Rritet numri i foshnjave që vdesin për shkak të mungesës së ushqimit në Gutan Lindore
GUTA LINDORE/ANKARA (AA) – Mungesa e ushqimit në Gutan Lindore të Damaskut, e cila është nën bllokadën e regjimit të Bashar Asadit, po shkakton vdekjen e foshnjave në këtë rajon. Në dy ditët e fundit në këtë vend kanë humbur jetën edhe dy foshnja, shkruan Anadolu Agency (AA).
Rreth 400 mijë civilë të Gutas Lindore, e cila ndodhet në lindje të Damaskut në Siri, për më shumë se 5 vite po mbahen nën bllokadën e regjimit të Asadit.
Përkundër asaj që Guta Lindore ishte shpallur një nga zonat jokonfliktuale në bazë të marrëveshjes në Astana, në mes të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, regjimi i Asadit ende vazhdon sulmet ajrore në këtë rajon.
Si pasojë e sulmeve të regjimit, qendra të shumta shëndetësore dhe depo të ilaçeve janë në gjendje të papërdorueshme.
Gjatë muajve të fundit regjimi sirian dhe grupet e huaja terroriste, mbështetës të regjimit, ndalojnë që popullata e Gutas Lindore të mbërrijë tek materialet e nevojshme nëpërmjet rrugëve ilegale, tunelëve apo tregtarëve ndërmjetësues.
Ushqimi për foshnja dhe qumështi në rajon ka përfunduar tërësisht.
Sipas gazetarit të AA-së në Gutan Lindore, foshnja njëmuajshe Sehef Difda, e cila ishte marrë në trajtim menjëherë pas lindjes, mbrëmë ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së ushqimit.
Pamjet nga momentet e fundit të jetës së foshnjës Seher në qendrën e shëndetësisë ku po trajtohej u kapën nga kamera e AA-së. Në pamje shihej se foshnja ishte mjaft e dobët dhe e lodhur.
Foshnja u varros sot në orët e mëngjesit nga familja e saj.
Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë të Institutit për Zhvillim në Siri, Dr. Jehya Abu Jehya, thotë se foshnja Seher nuk ka arritur të zhvillohet në mitrën e nënës për shkak të mungesës së ushqimit. Në mungesë të mundësive mjekësore, Jehya bëri të ditur se foshnja ka humbur luftën me jetën mbrëmë, pas një muaj përpjekjesh.
Edhe foshnja Ubejde humbi jetën
Në një deklaratë nga rrjeti social i qendrës mediale të Gutas Lindore thuhet se “Si pasojë e mungesës së ushqimit, e cila po ndodh si rezultat i bllokadës për pesë vite kundër Gutas Lindore nga regjimi dhe mbështetësit e tij, foshnja njëmuajshe Ubejde humbi jetën në qendrën ku po trajtohej”.
Qendra vuri në dukje se për shkak të bllokadës së regjimit nuk arrihet të gjendet ushqim dhe qumësht i mjaftueshëm dhe se kjo gjendje po shkakton rritjen e madhe e rasteve të vdekjes tek të sapolindurit.
Përpjekja për prodhimin e ilaçeve barërave dështoi
Specialisti i Sëmundjeve Pediatrike në Qendrën e Kujdesit Emergjent “El Hakim” në Gutan Lindore, që ndodhet nën kontrollën e opozitarëve, Dr. Ismail Hakim në një deklaratë për AA-në tha se janë përpjekur që të prodhojnë ilaçe vendore për trajtimin e fëmijëve të cilët ballafaqohen me problemin e mungesës së ushqimit, duke përdorur produkte si grurë, oriz e sheqer.
“Për fat të keq ilaçet e përfituara ishin të pakta dhe të kushtueshme. Këto ilaçe përmbushën vetëm 10 për qind të nevojave tona. Ne hoqëm dorë nga prodhimi për shkak të kostos së lartë”, thotë Hakim.
Duke vënë në dukje se në periudhat e fundit si pasojë e mungesës së ushqimit ka rritje të vdekjes tek të sapolindurit, Hakim thotë se çdo i katërti fëmijë ballafaqohet me mungesë të ushqimit.
Ai tha se ambienti i luftës dhe i bllokadës ndikon në psikologjinë e nënave dhe shkakton probleme të mëdha në zhvillimin e fëmijëve të cilët ushqehen me qumështin e nënës.
Infermieri i spitalit “Der Shifa” në Gutan Lindore, Rim Vexhdi thotë se po përpiqen që ta përmirësojnë gjendjen e një foshnjeje 7 muajshe të sëmurë, duke i dhënë qumësht formule në mënyrë të rregullt. Vexhdi tha se fëmijët në rajon kanë nevojë për qumësht dhe ushqim të rregullt.
Foshnja njëditëshe Muhammedi, u shpëtua me një operim të vështirë në një qendër mjekësore të fshehur nën tokë në Gutan Lindore, mirëpo nuk arriti t’u rezistojë kushteve të rënda nga rrethimi dhe ndërroi jetë javën e kaluar.