Rasti skandaloz i një 60-vjeçari i cili humbi jetën nga një kancer në mushkëri, pak javë pasi spitali i Sanatoriumit e nxori shëndoshë e mirë është publikuar sot në emisionin ‘BOOM’ në RTV Ora News.
Vajza e të ndjerit denoncoi përmes dokumentave se spitali më i specializuar për mushkritë në vend, nuk e kishte diagnostikuar babain e saj edhe pse kanceri kishte qenë i një stadi të zhvilluar.
Mungesa e diagnozës, për rrjedhojë edhe e mjekimit bënë që sëmundja të agravonte më shpejt dhe kanceri të zbulohej një muaj më pas në një spital privat.
Familjarët e të ndjerit fajësojnë spitalin e Sanatoriumit për mosdiagnostikimin me kancer të të afërmit të tyre, për mosvendosjen e diagnozës përmes biopsisë si dhe për mungesën e fillimit të trajtimit me mjekim.
Përmes dokumentave ata kanë rrëfyer se biopsia e realizuar në Sanatorium kishte hedhur poshtë dyshimin për kancer të ngritur më herët nga skaneri i bërë në po të njëjtin spital.
Nxjerrja e të sëmurit nga spitali pa diagnozë, ka bërë që sëmundja e tij të agravonte më shpejt në mungesë edhe të trajtimit.
Një muaj më pas në alarm nga dhimbjet e të sëmurit, familjarët i janë drejtuar një spitali privat, i cili përmes një tjetër biopsie ka zbuluar se pacienti vuante nga kanceri i mushkërive, në stadin më të zhvilluar.
Në ballafaqimin mes familjarëve, mjekut që ka ndjekur rastin dhe shefit të shërbimit, ky i fundit e quan gafë të pafalshme faktin që mjeku ka thënë se pacienti nuk ka asgjë.
Ai pranon që biopsia që është bërë në spitalin privat duhej bërë në Sanatorium dhe deklaron se me këtë rast nuk është vepruar sipas protokollit.
Nga ana tjetër mjeku Ilirjan Mino thotë se është gëzuar nga përgjigjia e biopsisë dhe se për çdo problem i ka dhënë pacientit numrin e telefonit.
Pas vonesës një mujore të shkaktuar nga spitali Sanatorium dhe procedurave të pritjes së biopsisë së dytë në spitalin privat, Spitali Onkologjik që duhet të jepte trajtimin vonoi dhe 10 ditë të tjera në marrjen e radioterapisë me pretendimin se ka planifikim.
Drama bëhet edhe më e rëndë kur mjekja që ndiqte rastin në spitalin Onkologjik i lëshon vajzës së të ndjerit pas vdekjes së tij një dokument në të cilin shkruan se pasi ka parë pacientin ka konstatuar se gjendja e tij është 50 përqind më e përmirësuar nga radioterapia.
Disa ditë pas vdekjes së 60-vjeçarit, Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe Ilir Beqaj, i dërgon mesazh të ndjerit duke e pyetur a ka ngelur i kënaqur nga shërbimi i marrë në Spitalin Onkologjik.
Gazetarët e “BOOM” kanë pyetur ish-Ministrin Beqaj në lidhje me këtë mesazh dhe arsyet se përse kjo ankesë nuk është marrë parasysh, ndërsa përgjigja e tij është:
“Po në rast se personi ka vdekur s`kemi ça përmirësojmë në atë shërbim.”
Ndërkohë në Shqipëri që nga viti 2010 ekziston Karta Shqiptare e të Drejtave të Pacientëve e cila në pikën 11 thotë “Çdo pacient ka të drejtën për të evituar sa më shumë që është e mundur, vuajtjen dhe dhimbjen, në çdo fazë të sëmundjes së tij.Çdo pacient ka të drejtën për kujdes human deri në fund dhe të vdesë me dinjitet.
Shëndetësi falas apo vdekje falas? Denoncimi në BOOM
Denoncuesja: Rasti që unë do të denoncoj sot në emisionin tuaj është një rast skandaloz që i përket spitalit të Sanatoriumit. Unë kam humbur babain tim përpara pak muajsh. Ishte 60 vjeç, relativisht i ri dhe në marrëdhënie pune i siguruar prej 30 vitesh.Shenja e parë që iu dha, një problem në këmbë na bëri që ti drejtoheshim menjëherë mjekut, madje që atë ditë iu drejtuam mjekut të familjes për të marrë disa rekomandime. Imë atë bëri një radiografi të mushkërisë dhe mjeku tek Dispanseria e drejtoi për në Sanatorium pasi pa një njollë të zezë brenda mushkërisë.
Kur shkuan në Sanatorium kontaktuam me mjekun Ilirian Mino i cili i tha babait se dyshojmë për një tumor, unë isha prezent aty, por ndoshta edhe nuk mund të jetë tumor, këtë gjë e përcakton vetëm biopsia. Ndërkohë iu mor masa për bërjen e biopsisë, gjithësesi mjeku pasi mori masën e nxori babain në shtëpi nga spitali dhe në fletë-daljen e spitalit u shkruajt gjendja “i përmirësuar”. Na tha se duhet të paraqiteshim pas dy javësh për të marrë përgjigjen e biopsisë.
Dhe shkuam në datën e përcaktuar për të marrë përgjigjen, ndërkohë që mjekja e laboratorit i del babit tek dera, e përqafon, shumë entuziaste dhe i thotë gëzohem për ty si për vëllain tim pasi kancer nuk ke. Bëmë edhe një konsultë me doktorin pas marrjes së biopsisë, doktor Ilirianin dhe ai na tha që edhe për mua nuk ka asnjë problem.I thamë nëse ka nevojë për ndonjë kurim apo diçka, na tha: Jo, jo, as për një aspirinë. Pas dy javësh babi filloi që nuk dallonte dot as ngjyrat, as orën, as shifrat, asgjë prej gjëje. Shumë e shqetësuar mendova se nuk ka diçka nga mushkëria por mund të ketë ndonjë problem në organ tjetër dhe e çova tek urgjenca. I bënë një skaner dhe mjekët në urgjencë më thanë që jo vetëm që ka kancer, por ky ka katër metastaza të ngjitura në kokë nga kanceri por gjithashtu i ka të përhapura edhe në organet e barkut.
Pra ishte një kancer i një stadi goxha të zhvilluar. I drejtohem spitalit Onkologjik, me të drejtë u lidha me një onkolog i cili më tha ok ti më sjell një skaner dhe më thua që është përhapur në këto vatra por ti më sjell dhe një biopsi që më thua babai yt nuk ka kancer. Atëherë unë si ta trajtoj? Lindi nevoja për një biopsi të dytë. Kisha humbur besimin tek shteti dhe ju drejtova një spitali privat. Në spitalin privat duhet të paguaja me euro, pagova 350 euro dhe ja ku janë rezultatet e dy biopsive. Sanatoriumi në biopsinë e parë thotë nuk ka kancer, ndërsa privati në biopsinë e dytë thotë ka kancer dhe është i një stadi shumë të zhvilluar. Distanca e bërjes së njërës biopsi nga biopsia tjetër është vetëm një muaj.
Po çfarë thoshte Rama për Sanatoriumin një vit më parë?
Në një vizitë që ka bërë Rama me Beqajn në vitin 2016 në Sanatorium, kanë reklamuar investimet e reja dhe Rama ka deklaruar se nuk është më Sanatoriumi i dikurshëm, por një shërbim publik shëndetësor që si lë gjë mangët punës dhe konkuron denjësisht me çdo spital privat në Tiranë.
Deklarata e Ramës, 06.07.2016: Nuk është më Sanatoriumi i dikurshëm por është një spital rajonal që është pasqyra e ambicies tonë për një shëndetësi të rilindur, për një shërbim publik shëndetësor që nuk i lë asgjë mangut punës dhe që konkurron denjësisht me çdo spital privat në Tiranë.
BOOM bën ballafaqimin me Shefin e Shërbimit dhe mjekun që ka ndjekur pacientin
Në këtë ballafaqim Shefi i Shërbimit e quan gafë atë që ka bërë mjeku, duke pranuar se pacienti nuk duhet të nxirrej nga spitali pa i vënë emrin diagnozës dhe për të arritur këtë, mjeku duhet të bënte biopsinë e dytë , pra atë që u bë në privat.
Vetë mjeku Ilirian Mino që ka ndjekur rastin ja lë përgjegjësinë biopsisë e cila nuk ka treguar për kancer, por është kontradiktor kur thotë që mua vetë nuk më binte dyshimi për kancer, por u gëzova nga rezultati i biopsisë.
Mjeku shmang përgjegjësitë duke thënë nuk mbaj mend cfarë kam thënë para 5 muajsh, ndërkohë që nuk ka nevojë të mbaj mend se kartela e spitalit tregon që biopsi e dytë në Sanatorium nuk është bërë dhe mjekim për këtë pacient nuk është dhënë.
Shefi i shërbimit jo si mjek human, por si antihuman tha që pacienti ishte me kancer dhe nuk do përfitonte gjë dhe sikur të diagnostikohej, se për të vdekur kishte, i bie kësaj.
Vajza: Kjo jo e jo që su bë për të arritur tek përcaktimi i diagonozës, por pacientit nuk iu dha asnjë mjekim.
Shefi i Shërbimit: Tani problemi është këtu që unë normalisht fola me Dr. Ilirianin. Iliriani thotë që i kam thënë.
Vajza: Le të vijë doktor Iliriani.
Shefi i Shërbimit: Nëqoftëse të ka thënë që nuk ka gjë, kjo është një gafë.
Vajza: Po e ka thënë.
Shefi i Shërbimit: Por edhe këtë duhet ta dish. Për dy, tre, katër javë nga pikëpamja mjekësore asgjë nuk përfitonte. Kush të thotë ndryshe të mashtron. Kjo që të ka thënë doktori është e pafalshme, por kjo tjetra që thua ti, t’ia bëja të gjitha, këtë apo atë.
Vajza: Normal, gjithë ato dhimbje torturuese që unë nuk i jepja asnjë ilaç. Se kjo fjalë që nuk ke asgjë ka çuar dhe në atë që nuk u dha asnjë mjekim. Pse nuk iu bë biopsia me shiringë, ajo që bëra unë në privat?
Shefi i Shërbimit: Doktori i ka thënë që do ta bëj atë biopsi.
Vajza: Jo, ku e ka thënë më thuaj. Të shkruar? Duhet të kishte dhënë një rekomandim me datë.
Shefi i Shërbimit: Ka pritur përgjigjen e biopsisë së parë mesa duket, normalisht.
Vajza: I vajta pas përgjigjes në zyrë o Doktor. Dhe më tha ik se nuk ka gjë.
Doktori: Neve me ekzaminimet që i bëmë dhe me materialet që mori ai në biopsi shpresonim që të dilte e plotë ajo diagnoza dhe me përgjigjen e analizës që na erdhi nga biopsia u gëzuam që ky zotëri ka dalë pa probleme të një kanceri. Neve nuk bëjmë këto biopsitë me shiringa kur marrim materialin.
Vajza: Po ju dështuat te biopsia, materiali i parë.
Doktori: Që në çastin që e kam shkruar e kam shkruar për kancer, pastaj kur nuk doli biopsia u gëzova, prapë po ta them.
Vajza: Aty ra dyshimi për kancer?
Shefi i Shërbimit: Është gëzim i rremë ai.
Doktori: Mua asnjëherë nuk më binte dyshimi me ato që kisha. Ju kisha dhënë numrin që të kishit në çdo kohë mundësinë e komunikimit me mua. Unë nuk kam përgjegjësi.
Vajza: Kjo nuk e heq fare përgjegjësinë tuaj Doktor që duhet të kishit vepruar në atë moment. Kur biopsia e parë doli mirë dhe dyshimi vazhdonte tek ju dhe ju vetë po e pohoni, atëherë ti kishit bërë një biopsi apo diçka tjetër, ti vinit emër diagnozës. Jeni dakord me mua në këtë pikë?
Doktori: Unë jam plotësisht dakord.
Vajza: Pse su bë kjo? Po thatë dyshimi për kancer është hedhur poshtë, shkoni në shtëpi. Më kundërshtoni nëse keni thënë diçka tjetër.
Doktori: Unë nuk jam ndonjë njeri që të them ty se unë para pesë muajsh të thashë këtë ose këtë.
Shefi i Shërbimit: Iliriani gabimisht të ka thënë nuk ka gjë dhe shumë gabim ka bërë.
Vajza: Gabimisht?
Shefi i Shërbimit: Problemi është se nuk do të ndryshonte gjë. Unë këtu e kam. Se të ishte pneumoni, Doktori të thoshte ska gjë dhe të vdiste nga pneumonia, Doktori do të ishte në burg sot.
Vajza: Këtu nuk ka asnjë lloj përgjegjësie?
Shefi i Shërbimit: Po kur është kancer dhe këtë e kap entuziazmi i çastit që s’ka gjë. Nuk e di nëse është kështu.
Vajza: Kështu është se e pranoi vetë Doktori.
Shefi i Shërbimit: Ky ka thënë nuk ka gjë, megjithatë dëgjohemi. Ky ka ndjek taktikën e tij që në këtë rast nuk është shumë mjekësore, që ta vëzhgojmë, ta ndjekim.
Vajza: Po ka protokoll ky spital apo ka praktika që secili Doktor bën sipas mendjes së vetë?
Shefi i Shërbimit: Normalisht duhet të shkohej o në përsëritje biopsie bronkoskopie, ose transpariatale. Ky ka ndjekur rrugën që ka komunikuar me ju mesa kuptoj unë. Që po pati shqetësime.
Denoncuesja: Babai kishte vdekur, mjekja shkruan në recetë: Është përmirësuar 50%
Vajza: Ndërkohë që mjekët thoshin se babin do ta kesh me ditë dhe me javë, 10 ditë të tjera më është dashur të pres tek Spitali Onkologjik. Dy ditë pasi u bë skaneri dhe do pritej leximi i skanerit dhe 7 ditë të tjera, për t’u futur në trajtim radio-terapi pasi ishte me planifikim dhe pasi priti edhe këto 10 ditë të tjera, im atë nuk shkonte dot me këmbët e veta. Mori disa ditë radio-terapi, e çoja me taksi dhe e ktheja në shtëpi pasi nuk kishte shtretër për shtrim nuk kishte. Imagjino çfarë shërbimi i dhanë me 30 vite siguracion shteti babait tim, një njeriu të siguruar. Në Spitalin Onkologjik skandali nuk përfundon këtu. Babi më vdiq pa kaluar tek kimioterapia.
Nuk arriti dot të shkonte deri aty. Mjekun që e ndiqte i shkova pas vdekjes së babit dhe i thashë më duhen dokumentet, pasi dua ta ndjek në një spital privat. Unë e mora dosjen dhe e fotokopjova për t’ua sjellë juve si denoncim. Babi më kishte vdekur dhe ndërkohë i kërkova edhe një flet-shkëputje nga ai spital për ta çuar në spital privat. Plotësoi sikur ta kishte parë babin dhe në këtë dokument, ajo shkroi se gjendja e tij ishte 50% e përmirësuar për shkak të trajtimit që kishte marrë në Spitalin Onkologjik.
Babi im në ato momente ishte nën dhe, nuk ishte i përmirësuar, por ishte i vdekur. Ministri i Shëndetësisë pas vdekjes së babit dërgon një mesazh në numrin e telefonit që ishte dhënë në kartelën e babit në Spitalin Onkologjik. Dhe shkruan:
“I nderuar zt…..unë jam ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Në 23/05/2016 ju keni vizituar QSUT-në. Ju lutem përgjigjuni me SMS falas në këtë numër duke vlerësuar cilësinë e shërbimit që morët. Ju faleminderit!”
Dhe unë i shkruaj dhe i denoncova këtë gjë që denoncova tek ju dhe ju luta se nëse jeni interesuar për këtë rast për të mos e lënë tek mesazhi automatik më kontaktoni. Nga ana e ministrit të Shëndetësisë jo e jo, por nga ana e askujt tjetër deri më sot nuk është kontaktuar në numrin tim të telefonit.
Gazetarja e BOOM interviston Beqajn
Gazetarja: Zt. ministër nga ana juaj vetë një mesazhe tek ata që kanë vizituar shpesh herë qendrat spitalore. Ato mesazhe që vijnë lexohen nga ana juaj? Merren masa?
Beqaj: Ka një skuadër e cila ndjek përgjigjet dhe për rrjedhojë verifikimin e tyre dhe përmirësimin në vijimësi.
Gazetarja: Po kur këto mesazhe u shkojnë njerëzve që kanë vdekur?
Beqaj: Edhe një herë po e përsëris; ne marrim informacion dhe pastaj i drejtohemi të interesuarve, jo çdo ditë por grupe grupe. Rreth çdo 6 javë apo 8 javë. Mund të ketë fatalitete dhe përpiqemi në atë moment të jemi të mirësjellshëm.
Gazetarja: Ka 4 muaj, por askush nuk është interesuar edhe pse është bërë një denoncim konkret. Do të ndiqet nëse e referojmë ne tani?
Beqaj: Në qoftë se personi nuk jeton, nuk kemi çfarë përmirësojmë në atë shërbim.
Gazetarja: Po e ndjekin familjarët sigurisht!
Emisioni BOOM bashkë me familjarët e të ndjerit paraqitën tre ankesa në lidhje me Spitalin Sanatorium. Së pari, kishte të bënte me mos diagnostikimin në kohë dhe me të gjitha ekzaminimet të personit i cili ka humbur jetën. Së dyti, me mos përcaktimin e kancerit përmes biopsisë të realizuar në Sanatorium dhe së treti, për mungesën e fillimit të mjekimit në lidhje me të ndjerin në fjalë.
Për sa më sipër Spitali sqaron:
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/770683773056747/