4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Skllavëria e ëmbël që sjell Big Brother – Ergys Mertiri

Më të lexuarat

Skllavëria e ëmbël që sjell Big Brother

Big Brother-i lindi si ide nga romani i George Orwell “1984”, i cili përshkruan një regjim politik të projektuar në të ardhmen ku totalitarizmi arrin në nivelin më absolut të kontrolli të shoqërisë. Përveç infrastrukturës së tmerrshme të terrorit dhe shërbimeve sekrete, kontrolli i shoqërisë bëhet i mundur edhe nga vetë televizori. Ai shërbente, jo vetëm si ekran që përcjell 24 orë propagandën e regjimit, por edhe si instrument për survejimin e shikuesve, duke qenë se çdo ekra ishte i pajisur me telekamera që regjistronte vetë banorët nëpër shtëpitë e tyre në çdo orar. Pra përveç se shihet, televizori edhe të shesh. Ai është gjithashtu një mjet kontrolli.

Në të njëjtën mënyrë “Vëllai i Madh, jo vetëm e monitoron sjelljen e lojtarëve brenda shtëpisë, por ai edhe e kontrollon dhe imponon atë në bazë të një skenari në funksion të spektaklit. Nga ana tjetër, si çdo produkt i medias së komercializuar, Big Brother-i influencon në banalizimin dhe degradimin kulturor të shoqërisë, duke ofruar modele vulgarë, amoralë dhe vanitozë në shoqëri. Ai përmbush pikërisht të këqijat që trajton Orwell-i, në një formë të banalizuar e spektakolarizuar.

Megjithatë, Big Brother-i si produkt mediatik i përgjigjet më shumë një tjetër distopie, të krijuar pothuaj në të njëjtën kohë me 1984-ën: atë të Aldus Huxley-t. Romani i tij “Brave new world” trajton të ardhmen e shoqërive moderne liberale drejt një totalitarizmi krejt të kundërt me atë të Orwell-it. Shteti i së ardhmes tek Huxley nuk mbështetet mbi terrorin, por mbi kënaqësinë, drogërat, seksin, filmat, televizionin… argëtimin në tërësi. Forma më efikase e totalitarizmit, sipas tij, është ajo ku skllevërit e dashurojnë dhe e kërkojnë vetë skllavërinë. Kjo bëhet e mundur, nërpërmjet një armate të madhe njerëzish që prodhojnë dhe përhapin propagandën: drejtorë, menaxherë, propagandues, punonjës mediash, mësues shkollash etj.

Të gjitha këto, thotë Huxley, do të bëjnë të mundur që turmat të ëndërrojnë me sytë hapur, në mënyrë që të arrihet nënshtrimi i individit në emër të fatit: “Ndërsa liria politike dhe ekonomike zvogëlohet, liria seksuale, ka gjasë të ketë prirje të rritet, – thotë ai, – dhe diktatorët do të inkurajojnë këtë lloj lirie”.

Big Brother-i duket një mishërim i përpiktë i kësaj profecie. Ai i bën turmat e njerëzve të ngulen para televizorit për tu ushqyer me lugën bosh të spektaklit, i cili ofron prangat e dëshiruara të një shoqërie që rron me lumturinë imagjinare dhe botën virtuale që vjen përmes ekranit. Kjo është një formë skllavërimi që bën të mundur dehumanizimin e vullnetshëm të individit dhe zhveshjen e tij nga natyra njerëzore si dhe nga tiparet dhe ndjesitë më të qenësishme të tij.

Banaliteti, vaniteti, melodramaticiteti vulgar që shoqëron produkte të tilla, të mbështetura mirë financiarisht, teknikisht dhe profesionalisht ndikon, jo vetëm në keqedukimin e brezit të ri dhe shoqërisë në tërësi, por edhe në prodhimin e një kulture të zbrazët nga vlerat dhe kuptimsia, çfarë e bën individin lehtësisht të nënshtrueshëm ndaj çdo pushteti. Totalitarizmi i ri, thotë Huxley, nuk ka përse të ngjasojë me të vjetrin. “Një qeveri shkopinjsh gome dhe togash pushkatimi, urie të detyrueshme, burgimesh dhe dëbimesh masive, nuk është thjesht jonjerëzore, është në mënyrë demonstrative e paefektshme – dhe në kohët e teknologjisë së avancuar, joefikasiteti është mëkat ndaj Shpirtit të Shenjtë”.

Produktet e kulturës së konsumit janë instrumente efikase për të ëmbëltuar skllavërinë moderne në mënyrë që ta bëjë atë të dashur për viktimat. Me apo pa vetëdije, Big Brother është një kontribues i kësaj forme totalitarizmi, arratisja prej të cilit është e pa mundur për shkak të gjymtimit psiko-kulturor që ai sjell tek individi. Banorët e asaj që konsiderohet si “shtëpia më e famshme në Shqipëri” janë njëkohësisht heronjtë dhe viktimat e tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit