-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Sinqeriteti në therjen e kurbanëve

Më të lexuarat

Allahu thotë në Kuran: Tek Allahu nuk mbërrin as mishi e as gjaku i tyre (i kurbaneve); është devotshmëria juaj që mbërrin tek Ai. Ai jua nënshtroi ato (bagëtitë për kurban) që ta madhëroni Allahun, i cili ju udhëzoi në Rrugën e Drejtë. Dhe përgëzoji besimtarët! (Surja el Haxhxh, 37)

Nga Tefsiri i Imam S’adit

– “Tek Allahu nuk mbërrin as mishi e as gjaku i tyre (i kurbaneve); është devotshmëria juaj që mbërrin tek Ai.” – Qëllimi i kurbanit nuk është vetëm therja e bagëtisë e përfitimi nga mishi i saj. Tek Allahu i Madhëruar nuk arrin as gjaku dhe as mishi i kurbanit, sepse Ai është i Pasur, Jonevojtar për krijesat dhe i Vetëlavdëruar. Tek Ai arrin veçse sinqeriteti juaj në adhurimet dhe kurbanet që ju i dedikoni. Tek Ai arrijnë qëllimi i mirë, llogaritja e shpërblimit dhe devotshmëria juaj.

Ky është një inkurajim për të qenë të sinqertë në adhurimin e therjes dhe të përkushtimit të kurbanëve. Allahu i Madhëruar na udhëzon që të jemi të motivuar veçse nga një qëllim: arritja e kënaqësisë së Tij. Qëllimi i kurbanit të mos jetë fama dhe lavdërimi prej njerëzve dhe as të mos bëhet thjesht sepse është një zakon i trashëguar. Kështu, sinqeriteti është i detyrueshëm në të gjitha llojet e adhurimeve. Nëse ato nuk kryen me sinqeritet dhe në emër të devotshmërisë për Allahun, të gjitha janë vepra sipërfaqësore, që u mungon thelbi e frutat. Ata i ngjajnë një trupi që nuk ka shpirt.

– “Ai jua nënshtroi ato (bagëtitë për kurban) që ta madhëroni Allahun, i cili ju udhëzoi në Rrugën e Drejtë.” – Që ta madhëroni dhe respektoni Allahun. Ta madhëroni, për shkak se Ai ju udhëzoi në rrugë të drejtë. Për këtë, Ai meriton përlëvdimet dhe mirënjohjen më të thellë, lavdërimet më të plota dhe madhërimin me përunjësinë më të thellë.

– “Dhe përgëzoji besimtarët!” – Ky përgëzim u jepet muhsininëve, domethënë, atyre që kanë arritur gradën e ihsân-it. Ata e adhurojnë Allahun njëlloj sikurse ta shihnin Atë haptazi. Edhe pse nuk mund ta shohin në këtë jetë, ata e adhurojnë Zotin duke ndier mbikqyrjen e Tij në çdo çast. Në çdo çast adhurim, ata e ndiejnë shikimin dhe mbikëqyrjen e Tij. Kjo është grada e ihsanit, në lidhje me adhurimet që i përkushtohen Zotit. Ndërsa për ihsanin ndaj krijesave mund të flasësh gjatë. Të tillë njerëz u bëjnë mirësi krijesave me të gjitha format e mënyrat: me anë të pasurisë, diturisë, pushtetit e miqësisë, këshillës së mirë, urdhërimit për punë të mira e ndalimit nga e keqja, fjalët e mira e të ngrohta etj. Këta bamirës kanë një premtim të madh e të mrekullueshëm nga Allahu i Madhëruar.

Atyre u premtohet lumturi në dynja dhe në ahiret. Allahu do t’u dhurojë mirësi, ashtu sikurse ata u bënë bamirësi krijesave dhe ashtu siç e adhuruan Atë me përunjësi e përkushtim. I Madhëruari thotë: “Ata (banorët e Xhenetit) do të jenë të mbështetur në shtroje, mbulesat e brendshme të të cilave janë prej mëndafshi të stolisur, dhe frutat e pemëve të të dy Xheneteve janë shumë pranë. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Aty janë ato (Hyri) që i përqendrojnë shikimet e tyre e të cilat nuk i ka prekur kush më parë, as njerëz, as xhinde. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Ato janë si rubinët e koralet. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! A nuk është shpërblimi i veprës së mirë veçse e mira?!” [Rahman 54-60]. Ose: “Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht.” [Junus 26].

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit