4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Skenari brutal: ç’do të ndodhte nëse bota mbetej pa internet?

Më të lexuarat

Hipoteza e një kaosi që shpresohet të mos provohet kurrë

Edhe pse deri dje interneti nuk njihej, në rreth njëzet vitet e fundit duket se i gjithë njerëzimi është bërë i varur prej tij, deri në pikën e paimagjinueshmërisë se me shekuj nuk ka ekzistuar dhe bota është zhvilluar pa të.

Tani e paimagjinueshmë është një botë pa internet.

Duket e pamundur që ne të mund të jetonim pa Google, rrjetet sociale dhe të gjitha lajmet dhe informacionet që janë gjithmonë të disponueshme për ne dhe që i përdorim aq shumë deri në varësi të frikshme.

E ndërsa do të mbijetonim pa lajme dhe rrjete sociale, lind pyetja, po për të gjitha institucionet dhe infrastrukturën që do të thotë jetë për ne, dhe që janë edhe të varura nga interneti, si termocentralet, telekomi, bankat etj.?

Kjo është arsyeja pse pyetja interesante është se çfarë do të ndodhte nëse interneti do të zhdukej, domethënë nëse e gjithë bota do të humbiste lidhjen e saj me rrjetin për ndonjë arsye. Nuk është e vështirë të konkludohet se do të lindte paniku, njerëzit nuk do të dinin se çfarë po ndodhte, nuk do të ishin më në gjendje të komunikonin, të punonin etj.

Cilat do të ishin pasojat pas një dite, jave, muaji dhe viti, përgjigjen u munduan ta japin nga faqja e BBC-së dedikuar shkencës – Science Focus.

Në fund të ditës së parë pasi i gjithë planeti ynë  shkëputet nga rrjeti, vetëm Google dhe Facebook do të kishin humbur më shumë se 300 milionë £ dhe humbjet e kompanive të tjera, shumë prej të cilave do të kishin pushuar së punuari, do të ishin në miliarda.

Situata pas një jave do të ishte krejtësisht kaotike dhe në Science Focus theksojnë se do të kishte probleme me furnizimin me energji elektrike, gjë që do të sillte probleme të reja të shumta. Përkatësisht, meqenëse rrjeti modern elektrik mbështetet në internet për koordinimin e termocentraleve dhe nënstacioneve, do të kishte kaos në sistemin energjetik dhe ndërprerje lokale në shpërndarjen e energjisë elektrike për shumicën e vendeve të botës. Kjo më pas do të ndikonte, ndër të tjera, edhe te tubacionet e gazit që do të mbylleshin sepse varen edhe nga energjia elektrike dhe interneti.

Duke qenë se gjithçka është e lidhur, do të ndodhte një reaksion zinxhir.

Pa internet dhe rrymë, as pikat e karburantit nuk mund të punojnë, pasi përveç që nuk mund të shpërndajnë karburant, nuk mund të monitorojnë as gjendjen e rezervuarit. Pa karburant, në supermarkete nuk ka shpërndarje të ushqimeve dhe gjërave të nevojshme dhe duket se do të ndalonte e gjithë bota, pra trafiku, industria dhe bizneset.

Pas një muaji, bota do të bjerë në kaos total – njerëzit e shqetësuar dhe të uritur, jeta e të cilëve ka ndryshuar rrënjësisht në një kohë të shkurtër, tani po luftojnë njëri-tjetrin për ushqimin që tashmë është grabitur. Trazirat dhe kaosi sundojnë rrugët, dhe megjithëse ushtria është thirrur, edhe ata kanë nevojë për karburant dhe furnizime që po mbarojnë shpejt.

Pas një viti, shumica e vendeve të botës së zhvilluar do të arrinin të instalonin linja telefonike bazë dhe shoqëria ngadalë do t’i përshtatej ndryshimeve dhe kaosit të madh, ndërkohë që vendet do t’i riktheheshin ekonomisë agrare. Ekonomia globale është kthyer në vitet 1930. Pasojat e humbjes së internetit janë të tmerrshme dhe në SF thonë se numri i njerëzve që nuk i mbijetuan urisë, të ftohtit dhe trazirave mund të shkojë deri në një miliard.

Sigurisht, këto janë të gjitha supozime dhe është vërtet e vështirë të parashikohet se si do të dukej një botë e tillë dhe ne mund të shpresojmë se nuk do ta provojmë kurrë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit