-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Siri, elementët e regjimit vazhdojnë t’i dorëzojnë armët dhe të regjistrohen në administratën e re

Më të lexuarat

Administrata e re e Sirisë hapi qendra për identifikimin dhe pajtimin pasi regjimi i partisë Baath që sundoi vendin për më shumë se gjashtë dekada u rrëzua më 8 dhjetor

Anëtarët e strukturave ushtarake dhe të sigurisë së regjimit të rrëzuar të Bashar al-Asadit po paraqiten masivisht në qendrat për identifikimin dhe pajtimin, të cilat administrata e re e Sirisë i ka krijuar për të regjistruar dhe çarmatosur zyrtarët e ish-regjimit, raporton Anadolu.

Administrata e re siriane vendosi këtë praktikë pasi regjimi i partisë Baath që sundoi Sirinë për më shumë se gjashtë dekada u përmbys më 8 dhjetor.

Pika e rekrutimit në lagjen Mezze të kryeqytetit të Sirisë, Damask, përdoret si një qendër për pajtimin dhe identifikimin, të themeluar nga qeveria e re. Një numër i madh personash po presin në derën e hekurit jashtë objektit. Ata që regjistrohen në radhë, ftohen të hyjnë brenda pasi të lexohen emrat e tyre.

Në hyrje të qendrës, ata që presin në radhë, nëse kanë armë, i lënë ato përpara dhe duke shkelur një foto të Bashar al-Asadit, hyjnë në ndërtesë. Brenda, përfaqësues të administratës së re të Sirisë regjistrojnë të dhënat personale të individëve, vendbanimin e tyre dhe detyrat që kanë pasur gjatë periudhës së regjimit. Ata fotografohen në dalje së bashku me dokumentet që u janë dhënë.

Ata që regjistrohen marrin një kartë identiteti të përkohshme për tre muaj, e cila u mundëson të qarkullojnë në mënyrë të sigurt në vend.

– Rreth 1.200 persona dorëzojnë armët dhe regjistrohen çdo ditë në Damask

Walid Abdurabu, zyrtari i administratës së re siriane i ngarkuar për qendrat e identifikimit dhe pajtimit nën kujdesin e Ministrisë së Brendshme, tha për gazetarin e AA-së se qendrat përdoren për regjistrimin dhe çarmatimin e ushtarëve, policëve dhe të gjithë zyrtarëve të burokracisë së sigurisë së regjimit.

Abdurabu tha se jo vetëm ushtarët dhe policët, por edhe forcat paramilitare të regjimit, të njohura si “Shabbiha”, kanë shkuar në këto qendra. “Ata vijnë, dorëzojnë armët dhe ne u japim një kartë të përkohshme për tre muaj. Gjatë kësaj periudhe ata mund ta përdorin këtë kartë si letërnjoftim”, tha ai.

Sipas tij, çdo ditë rreth 1.200 deri në 1.500 persona regjistrohen në çdo qendër në Damask. Abdurabu tha se ushtarët dhe punonjësit e regjimit mund të kthehen në jetën e zakonshme, për sa kohë që nuk kanë gjak në duar. “Ata janë fëmijë të popullit sirian. Regjimi i ka udhëhequr ata në mënyrë të gabuar. Disa nga këta njerëz përdorën armët kundër popullit dhe regjimi u dha atyre fuqi të pakufizuar. Kjo ishte larg sundimit të ligjit dhe llogaridhënies”, tha ai.

“U bëj thirrje të gjitha grupeve të armatosura të regjimit: Ejani në këtë qendër pajtimi dhe dorëzoni armët, në mënyrë që të mos humbni këtë mundësi. Nëse i mbajnë armët, do të thotë se do t’i përdorin ato për të kryer akte të banditizmit kundër popullit ose qeverisë. Kjo nuk do të lejohet”, tha ai.

– Ushtarët dhe policët e regjimit të rënë ankohen për administratën e Asadit

Ata që kanë punuar në ushtri dhe siguri gjatë regjimit të mëparshëm ankohen se nuk mund të mbijetonin me pagat që merrnin.

Ibrahim Dib (42-vjeç), i cili ka punuar si polic për 23 vjet nën regjimin e dikurshëm, tha se gjatë periudhës së regjimit “populli trajtohej në mënyrë ekstreme” dhe se kjo ishte arsyeja pse ai mori pjesë në përpjekjet për normalizim dhe pajtim.

Kur u pyet nëse kishte momentet e pendesës për detyrat e tij gjatë regjimit, Dib tha: “Nuk mund të përdornim fjalë si “rezistencë”. Ishte një regjim sektar. Vetëm një grup i caktuar mund të arrinte në pozita të larta. Pendesa ime më e madhe është që gjatë 23 viteve të punës time nuk kam arritur asgjë në planin personal. Akoma jetoj me qira. Ne ishim klasa më e dobët. Të gjithë e dinë se Ministria e Brendshme, policia dhe siguria ishin në nivelin më të ulët të pagës dhe pozitës. Ka patur preferenca vetëm për liderë të caktuar”.

– “Populli sirian nuk jetonte, vetëm udhëheqësit dhe rrethi i tyre jetonin”.

Ali Asi nga qyteti i Latakias, i cili tha se ka shërbyer në ushtrinë e regjimit të Asadit dhe ka qenë në vijën e parë të frontit, tha se e dorëzoi armën e tij. “Revolucioni është suksesi i popullit sirian, shtypja, mizoria dhe vështirësitë ekonomike në të cilat ishin njerëzit kanë mbaruar”, tha ai.

Duke thënë se populli sirian do të rindërtojë vendin me të gjitha sektet e tij, Asi tha: “Vendi kishte nevojë për një ekonomi dhe jetë të re. Populli sirian nuk jetonte, vetëm udhëheqësit dhe rrethi i tyre jetonin. Ardhja e këtyre miqve do të sjell ngushëllim për të gjithë”, shtoi ai.

Asi tha se nuk i frikësohet të ardhmes, por se ata që mbollën përçarje mes popullit sirian duhet të parandalohen dhe se përçarja ishte më e rrezikshme se vdekja. Duke potencuar se arritja e opozitës siriane në Damask është një fitore, Asi tha se do të ketë rimëkëmbje ekonomike dhe siguri.

“Unë e kam dorëzuar armën, na kanë trajtuar mirë. Kemi parë se çfarë ka ndryshuar, nuk krahasohet me të kaluarën. Ata po bëjnë çmos për të ndihmuar. Së pari, tani ka më shumë bukë. Sot, shumë gjëra që çojnë në varfëri kanë marrë fund”, u shpreh ai.

– Ushtarët dhe policia thanë se ishin nën presion

Oficeri, i cili dëshironte të mbetet anonim, tha se ai ishte përgjegjës për çështjet financiare në ushtrinë e regjimit dhe se ishte nën presion të madh pasi dy nga katër vëllezërit e tij u rreshtuan në anën e opozitës.

Ai thotë se tashmë është çarmatosur dhe se kishte ndërmend të largohej nga ushtria, por nuk e bëri këtë nga frika se vëllai i tij më i vogël dhe e gjithë familja e tij do të dërgoheshin në qendrat e torturës së Asadit.

Punonjësi i policisë tha se ishin shumë të varfër, madje oficerët e lartë u konfiskuan atyre rrogat mujore për t’i futur në xhepat e tyre me arsyetime të ndryshme.

Duke theksuar se pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë merrnin rroga të ulëta dhe se ishin një segment i varfër i shoqërisë, ky oficer tha se duhej të punonte në treg për t’i siguruar familjes gjërat elementare të jetës.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit