Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se BE-ja ka paraqitur një propozim për zgjidhjen e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Para fillimit të punimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së, Borrell tha se qështja e Ballkanit Perëndimor do të jetë temë diskutimi, derisa theksoi se propozimi i BE-së për situatën në Kosovë duhet parë si një rrugëdalje e mirë.
“Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë”, tha Borrell.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilat kanë rënë dakord shumë vite më parë.
Kujtojmë se Borrell pas takimeve që pati me liderët e të dy vendeve në Paris, deklaroi se serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, ndërsa Kosova duhet të harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit pa vonesa. /Telegrafi/