-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Siguria në Kosovë, sulmi në Banjskë e marrëveshja e 2013-së me NATO-n, deklaratat e Stoltenbergut, Osmanit e Kurtit pas takimit në Prishtinë

Më të lexuarat

Të hënën për vizitë në vendin tonë ishte sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai gjatë vizitës në Kosovë u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin  Kurti.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për mbajtjen përgjegjës të atyre që ishin përgjegjës për sulmet e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Stoltenberg ka pohuar se trupat e KFOR-it do të vazhdojnë të jenë të angazhuar dhe gati për të kryer detyrat e tyre, dhe ka shprehur mbështetjen e tij për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në shtator, incidentet e dhunshme në veri të Kosovës na kujtuan rrezikun e një konflikti më të madh që mund të shpërthejë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një sulmi në maj, 93 ushtarë të NATO-s u plagosën seriozisht, disa prej tyre iu nënshtruan plagëve që do t’i shoqërojnë për gjithë jetën. Sulmet e tilla janë të papranueshme dhe kërkojmë që përgjegjësit të mbahen llogaridhënës”, deklaroi Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Kosovë

Ai gjithashtu theksoi se vendosja e forcave të Policisë së Kosovës në veri duhet të bëhet vetëm pas konfirmimit nga NATO, për të garantuar paqen dhe sigurinë e rajonit.

“NATO mbështet dialogun BE-ndërmjetësuar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen ndershëm në këtë proces. Përparimi i fundit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe stabilitetit afatgjatë në rajon,” shtoi Stoltenberg.

Stoltenberg mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Themelimi i Asociacionit do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg.

I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, Stoltenberg tha se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës.

Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjatë konferencës për media në Prishtinë, tha se po ashtu se po zhvillohen diskutime mbi mundësinë e një rritjeje të përhershme të kontingjentit ushtarak të aleancës në Kosovë.

Kjo vjen pas incidenteve të dhunshme që u regjistruan në muajin shtator në veri, ku mbeti i vdekur një polic i Kosovës.

“Jemi në proces të vlerësimit të nevojës për një prezencë më të qëndrueshme të forcave tona, për të parandaluar çdo situatë që mund të dalë nga kontrolli dhe të çojë në përshkallëzim të dhunës në Kosovë ose në rajonin më të gjerë. Ne jemi të përgatitur të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme. Momentalisht, janë duke u bërë rishikime të dispozitave që rregullojnë praninë tonë në terren”, deklaroi Stoltenberg, duke shtuar se NATO reagoi menjëherë pas incidentit në Banjskë, duke mobilizuar njësitë e rezervës për të forcuar praninë ushtarake atje.

Osmani: Marrëveshja e vitit 2013 me NATO-n nuk është në interes të Kosovës, por i qëndrojmë se jemi vend serioz

Ndërkaq, e para e shtetit, Vjosa Osmani, në konferencë për media me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur edhe për marrëveshjen me NATO-n për moszbarkimin e FSK-së në veri.

Ajo thotë se marrëveshja e nënshkruar ishte e pafavorshme për Kosovën.

“Marrëveshjen e vitit 2013 e kemi trashëguar nga kryeministri i asaj kohe me sekretarinë NATO-s në atë vit. Nuk ka qenë marrëveshje në interes të Kosovës, por Kosova është vend serioz që mbi të gjitha e respektojmë NATO-n si aleancë që e siguron vendin tonë. NATO janë partnerët tanë në mbrojtje të Kosovës. Edhe atë marrëveshje e shohin në këtë suaza”.

Osmani ka thënë se përgjegjësi i parë për sigurinë në Kosovë është Policia e Kosovës, i dyti EULEX-i dhe i treti NATO.

“E tha edhe Sekretari Stoltenberg që NATO nuk mund ta marrë rolin e Policisë së Kosovës”, deklaroi tutje Osmani.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media

Marrëveshja e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s – në parasheh se Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

Osmani tha se nuk mund të ketë sukses në dialog pa zbatim të plotë të marrëveshjeve.

“Pa zbatim të plotë të marrëveshjes nuk mund të presim për dialog të suksesshëm. Presim nga partnerët tanë që të ushtrojnë presion të nevojshëm mbi Beogradin që të zbatojë në plotni marrëveshjet e arritura”.

“Nëse injorohet fakti se Serbia po mohon zbatimin e marrëveshjes, unë nuk pres dialog të suksesshëm, sepse nuk kemi tavolinë që ofron barazi për dyja palët. Nëse injorohet parimi i trajtimit të barabartë të palëve, kjo është një recetë për dështim”, deklaroi tutje Presidentja.

Osmani po ashtu ka thënë se mosdënimi i Serbisë për sulmet e mëparshme solli ngjarjet në Banjskë.

“Duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë më 29 maj dhe 24 shtator. Në vend se të ekstradojë terroristët vazhdon t’i mbështesë ata. Pata paralajmëruar se nëse sulmuesit e trupave në maj që udhëhiqeshin nga bandat kriminale do përfundonin pa dënuar do t’i inkurajonte të përsërisnin sulmet në shkallë më të madhe. Janë po të njëjtit njerëz që sulmuan NATO-n, e që sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator”.

“Nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë për këto sulme të vazhdueshme do të inkurajohej të sulmojë sërish Kosovën dhe të ta destabilizojë Ballkanin. Roli i NATO-s në këtë drejtim është vendimtarë pasi Serbia mbetet kërcënim për paqen në rajonin tonë”, deklaroi Osmani.

“Liria e Kosovës është rezultat edhe i mbështetjes së NATO-s. Jemi falënderues për ushtarët e NATO-s, të cilët po japin kontribut për paqe dhe stabilitet, por kjo paqe së fundi është cenuar seriozisht nga ana e Serbisë”, shtoi presidentja.

Kurti njofton Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për rrezikun që vjen nga Serbia, liston armët që ajo ka marrë nga Rusia e Kina

Ndërkaq, edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti ka takuar të hënën sekretarin e NATO-s.

Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, fillimisht shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë.

Duke folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për të, ai veçoi praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.

Më këtë rast, Kryeministri listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe.  Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

Ai tha se përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i 26 dhe 29 majit, pastaj rrëmbimi i policëve të Kosovës me 14 qershor e që kulmoi me agresionin e 24 shtatorit që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit