Justinian Topulli
Terroristi që kreu masakrën e fundit në Zelandën e Re, në manifestin e tij të shkruar, ku përligjte krimin nga pikëpamja e tij etno-raciste, kishte përdorur për gati njëzet e gjashtë herë fjalën “pushtues” (invaders). Këta pushtues -sipas tij- ishin të gjithë ata njerëz jo të bardhë, jo evropianë, që me emigrimin dhe shtimin e tyre demografik, po pushtonin Perëndimin! Ai thotë se raca e tij është vënë në rrezik nga këta “pushtues” me ngjyrë, që po i “uzurpojnë” atij tokën e të parëve të tij! Kështu që për të, ky veprim ishte një akt “çlirimi” dhe i dukej vetja si “partizan çlirimtar”, që po i hapte sytë Evropës dhe Perëndimit, nga rreziku që i kanoset. Ai thotë se politika e diversitetit është dobësi, ndërsa uniteti etno-racor dhe kulturor është fuqi.
Mes emrave të shumtë, që ai kishte zgjedhur si heronj të këtij modeli të çlirimit nga pushtuesit e huaj, ishte edhe emri “Skanderbeg”, i shkruar mbi armën e tij të krimit! Gjithkush mund të thotë se ky është një keqpërdorim i një njeriu të papërgjegjshëm dhe ne nuk kemi pse ta ngatërrojmë heroin tonë kombëtar me aktin monstruoz të një terroristi. Po, kjo është e vërtetë, por ajo që na intereson ne këtu, nuk është vetë Skënderbeu, dhe se çfarë ka bërë ai, por se kush e frymëzoi dhe nga i erdhi ideja këtij njeriu, për ta shfrytëzuar këtë figurë për “kauzën” e tij? Padyshim, ne e dimë mirë, se këtë dimension kriminal kundra muslimanëve, ia japin sot kësaj figure, emra të njohur në trevat shqiptare, si studiues, gazetarë, klerikë etj. Kështu që kur Skënderbeun e përdorin vetë shqiptarët islamofobë, si hero të një feje kundra një feje tjetër, nuk është fare habi ta përdorë edhe një anglosakson terrorist, që kërkon “heronj” për kauzën e tij neo-fashiste.
Ne, si muslimanë, kemi vite që denoncojmë gjuhën e urrejtjes anti-muslimane që përdoret nëpër mediat tona, madje “vrasësi me pagesë i publicistikës shqiptare” K.Myftaraj, është modeli më i paskrupullt i asaj, të cilën të tjerë e thonë nën zë, ose me gjuhë më të moderuar, të një gjenocidi anti-musliman, në të gjitha dimensionet e tij. Rrjetet sociale dhe portalet e ndryshme, mbushen pafund me komente anti-muslimane dhe kundra tyre nuk merret asnjë masë ndalimi. Teza idiote, që hasim shpesh nëpër komente, se shqiptarët muslimanë në këtë vend nuk janë me origjinë shqiptare, por mbetje racore e turqve, nuk është gjë tjetër, vetëm se ndikim i drejtpërdrejtë i kësaj fryme raciste, që i sheh të gjithë muslimanët në Evropë, si të ardhur dhe pushtues. Ky racizëm i bardhë, që e sheh zgjidhjen te pastërtia etnike dhe kulturore e çdo vendi, harron që një pjesë të mirëqenies së tij, e ka ngritur mbi kolonizimin ekonomik, politik e kulturor të vendeve të tjera me ngjyrë, si dhe harron se shfrytëzon burimet natyrore të shumë prej këtyre vendeve, kundrejt çmimeve qesharake dhe ua rimerr atë, duke i shitur produktet e tij shumë herë më shtrenjtë. Racistët e bardhë evropianë harrojnë se korporatat dhe shtetet e tyre mbështesin regjimet kriminale të mjaft prej këtyre vendeve që ata shfrytëzojnë, dhe pasi i rrjepin, iu ofrojnë kredi për të mbajtur veten me bukë, dhe pastaj i varin gjithë jetën pas interesave të tyre bankare. Këto vende janë të gatshme të bëjnë edhe luftë me armë për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike, por kur vjen puna për të drejtat e njeriut dhe të drejtën legjitime të këtyre popujve, për të përmbysur marionetat e interesave të tyre, mjaftohen me deklarata dhe raporte boshe.
Evropa dhe Perëndimi i kanë hapur dyert emigrantëve me ngjyrë, jo thjesht për shkak të humanizmit dhe multikulturalizmit, pikëpamje këto që padyshim i besojnë shumë evropianë, por edhe për shkak të nevojës së madhe që ata kanë për krah pune, dhe për rigjallërim të popullsisë së tyre të plakur. Kështu që, ky “pushtim me ngjyrë” i Perëndimit është pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimeve të tij kolonialiste ndaj këtyre vendeve, si dhe e dekadencës morale të vetë Perëndimit, që ka sjellë si pasojë tkurrjen e tij demografike.
Po ne shqiptarët, ku bëjmë pjesë në këtë mes?
Padyshim, që ne jemi racë e bardhë evropiane, por ndërkohë, shumica jonë i përkasin një feje, të cilën, racistët e bardhë e konsiderojnë si fe aziatike e njerëzve me ngjyrë, dhe pikërisht për këtë, për ta, ne jemi njerëzit më të urryer -siç shprehej vrasësi australian në manifestin e tij- sepse kemi tradhtuar fenë e të parëve! Të njëjtën gjuhë dhe teza i dëgjojmë përditë, edhe këtu në mesin tonë, mes shqiptarëve tanë, që befas paskan zbuluar se bashkëkombësit e tyre muslimanë dhe feja islame na zhveshkan nga të qenit shqiptarë dhe evropianë, madje edhe nga të qenit racë e tillë! Kështu që për më ekstremistët mes tyre, qofshin fetarë ose laikë, Islami dhe muslimanët duhen zbuar apo zhdukur nga këto troje me çdo mënyrë, ndërsa për më të moderuarit mes tyre, një Islam i vdekur dhe muslimanë pa identitet, është zgjidhja më e mirë. Dhe të dyja palët na kanë vënë para zgjedhjes: ose ”shqiptar i mirë”, ose “musliman i devotshëm”, sepse të dyja, për ta, janë të pamundura. Ose të bëhemi të krishterë apo laikë dhe të adhurojmë idhujmitet e tyre, ose shqiptaria jonë është e dyshimtë dhe kemi nevojë të deradikalizohemi.
Fakti që ngjarje të tilla si kjo e Zelandës së Re, nuk kanë ndodhur te ne dhe shpresojmë të mos ndodhin, kanë të bëjnë pikërisht me realitetin se shqiptarët muslimanë janë autoktonë në këto troje, janë racë e bardhë, përbëjnë një shumicë të konsiderueshme dhe nuk perceptohen si racë e huaj me ngjyrë, nga bashkëkombësit e tyre jomuslimanë. Por, ndërkohë islamofobët shqiptarë po kërkojnë me çdo kusht që racizmin e tyre kulturor, ta zbrazin ndaj çdo simbolike publike të Islamit, duke i identifikuar ato njëlloj si racistët e bardhë, me ngjyrën e lëkurës së joevropianëve që po “pushtojnë” Perëndimin me shtimin e prezencës së tyre. Pikërisht, mbi këtë bazë simboliko-fetare, kulturore dhe tezë pseudoracore, ndërtohet sot ligjërimi islamofob shqiptar.
“Skanderbeg-u” i islamofobëve shqiptarë sot mund të mos vrasë njerëz me armë, por gjuha e urrejtjes që ai mbjell përditë kundra muslimanëve dhe fesë së tyre, nuk është më pak e dëmshme. Kështu që si shtetit shqiptar, si instituteve dhe ambasadave të huaja, që sponsorizojnë studime dhe projekte kundra ekstremizmit të dhunshëm, mes muslimanëve, do t’iu sugjeroja të merren seriozisht edhe me islamofobinë dhe pasojat e saj të rrezikshme në shoqërinë shqiptare, nëse duan t’i paraprijnë ndalimit të krimeve të paralajmëruara për vite me radhë. Ndërkohë, besimtarëve muslimanë do t’iu bëja thirrje që t’i përballojnë këto momente të vështira, ashtu si Profeti ynë në raste të ngjashme, me lutje, maturi dhe durim, pa kaluar në vetëviktimizim qaraman dhe as shfryrje të ulëta ofenduese ndaj njerëzve dhe pa i hyrë në hak asnjërit, sepse me të vërtetë Allahu është me durimtarët.