1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Situata në veri, mesazhet e Macronit dhe Scholzit, bashkëpunimi Kosovë-Francë, gjithçka nga intervista me ambasadorin Guerot

Më të lexuarat

Diplomati francez ka zbërthyer mesazhet e Francës dhe Gjermanisë dhe çka pritet saktësisht nga palët, gjersa ka treguar edhe për përfshirjen e presidentit të shtetit të tij, Emmanuel Macron, në dialogun Kosovë – Serbi.

Ai në intervistën për Telegrafin theksoi se mesazhet kryesore që presidenti francez dhe kancelari gjerman i kanë përcjellë presidentes së Kosovës dhe të Serbisë janë nevoja për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, nevoja për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja lokale si dhe përparim drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Guerot theksoi se të tilla mesazhe janë përfshirë në deklaratën e 27 anëtarëve të Bashkimit evropian të publikuar fundjavën e kaluar, në të cilën ka edhe kërkesa specifike për qetësimin e situatës.

Duke folur për situatën në veri të vendit ai tha se është shqetësuese dhe se këtë e thonë edhe 27 vendet anëtare në këtë deklaratë.

“Dënojmë dhunën ndaj qytetarëve, gazetarëve, ushtarëve të KFOR-it dhe forcave të rendit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të shmangin çdo lloj dhune dhe të marrin masa për qetësimin e gjendjes. Kjo nënkupton në veçanti pezullimin e veprimeve të pakoordinuara të policisë kosovare pranë objekteve komunale dhe që kryetarët e rinj të ushtrojnë funksionet e tyre nga vende tjera.

Kjo nënkupton edhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja dhe sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve. Për të siguruar këtë pjesëmarrje, kjo nënkupton fillimin pa vonesa të mëtejshme të punës për themelimin e asociacionit te komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Diplomati francez u shpreh se presidenti Macron është i angazhuar vendosmërisht në dialogun Kosovë-Serbi, përkrah kancelarit Scholz, siç e tregoi këtë edhe në Kishinau.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë dhe të rregullt me të gjitha vendet që, si ne, janë shumë të përfshira: brenda BE-së, në veçanti Italinë, dhe natyrisht me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Zgjidhja e këtij problemi kërkon masa afatshkurtra të përmendura më lart dhe ri-angazhimin e dy palëve në procesin e dialogut me synimin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës e cila garanton sigurinë dhe pjesëmarrjen demokratike të të gjithë qytetarëve dhe i hap rrugën zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin dhe aneksit të saj. Kjo nënkupton veçanërisht fillimin pa vonesa apo parakushte të punës për themelimin e asociacionit”, tha ai.

Sipas diplomatit francez Marrëveshja e Ohrit është e dobishme për të dy vendet dhe veçanërisht për qytetarët e tyre dhe se komuniteti ndërkombëtar pret që Kosova dhe Serbia të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse, t’i japin fund veprimeve të njëanshme, të marrin masa afatshkurtra për të siguruar qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe të ri-angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut, për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj.

“Ky është një kusht i qartë për integrimin në Bashkimin Evropian, si dhe për ndjekjen e reformave për integrimin korpusit ligjor, reforma të cilat janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Ambasadori i Francës ka folur edhe për përshtypjet e tij për Kosovën, që nga ardhja e tij në Prishtinë, në vitin 2022.

Ai tha se Kosova është një vend shumë i bukur, shumë tërheqës.

“Kam shumë kënaqësi që po e njoh dhe përpiqem të vizitoj të gjitha qytetet dhe të takoj sa më shumë njerëz, nga të gjitha komunitetet. Njerëzit janë të lodhur nga krizat dhe tensionet. Shumë prej tyre kanë anëtarë të familjes në diasporë në Zvicër, Gjermani, Francë apo gjetkë dhe prandaj ndjej një afërsi të madhe me vendin tim.

Diplomati francez  ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Francës.

“Ne kemi marrëdhënie të thella, baza e së cilave është angazhimi i vendosur i Francës dhe ushtarëve të saj për të çliruar Kosovën gjatë luftës dhe më pas në kohën e pavarësisë së Kosovës. Është e rëndësishme të kujtojmë se Franca ka dëshmuar gjithmonë mbështetjen e saj të palëkundur në momentet vendimtare për Kosovën.

Kuptohet se bashkëpunimi ynë është më shumë i orientuar drejt së ardhmes, sesa kujtimit të së kaluarës. Ne marrim pjesë në trajnimin e nëpunësve civilë në Kosovë, sepse duam një Kosovë funksionale, e cila një ditë mund të anëtarësohet në BE. Ne i shumëfishojmë lidhjet me një rajon në veri të Francës, të ngjashëm me Kosovën për nga territori. Zhvillojmë aktivitete shumë të larmishme edhe në fushën kulturore. Disa shembuj: ne kemi nënshkruar një marrëveshje për të lehtësuar bashkëprodhimin e filmave midis dy vendeve tona. Ne punojmë ngushtë me Ministrinë dhe profesorët e frëngjishtes për të ruajtur cilësinë e mësimit të frëngjishtes. Ne kryejmë gërmime arkeologjike në zonën e Ulpianës, afër Graçanicës, me arkeologë kosovarë të trajnuar në Francë. Për më tepër, dëshiroj që të ketë edhe më shumë studentë kosovarë në Francë, në të gjitha fushat”, tha ai.

Ai ftoi studentët e prindërit që të njihen me programet Erasmus+, të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë financiarisht këto shkëmbime. Universitetet franceze ofrojnë të gjitha kurset e mundshme, në frëngjisht sigurisht, por shumë shpesh edhe në anglisht.

“Aleanca franceze e Prishtinës mund t’u përgjigjet të gjitha kërkesave për informacion mbi këtë temë. Dhe së fundi do të doja të shtohen shkëmbimet ekonomike. Shoh me kënaqësi shumë vetura franceze në rrugët e Kosovës dhe produkte franceze nëpër dyqane. Tashmë ka investime të konsiderueshme franceze në Kosovë.

Aeroporti i Prishtinës, për shembull, bashkë-menaxhohet nga një kompani turke dhe një kompani franceze. Ky është vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Ka kompani franceze që janë të gatshme të investojnë në fushën e energjisë së ripërtritshme. Ne punojmë për të lehtësuar këto investime sepse lufta kundër ndryshimeve klimatike u takon të gjitha vendeve, Kosovës gjithashtu”, tha diplomati fracnez. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit