“Lufta kundër terrorizimit në Siri po shkon drejt fundit”. Kështu është shprehur presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit në Soçi me Bashar al Asadin.
Gjatë takimit surprizë, lideri i Kremlinit ka kërkuar që procesi politik në Siri “të jetë nën monitorimin e OKB-së”, duke shtuar se Kombet e Bashkuara kanë një “pjesë aktive”. Asad ka nënvizuar se pret “një zgjidhje të vërtetë politike në Siri”.
“Doja të të përgëzoja për rezultatet e arritura në Siri në luftën kundër terrorizimit, për faktin që populli sirian po përjeton momente shumë të vështira dhe po afrohet një humbje e pashmagshme e terroristëve”, – ka pohuar presidenti rus gjatë takimit trepalësh Rusi-Turqi-Iran i dedikuar krizës siriane.
“Kemi akoma një rrugë të gjatë për të kryer para se të mbërrijmë te një fitore e plote ndaj terroristëve, por për sa i takon punës sonë të përbashkët në luftën kundër terrorizimit në Siri, operacioni ushtarak është drejt mbylljes”, – ka nënvizuar Putin, duke folur me Asad.
“Tani gjëja më e rëndësishme është të zgjidhim këto probleme politike dhe jam i kënaqur nga gatishmëria e të gjithë që duan të gjejnë një paqe dhe një zgjidhje të konfliktit”, – ka shtuar kreu i shtetit rus.