3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Simpozium, “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”

Më të lexuarat

Në kuadër të 25 vjetorit të lirisë së besimit në vendin tonë, ditën e mërkurë, me datë 2 dhjetor 2015, Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës, organizuan simpoziumin e parë ndërfetar mes tre shkollave teologjike, myslimane, ortodokse dhe katolike, me temë: “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”.

Nëntori i vitit 1990 muaj në të cilin u zhvilluan ritet e para fetare pas shumë viteve ndalimi nga regjimi komunist, si dhe harmonia e bashkëjetesa ndërfetare në këto 25 vite liri besimi, ishin çështjet themelore ku u zhvilluan referimet e Atë Mario Imperatori, Drejtor i Institutit Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër, z. Vlash Plepi, pedagog në Akademinë Teologjike Orthodhokse, Shën Vlash-Durrës dhe Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame, Universiteti Bedër & Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, të cilët përbënin edhe panelin e kësaj tryeze të rrumbullakët.

Si moderator i këtij simpoziumi, Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, theksoi se ky institucion ka zhvilluar me dhjetëra konferenca, seminare, workshope etj, ka pritur me mijëra njerëz ndoshta, por aktiviteti i sotëm ka një kuptim të veçantë dhe rëndësi të lartë në llojin e tij.

“Ka mënyra të ndryshme për t’i zgjidhur konfliktet që kanë pushtuar botën sot, por ne jemi mbledhur për t’i parandaluar ato, pikërisht duke u përcjellë ju studentëve, brezave të ardhshëm, mesazhe të rëndësishme të dialogut ndërfetar nga përfaqësues të botës akademike myslimane, orthodhokse dhe katolike”- tha ai ndër të tjera.

Ndërsa Atë Mario Imperatori në fjalën e tij përshëndetëse, pasi bëri një rezyme të historisë dhe arritjeve të deritanishme të kishës katolike në aspektin e dialogut ndërfetar, theksoi se, çdo njeri ka të drejtë ta kërkoje Zotin lirisht, pavarësisht fesë ndërmjet të cilës e kërkon atë dhe është pikërisht është ky fakt, ai i cili na shtyn të respektojmë të drejtat religjioze të tjetrit.

“Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të dialogut ndërfetar në Shqipëri, ne do të vijojmë me organizimin e përbashkët të të tilla aktiviteteve, ashtu siç kemi bërë deri më tani.”- tha ai në përfundim të fjalës së tij.

Më pas ka vijuar z. Vlash Plepi nga Akademia Teologjike Orthodhokse, i cili ndau me të pranishmit rëndësinë e bashkekzistencës paqësore, duke sjellë në fokus të diskutimit shembuj të shumtë nga historia e përbashkët fetare e vendit tonë.

“Është e domosdoshme të gjejmë një shteg mes ekstremeve, e kjo gjë bëhet vetëm duke dialoguar, ky i fundit nuk është asgjë tjetër veçse njohje e tjetrit duke pranuar fenë e tij siç është ajo në të vërtetë dhe jo si duam ne të jetë”- përfundoi ai.

Ndërsa Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër dhe Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, vuri theksin mbi rëndësinë e përkufizimit të lirisë së besimit në Islam, duke trajtuar shembuj të shumtë Kur’ani dhe tradita profetike.

“Liria që pranon dhe njeh Islami, është liria e arsyes, liria e dijes dhe arsimit, liria e mendimit dhe fjalës, liria e besimit. Këto janë liritë thelbësore, mbi të cilat bazohet jeta mbi tokë. Ne jemi të lirë të bashkëpunojmë, por pa i bërë keq askujt. Ne jemi të lirë të kemi pronat dhe pasuritë tona, por në respekt të plotë të pasurive dhe pronave të të tjerëve, pa i shkaktuar dëm as vetes dhe as tjetrit”- tha ndër të tjera ai.

Bashkëbisedimi vazhdoi më tej me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve të pranishëm, të cilët shprehën entuziazmin dhe ndanë mendimet e tyre në lidhje me çështje të ndryshme të lirisë së besimit dhe dialogut ndërfetar.

Pas aktivitetit, të ftuarit e shoqëruar nga përfaqësuesit e universitetit, me në krye Rektorin, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, vizituan ambiente të ndryshme të institucionit.

(Islampress)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit