1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

SISTEMI ARSIMOR

Më të lexuarat

Drejtori i shkollës kishte thirrur në zyrën e tij tre mësues. Me të ulur, ai u tha: “Ju jeni zgjedhur si mësuesit më të mirë dhe më të aftë të shkollës vitin e kaluar. Për këtë, jeni zgjedhur që të jepni mësim në tre klasa. Nxënësit e përzgjedhur janë më të mirët e shkollës, më të dalluarit, më të zgjuarit dhe më të sjellshmit. Secila klasë ka 30 nxënës. prej jush kërkohet që të mos u tregoni se janë nxënësit më të mirë në shkollë, pasi kështu do të shkaktonin pakënaqësi tek prindërit e nxënësve të tjerë, gjë të cilën nuk e duam.”

Filloi viti i ri mësimor dhe përfundoi dhe rezultatet e këtyre nxënësve ishin rezultatet më të larta në të gjithë shkollën, siç dhe pritej. Madje, rezultatet kishin një rritje prej 20-30 % nga një vit më parë në rang rajonal.

Drejtori i mblodhi në fund të vitit shkollor tre mësuesit më të mirë dhe i pyeti për mendimin e tyre rreth kësaj përvoje të re. Secili pohoi se kishte qenë një eksperiencë e mrekullueshme dhe se ajo që ua kishte lehtësuar maksimalisht misioni ishte përzgjedhja e atyre nxënësve me inteligjencë të lartë. Ata thanë se këta nxënës të mrekullueshëm, u kishin kursyer shumë mund e djersë.

Këtu ndërhyri drejtori dhe i la pa fjalë me atë që u tregoi. Ai u tha: “Më lejoni kolegë të nderuar që t’u tregoj të vërtetën si qëndron puna. Në fakt, këta 90 nxënës janë përzgjedhur rastësisht, ata nuk ishin aspak më të mirët e shkollës, por ishin të përzier.”

Tre mësuesit shikonin njëri-tjetrin dhe nuk dinin çfarë të thoshin. Dikush tha: “Atëherë qenkemi ne shkaku i suksesit marramendës të tyre!!!”

Drejtori, duke buzëqeshur u përgjigj: “Tani më lejoni t’u tregoj të vërtetën tjetër. Emrat tuaj u zgjodhën përsëri rastësisht. pasi ishin shkruar emrat e të gjithë mësuesve të shkollës, unë mbylla sytë dhe vendosa gishtin tek tre emra, ishin pikërisht emrat tuaj.”

Mësuesit pyetën njëzëri: “Atëherë cili është shkaku i suksesit të këtyre nxënësve?!”

Drejtori u tha: “Shkaku është se ju i ndërtuat pritshmëritë në bazë të disa informacioneve që u dhashë unë. Pritshmëritë tuaja ishin tepër të larta për këta nxënës dhe në fund të vitit, këto pritsmhëri u realizuan. Kjo, edhe pse informacioni nuk ishte i saktë.”

URTËSIA:

Ti je produkt i mënyrës së menduarit dhe i pritshmërive që ke për veten. Ai që ka frikë lugetërit, i sheh ato. Ai që pret të mirën, i vjen. Jini optimist dhe e mira do u ndjekë pas. Në kushtet më të vështira, mos u fokusoni tek problemi, por tek zgjidhja.

Krahas kësaj, gjithmonë pyetni veten para se të pyeteni në Ditën e Gjykimit: “Si do përgjigjem para Krijuesit kur të më pyes si e kreva detyrën në këtë botë dhe mos hyni në lojat partiake që janë bërë përditshmëri?!” 

Lutfi Muaremi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit