Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka folur së fundmi për tensionin e krijuar mes vendit të tij edhe SHBA-ve, pas vendimit për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia.
Ai ka deklaruar se çështja e blerjes së këtij sistemi rus “nuk ka lidhje as me NATO-n, as me projektin F-35 dhe as me sigurinë e SHBA-ve.
“Është shumë e qartë se për çfarë flitet, në cilat kushte dhe në çfarë mënyre po e blen Turqia këtë sistem të mbrojtjes ajrore. Çështja e blerjes së sistemit S-400 nuk ka lidhje as me NATO-s, as me projektin F-35 dhe as me sigurinë e SHBA-ve, këtë e dinë mirë ata që e njohin këtë çështje”, tha Erdoğan në qytetin Diyarbakır.
Më tej në fjalimin e tij, presidenti Erdoğan shtroi pyetjen se “pse po ushtrohet ky presion ndaj Turqisë për blerjen e sistemit S-400”, dhe ju përgjigj po vetë duke theksuar se qëllimi është diçka tjetër.
“Çështja nuk është S-400, por sepse Turqia po vepron me vullnetin e saj në lidhje me zhvillimet në rajonin e saj, kryesisht në Siri. Fatkeqësisht dëshiroj të shpreh se ka edhe disa qarqe në vendin tonë që dikush qartazi dhe dikush në fshehtësi ofrojnë mbështetje kundër erërave që fryjnë ndaj nesh. Por, çfarëdo që të bëjnë, përpjekjet e tyre janë të kota. Turqia nuk do të kthehet kurrë nga kjo rrugë ku ajo ka hyrë për të ardhmen dhe pavarësinë e saj ku ajo ka paguar një kosto si 15 korriku dhe ka dhënë edhe dëshmorë. Ne nuk i kemi harruar ata të cilët sot na bëjnë presion, se si dje i mblodhën dhe i morën sistemet aktuale ndërkohë që në territoret tona binin bombat dhe raketat e terroristëve. Shpresojmë se si shumë ngjarje në të kaluarën, edhe këtë ne do ta zgjidhim me mendje të shëndoshë ashtu si e kërkon logjika dhe interesat e përbashkëta”, deklaroi Erdoğan.
Ndër të tjera, presidenti Erdoğan ka rikujtuar se “më parë kërkonim nga miqtë tanë mjetet ajrore pa pilot, si dhe dronët e armatosur, por na thanë fatkeqësisht nuk e lejon Kongresi”.
“Çfarë ndodhi më pas… ne i prodhuam vetë dronët e tipit të armatosur dhe të pa armatosur. Dhe, gjithashtu tani po prodhojmë modele edhe më të përparuara”, theksoi ai.
Pasi deklaroi se së bashku me të rinjtë do të arrijnë objektivat e tyre 2023 dhe më pas të rinjve do t’ua besojnë vizionet 2053 dhe 2071, Erdoğan tha se ndoshta nuk do ia arrijë t’i shohë këto ditë, por se të rinjtë e Turqisë do t’i shohin.