Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se 855 punonjës shëndetësorë janë vrarë gjatë luftës civile në Siri, përfshirë 669 nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një raport të publikuar mbi vdekjen dhe burgosjen e punonjësve të shëndetit nga fillimi i luftës civile në mars të vitit 2011, thuhet se forcat e regjimit sirian, që mbështeten nga grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, kanë vrarë 699 punonjës të shëndetit, ndërsa 68 kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të forcave ruse.
Organizata terroriste DEASH ka vrarë 40 pjesëtarë të kujdesit shëndetësor, koalicioni ndërkombëtar anti-DEASH 13, organizata terroriste YPG/PKK 8, grupet opozitare 36, ndërkohë që 21 të tjerë janë vrarë nga palë të paidentifikuara.
3.353 punonjës shëndetësorë presin lirimin
Gjersa bota po lufton kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), në Siri, gjithsej 3.353 punonjës shëndetësorë të burgosur, prej të cilëve 3.327 nga regjimi, presin t’u kthehet liria.
Nga ana tjetër, sipas raportit, objektet shëndetësore në rajone të ndryshme të Sirisë janë bombarduar 860 herë gjatë luftës civile.
87 për qind e sulmeve ndaj këtyre objekteve janë kryer nga regjimi i Asadit dhe forcat ruse.