-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Siri, nxënësit në Gutën Lindore përballen me vështirësi në procesin arsimor

Më të lexuarat

Krahas ndihmave humanitare, në rajonin që regjimi i Asadit e mban të bllokuar prej gjashtë vitesh, pengohet edhe hyrja e pajisjeve shkollore

GUTA LINDORE (AA) – ADHAM KAKO/MOHAMAD MİSTO

Fëmijët dhe familjet e tyre në rajonin e Gutës Lindore në afërsi të Damaskut në Siri janë duke u ballafaquar me probleme në mbarëvajtjen e procesit arsimor, pasi që regjimi i Beshar al Asadit nuk lejon hyrjen e pajisjeve shkollore në këtë rajon të cilin e mban nën rrethim ushtarak, raporton Anadolu Agency (AA).

Krahas ndihmave humanitare, në rajonin që regjimi i Asadit e mban të bllokuar prej gjashtë vitesh, pengohet edhe hyrja e pajisjeve shkollore. Rritja e kërkesës për mjete shkollore me hapjen e shkollave, ka sjellë me vete edhe rritjen e çmimeve.

Familjet me të ardhura mujore prej 25 mijë lirash siriane (49 dollarë) janë të detyruar të paguajnë së paku pesë mijë lira siriane (10 dollarë) për çdo fëmijë, për t’u siguruar tekste shkollore, fletore, lapsa dhe mjete të tjera të nevojshme.

Adnan Selik, drejtori i Arsimit në Gutën Lindore, i cili vepron nën qeverinë e përkohshme të opozitarëve, thotë se “në këtë rajon funksionojnë 140 shkolla, ndërsa në kuadrin arsimor të angazhuar janë 3.400 arsimtarë”.

Selik thotë se janë duke u përballur me vështirësi për t’u siguruar nxënësve tekste të reja shkollore, pasi që, siç thotë, tekstet që aktualisht i posedojnë janë nga vitin 2014-2015 dhe tanimë janë të papërdorshme.

Ndërkaq, 11-vjeçari Zekerije Xhuma, duke i rrëfyer për AA vështirësitë e tij, tha: “Librat në shkollën tonë janë të pakta dhe të vjetra, ndërsa çmimet e fletoreve dhe librave janë rritur shumë”.

Edhe Muhamed Xhevat, 12-vjeçar tregon për çmimet e larta të pajisjeve shkollore. “Fletoret më parë kushtonin 50 lira siriane (0,10 dollarë), ndërsa tani janë 700 lira siriane (1,30 dollarë). Çmimi i fletoreve është rritur thuajse 15-fish. Ne përdorim çanta shumë të vjetra. Edhe shkollat tona janë të vogla. Duam shkolla më të mëdha”, thotë Xhevat.

Numri i nxënësve është rritur, klasat nuk mjaftojnë

Drejtori i një shkolle në Gutën Lindore, Omer Rijhani, thekson se numri i nxënësve që janë regjistruar këtë është më i madh në krahasim me vitin e kaluar. “Megjithëse regjimi nuk e respekton në tërësi, marrëveshja për ‘zonat jokonfliktuale’ ka sjellë pakëz qetësi në rajon. Për këtë arsye, numri i nxënësve është rritur. Për shembull, numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë në shkollën time vitin e kaluar ishte 125, kurse sivjet ka shkuar në 240”, shprehet Rijhani.

“Shkollat nuk mjaftojnë, sepse shumica ishin shënjestruan nga sulmet e regjimit dhe u shkatërruan”, shtoi ai, duke theksuar se është e rëndësishme që të hapen klasa të reja.

Guta Lindore përfshin disa distrikte në lindje të Damaskut, ndërsa në të jetojnë rreth 400 mijë persona.

Në raundin e katërt të bisedimeve në Astana për gjetjen e zgjidhjes për Sirinë që u mbajt më 3 dhe 4 maj, Turqia, Rusia dhe Irani shpallën Gutën Lindore si një nga zonat jokonfliktuale. Armëpushimi hyri në fuqi më 22 korrik, megjithatë, regjimi vazhdon të ndërmarrë sulme në rajon.

Në javën e fundit, Guta Lindore u sulmua më tri herë, më 23, 25 dhe 27 shtator, ndërsa si pasojë humbën jetën pesë civile.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit