Autoritete të OBSH-së, që kryen inspektime në Siri, bënë të ditur se tashmë vaksina e poliomielitit mund të aplikohet vetën në 60 për qind të territorit të këtij vendi.
Lufta civile gati 3-vjeçare në Siri ka goditur edhe spitalet, personelin sanitar e sektorin farmaceutik, teksa koston më të rëndë po e paguajnë fëmijët dhe civilët.
OBSH-ja njoftoi më 29 tetor se në veri të Sirisë kishte filluar epidemia e poliomielitit, që mund të përhapej si në pjesët e tjera të vendit ashtu edhe jashtë tij.
Virusi i kësaj sëmundjeje, që ndryshe njihet edhe si paraliza infantile, transmetohet nëpërmjet rrugëve fekalo-orale dhe kërcënon veçanërisht shëndetin e fëmijëve nën 5 vjeç.
Në shënjestër të poliovirusit janë në veçanti fëmijët, që jetojnë në kushte jo të shëndetshme në kampet brenda dhe jashtë Sirisë.
Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, 22 fëmijë janë paralizuar nga poliovirusi në rrethinat e Dejr ez-Zorit, një nga zonat e luftimeve më të ashpra.
Specialistët tërheqin vëmendjen se shumica e fëmijëve të prekur nga paraliza infantile janë nën 2 vjeç, pasi ata nuk kanë mundur të marrin asnjë dozë të vaksinës përgjatë luftimeve pothuajse 3-vjeçare.
Sipas shifrave të publikuara nga UNICEF-i, në 3 vitet e fundit 500 mijë fëmijë sirianë nuk kanë gjetur dot mundësi të vaksinohen kundër sëmundjeve si fruthi, shytat dhe poliomieliti./trt/kohaislame