0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Siria, shkak i një zemërimi europian me Serbinë

Më të lexuarat

Siria, shkak i një zemërimi europian me Serbinë


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano vuri në dukje se vendimi i Serbisë për të dërguar përsëri një ambasador në Siri është në kundërshtim me pozicionin e Brukselit dhe kujtoi se rruga e anëtarësimit në BE nënkupton harmonizimin me politikën e saj të jashtme.

“Pozicioni i BE mbi normalizimin e marrëdhënieve me regjimin në Siri është i qartë dhe i pandryshuar dhe zgjedhjet e fundit të organizuara nga regjimi sirian nuk mund të çojnë në ndonjë masë të normalizimit ndërkombëtar,” i tha Stano Radios Evropa e Lirë (RFE).

Ai tha se dërgimi i ambasadorit në Damask nënkupton dorëzimin e letrave kredenciale kreut të shtetit, në këtë rast Presidentit sirian Bashar al-Assad, “i cili është në listën e sanksioneve të BE dhe nuk ka asnjë legjitimitet demokratik si president”.

“Ai është dikush që mbikëqyri dhunën masive brutale të kryer nga trupat e regjimit ndaj popullsisë, duke përfshirë përdorimin e armëve kimike. Këto janë arsyet pse vendet anëtare të BE nuk dërgojnë ambasadorë në Damask për t’i dorëzuar letrat kredenciale Asadit. Ata kanë përfaqësues atje në cilësinë e të ngarkuarit me punë, të cilët nuk kanë pse t’i dorëzojnë letrat kredenciale kreut të shtetit”, deklaroi Stano.

Duke deklaruar se përfaqësimi i vendeve kandidate në Damask është brenda kompetencës së atyre vendeve, Stano vuri në dukje se në rastin e vendimit të Beogradit, “duhet të merret parasysh se qeveria serbe ka konfirmuar vazhdimisht se integrimi evropian është një përparësi strategjike për vendin.”

Ai shtoi se kjo përfshiu “rreshtimin progresiv me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE”.

Mandati katër-vjeçar i ambasadorit serb në Siri, Jovan Vujasinoviç, skadoi në 2013. Pas kësaj, një i ri nuk u emërua dhe në vendin e tij deri më tani ishte i ngarkuari me punë Milan Vijatoviç.

Emri i ambasadorit që do të përfaqësojë Serbinë në Siri nuk është njoftuar ende.

Shumica e vendeve evropiane dhe Shtetet e Bashkuara tërhoqën ambasadorët nga Damasku ose ulën aktivitetet në nivelin e “të ngarkuarit me punë” në 2012, pasi regjimi i Asadit akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte.

Sidoqoftë, Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd deklaroi se Serbia “kurrë nuk ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit