3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

S’ke përse

Më të lexuarat

S’ke përse

S’ke përse mendon se fundi i diçkaje, është fundi i botës. Bota, nuk është ajo që të shohin sytë.
Mos e prit një të dashur që të shiti… por prit dritën e re e cila do të përvidhet dhe depërtojë në zemrën tënde të hidhur, duke i kthyer çehren plot shkëlqim dhe pulsin plot ritëm.
Mos rend pas një ëndrre që të zhgënjeu, por momentin e zhgënjimit shndërroje në fillimin e një ëndrre të re.
Mos qëndro gjatë mbi rrënoja, sidomos nëse banohen nga lakuriqët e natës dhe fantazmat. Kërko zërin e bylbylit, i cili me cicërimat e tij melodioze shoqëron dritën e agimit të ri.
Mos shih fletët që u zverdhën, shkronjat që e humbën ngjyrën dhe u zhdukën mes dhimbjes dhe vetmisë. Shumë shpejt do të zbulosh se këto rreshta, nuk ishin më të bukurit e shkruar ndonjëherë, se letrat nuk ishin të fundit që u shkruan. Duhet ta bësh dallimin mes atij që i vendosi rreshtat e tu mes syve të vet dhe atij që i hodhi në erë.
Këto rreshta, nuk ishin thjesht disa fjalë kalimtare të bukura, por ishin ndjenja e zemrës, të përjetuara shkronjë për shkronje. Ato ishin rrahje zemre që mbartnin një ëndërr, e cila u shndërrua në zjarr dhe dhimbje.
Mos u bëj si çafka, ky shpend i çuditshëm i cili të mrekullon me zërin e tij të bukur, ndërkohë që vuan nga gjakderdhja.
Asgjë në këtë botë nuk e meriton qoftë dhe një pikë gjak nga i yti.
Nëse dimri i mbyll portat e shtëpisë tënde dhe të rrethojnë masivë akullnajash nga të katër anët, atëherë prit ardhjen e pranverës, hapi dritaret që të depërtojë ajri i pastër dhe shih nga larg tufat e zogjve shtegtarë teksa kthehen në vendlindje. Do të shohësh dhe rrezet e diellit që përqafojnë filizat e reja të pemëve, duke u falur atyre jetë të re, ëndrra dhe një zemër të re.
Jetën, falja ndjenjave të pastra, Atij që të krijoi dhe kujdeset për ty, jo atij që të kthen shpinën dhe të lë vetëm, pa të thënë as pse-në.
Mos merr mundin të kërkosh pemë të bukura në shkretëtirë. Nuk do të gjesh veçse vetmi.
Hap sytë nga pemët që të bëjnë hije me degët e tyre, të lumturojnë me frutat dhe të ngazëllejnë me këngën e bylbylit.
Mos u orvat të rikthesh humbjen e të djeshmes.
Kur gjethet e jetës tonë bien, ato nuk kthehen më.
Thjesht prit pranverën e ardhshme dhe bëj diçka që lulet e saj të jenë më të shumta dhe më të bukura.
Mbaji sytë nga lulet që do të çelin dhe do të mbushin vendin, jo nga gjethet që bien e fishken.
Nëse e djeshmja të humbi dhe shkoi kot, ke të sotmen për ta shfrytëzuar.
Nëse e sotmja do të mbledhë plaçkat e do të largohet dhe ajo, ke të nesërmen… Mos e qaj të djeshmen se ajo nuk kthehet.
Mos u pikëllo për të sotmen, shumë shpejt do të të lërë lamtumirën.
Ëndërro për diellin me rrezet e ngrohta dhe plot dritë të së nesërmes.
Nëse nuk ke dikë që të fal kënaqësi dhe lumturi, kënaq dhe lumturo veten.
Nëse nuk gjen dikë që të ndez kandilin, mos e kërko atë që ta fiku.
Nëse nuk gjen dikë që mbjell trëndafila në jetën tënde, mos rend pas atij që të shpoi me gjembat e tij.
Ndonjëherë, ne mësohemi me mërzinë, duke e shndërruar atë në pjesë të jetës tonë dhe duke u bërë pjesë e saj.
Ndonjëherë, syri i njeriut mësohet me disa ngjyra të caktuara, duke e humbur aftësinë për të parë të tjerat. Nëse do të përpiqej të shohë gjithçka tjetër përreth, do të zbulonte dhe ngjyrën e bukur të zezë, edhe pse e bardha është më e bukur.
Do të zbulonte se e hirta nxit emocionet dhe fantazinë, ndërkohë që bluja e qielli, është simbol i kthjelltësisë dhe pastërtisë.
Kërkoje kthjelltësinë sado vonë të jetë, kërkoje besnikërinë sado e vështirë dhe e lodhshme të jetë.
Kapu pas rrezeve të diellit, sado larg të jenë.
Mos ia beso zemrën, ditët dhe ndjenjat, gjërave që tashmë kanë humbur dhe u ka ikur koha
Ndonjëherë na mbulon pikëllimi, derisa mësohemi me të… dhe harrojmë  se në jetë ka  gjëra të shumta që mund të na gëzojnë dhe lumturojnë, se rreth nesh ka fytyra të shumta që na ndriçojnë errësirën e ditëve tona.
Kërko një zemër që të jep dritë dhe mos e lër veten peng të mërzisë së netëve të errëta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit