuar për ngritjen e një kampi të burgosurish, konstatoj:
a/ Volumi i lëvizjes së dheut që parashihet të kryhet nga një kamp prej 900-1000 veta dhe që përshihet në dy kanalet kullues, kanalin e ujrave të larta dhe në gjysmën e poshtme të kanalit vaditës të krahut majtë, arrinë në sasin afro 330.000 m3. Veç këtyre, në këtë zonë, do të ndërtohen një seri veprash arti beton dhe beton-arme, ura druni e tjera.
Vlefta aproksimative e të gjith këtyre punimeve që parashihen të kryhen nga kampi, arrinë në reth 34 milion lek.
b/ Vendi më i përshtatëshëm për ngritjen e kampit nga ana e sigurimit, po ashtu edhe nga ana e largësis simetrike të të gjitha objekteve të punës dhe konditave hygjenike, paraqitet ai ndërmjet kodrave të ulta të katundit Buqel (Zadrimë), 10 km në jugë të Hajmelit (shif skicën e bashkanjitur).
Ngritja e kampit në këtë vend, do të kërkojë ndërtimin e reth 3 km rrugë për furnizimin e kampit dhe meremetimin e reth 2-3 km rrugë ekzistuese. Kështu që, të gjitha shpenzimet e nevojshme për ngritjen dhe prishjen e kampit, si edhe të regullimit të rrugës, do të arrijnë në reth 7 milion lek. Kjo shifër do të jetë edhe më e ulët në rasë se vendoset që të mos ngrihet baraka për familjet e policve, por ato të qëndrojnë atje ku janë sot pranë kampit ekzistues, i cili do të rezultoj reth 10-12 km larg nga kampi i ri që do të ndërtohet dhe ku policët si mbas nevojës mund të dërgohen pranë familjeve të tyre herë mbas here me makinë.
Për caktimin e trases së rrugës, do të studjohet edhe njëherë para se të vendoset definitivisht, mbasi paraqiten dy variante, njëri prej të cilëve, është ay që rruga të ndjekë trasen e vjetër të rrugës Hajmel-Lezhë, veprat e artit e të cilës pothuajse janë të gatëshme. Me gjithatë, cilido variant që të ndërtohet, ajo do t’i shërbejë shumë popullësis t’asajë krahine. Duke bërë krahasimin e investimeve për ndërtimin e veprës, dhe ndërtimin e kampit dhe të rrugës, do të kemi një koefiçjent baras me 4 i cili është i kënaqëshëm, pse nuk do të kemi shpenzime të konsiderueshme për transferimin e kampit në vende të largëta sikurse vitin e kaluar gjë që na kushtoj reth 1,5 milion lekë.
Nga sa sipër, duke marë parasysh edhe se ndërtimi i kanaleve vaditës dhe kullues në Zadrimë me forca të lira do të bëhet shumë i vështirë, del e nevojshme që kampi i tanishëm i të burgosurve që punon në devijimin e lumit Gjadër Zadrimë, të spostohet brenda tremujorit IV/të për në katundin Beqel po të rethit Zadrimës.
Shtojmë se, përveç punimeve të Zadrimës, nuk kemi ndonjë objekt të përshtatëshëm për Kamp, mbasi edhe objekti i Tërbufit që mund të jetë i përshtatëshëm, është parashikuar të kryhet me maqinerin disponibël të cilës, me zvoglimin e volumeve të punimeve, nuk i mbetet front tjetër përveç atij të Tërbufit.
Për ngritjen e Kampit mbrenda këtij viti, Ndërmarja Bonifikimi është në gjendje t’a kryejë këtë detyrë, por duhet t’i sigurohen 40 km tel me gjemba pë rethimin nga Ministrija P. të Mbrendshme, 500 m3 landë të sharruar dhe 300 copë shtylla nga Ministrija Industris / Miniera dhe 4500 m2karton katramat nga Komisjoni i Planit Shtetit. Pjesa tjetër do të nxiret nga kampi ekzistues.
Me qenë se koha e ngritjes së kampit është e shkurtër për arsye se mbetja e Kampit në devijimin e Gjadrit për një kohë më të gjatë do t’a linte atë pa front pune, del e nevojshme që landa e drunit të na sigurohet qyshë tani në muajin Tetor nga Ministrija Industris / Miniera, dhe të transportohet me kuotë transporti nga Puka prej Ministris së Komunikacjonit.
Për Komisjonin
Ing. Murat Klosi
Tiranë, me 8/ Tetor / 1955.
/kujto.al