Duhet kohë për fashitjen e dhimbjes që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, kohë edhe për t’u ringritur, për të mbledhur forcat dhe për të vazhduar para.
Ankthi dhe frika e përjetuar s’mund të tejkalohen sa hap e mbyll sytë, megjithatë, pas traumës së pësuar, në vëmendje të gjithsecilit prej nesh duhet të jenë fëmijët. Psikologia Oriola Plaku këshillon prindërit që të jenë të kujdesshëm dhe të menaxhojnë emocionet e tyre. Të mbajnë fëmijët e tyre larg emisioneve apo lajmeve që trajtojnë katastrofat natyrore siç janë tërmeti dhe t’u ofrojnë mbështetje, duke biseduar vazhdimisht me ta për përjetimet dhe ndjesitë e tyre.
“Nëse një prind konstaton se fëmija po përjeton vështirësi në funksionimin e përditshëm dhe këto janë me intensitet të lartë, është e nevojshme që të drejtoheni të psikologu për një vlerësim të fëmijës. Gjithashtu, duhet monitoruar gjendja psikologjike nga prindi dhe niveli i bashkëveprimit edhe me anëtarët e familjes apo moshatarët”, shton psikologia.
Oriola Plaku punon në Fshatin e Fëmijëve në Shqipëri dhe ka një eksperiencë prej 6 vitesh në këtë institucion. Është certifikuar si psikotraumatologe EMDR niveli 1 dhe ofron edhe terapinë ABA për fëmijët, të cilët kanë nevoja speciale. Përgjatë kësaj jave, ajo së bashku me një ekip psikologësh kanë qenë në zonat e dëmtuara nga tërmeti, duke iu ardhur në ndihmë banorëve, veçanërisht fëmijëve.
Mëngjesin e së martës, vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4, i cili solli pasoja katastrofike. Frikë, pasiguri dhe ankth mbizotëron në pjesën më të madhe të njerëzve, si duhet menaxhuar?
Ngjarjet e fundit kanë pasur impakt të dukshëm në aspektin psiko-emocional të individit. Ashpërsia e shqetësimeve dhe përjetimeve varet nga disa faktorë, të cilët janë mosha e individit, karakteristikat e personalitetit, natyrën e situatave stresante të përballuara më parë, aspekti shëndetësor, faktori social-kulturor dhe niveli i suportit që është ofruar nga individët e tjerë. Mënyra më e mirë kur një individ ndien se ka nivele të moderuara të ankthit, është të kontaktojë psikologun. Të kërkojë ndihmë dhe mbështetje psikologjike me qëllim që të shërohet nga pasojat që ka shkaktuar tërmeti.
Duhet normalisht të flitet me dikë që ndihmon në rregullimin emocional rreth faktorëve që e shkaktojnë ankthin situacional. Gjithashtu, rekomandoj lidhjet dhe ndërveprimin me komunitetin, të cilat ndihmojnë duke ndikuar pozitivisht në reduktimin e nivelit ankthit tek individit. Megjithatë, mbetet për t’u theksuar se disa praktika janë edhe personale, por Flet psikologia: Si duhet të sillemi me fëmijët pas tërmetit edhe meditimi, ecja në natyrë mund të ndikojë pozitivisht në ruajten e ekuilibrave emocionalë.
Njerëzit kanë frikë t’i kthehen rutinës, goditjet e njëpasnjëshme që kanë mbizotëruar këto ditë e kanë rënduar gjendjen e tyre psikologjike. Çfarë do t’iu vinte në ditë në të tilla raste?
Tërmeti ka shkaktuar traumë kolektive, e cila manifestohet në forma të ndryshme te çdo individ. Mendoj se e udhës është përballja me situatën dhe zbehja e frikërave irracionale, me qëllim që elementët e traumës të zbuten.
Fëmijët janë ata që e kanë përjetuar më së shumti. Si mund të tejkalohet kjo?
Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të menaxhojnë emocionet e tyre. Të mbajnë fëmijët e tyre larg emisioneve apo lajmeve që trajtojnë katastrofat natyrore siç janë tërmeti. T’i mbajnë fëmijët larg zhurmave dhe t’i mbështesin në aspektin emocional duke biseduar vazhdimisht për përjetimet dhe ndjesitë e tyre. Nëse një prind konstaton se fëmija po përjeton vështirësi në funksionimin e përditshëm dhe këto janë me intensitet të lartë, është e nevojshme që të drejtoheni te psikologu për një vlerësim të fëmijës. Gjithashtu, duhet monitoruar gjendja psikologjike nga prindi dhe niveli i bashkëveprimit edhe me anëtarët e familjes apo moshatarët.
Në dijeni time, ju këto ditë keni shkuar edhe në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Çfarë keni hasur atje?
Unë kam shkuar si vullnetare në emër të Organizatës SOS, Fshatrat e Fëmijëve, për të mbështetur me asistencë psikologjike fëmijët apo familjet që gjendeshin në kampin e Thumanës. Situata psiko-emocionale paraqitet e ngarkuar, kam konstatuar simptoma të stresit posttraumatik, por ka pasur dhe raste që kanë pasur mbivendosje të çrregullimeve si rrjedhojë e historive të mëparshme.
Çdo individ në këtë situate është afektuar në aspektin psikologjik dhe atë emocional. Ata po mbështeten profesionalisht, por shërimi emocional do të jetë gradual dhe nevojitet të ndërhyhet nga individë të specializuar në fushën e psikoterapisë.