3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Si t’i mësojmë fëmijët tanë të thonë “jo”.

Më të lexuarat

Nga: Dok. Mustafa Ebu Sead

Si t’i mësojmë fëmijët tanë të thonë “jo”.

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Falënderojmë Allahun, Zotin e botëve.
Vëllezër dhe motra! Ju përshëndes me përshëndetjen islame:
Es Selamu Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu!
Po vijojmë me një tjetër trajtesë të rëndësishme, që i takon kuadrit të artit të edukimit pozitiv të fëmijëve tanë.
Kemi trajtuar në një trajtesë të kaluar, sesi të sillemi pozitivisht me fjalën “jo” të fëmijës.
Marrja drejt në konsideratë e dy fjalëve “jo” dhe “po”, të shkëmbyera në raportin prind-fëmijë, na bën ne prindërve që të realizojmë një edukim të balancuar. Kërkohet prej nesh, që të bëjmë kujdes, që fëmijëve tanë të mos ua mësojmë vetëm fjalën “jo” apo vetëm fjalën “po”, por duhet që t’ua mësojmë atyre të dyja këto fjalë, që t’i shprehin dhe t`i përdorin ato më së miri.
Kjo trajtesë konsiston në faktin, se një prej detyrave tona më të rëndësishme edukative prindërore është, që fëmijëve tanë t’ua mësojmë përdorimin e saktë të fjalës “jo”, thënë ndryshe t’i edukojmë dhe mësojmë ata, se duhet që prej gojës së tyre të dalë edhe fjala “jo”.
I nderuar prind edukator! Edukimi i balancuar i fëmijës kërkon prej meje si prind, që fëmijës tim t’ia them kur dhe si duhet fjalën “jo” dhe në krahun tjetër t’i jap fëmijës tim liri, që ta thotë fjalën “jo”.
Kur fëmija yt e thotë fjalën “jo” dhe ti e lejon fëmijën që ta thotë atë brenda familjes, kësisoj ti si prind gatuan tek ai potencialin e standardit, personalitetit dhe vendimmarrjes. Kurse kur ne si prindër e imponojmë fëmijën, duke i bërë presion direkt apo indirekt që ai të thotë gjithmonë “po”, për shembull duke i propaganduar se bindja ndaj prindërve kërkon që ata të thonë gjithmonë “po”; në këtë rast si mendon se do të ndikojë kjo gjë në të ardhmen e fëmijës tënd?
Së pari duhet ta kuptojmë, se bindja e fëmijëve ndaj prindërve nuk është një vlerë kategorike apo një kriter që duhet zbatuar në çdo rrethanë, prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos iu bind atyre…” [Lukman: 15] Thënia kuranore në fjalë shpreh qartë, se bindja ndaj prindërve nuk është një kriter kategorik. Kjo më mëson mua si prind, se më duhet t’i edukoj fëmijët e mi që t’u binden parimeve dhe vlerave të mia, jo thjesht personit dhe autoritetit tim fizik.
I nderuar prind edukator! Edukoje fëmijën tënd që t’i bindet vlerave, normave dhe parimeve, pra të të bindet ty, kur ti respekton vlerat, normat dhe parimet, pasi nëse unë si prind e edukoj fëmijën tim që të më bindet në përputhje me parimet e denja, kësisoj unë e bëj atë që t’i bindet çdo njeriu të denjë në shoqëri, në përputhje me normat dhe principet dinjitoze.
Në krahun tjetër të duhet po kështu ta edukosh fëmijën tënd, që ta thotë fjalën “jo”, gjithmonë në përputhje me normat, principet dhe të drejtat. Kur flasim për të drejtat, nuk duhet të harrojmë se tek këto të drejta  hyn edhe e drejta e fëmijës për të pasur mundësi zgjedhje për llojin dhe larminë e ushqimeve, rrobave, lojërave të tij, etj, thënë ndryshe e drejta e fëmijës për t’i thënë “jo” cënimit të të drejtave të tij.
Kur unë si prind e nxis fëmijën ta thotë fjalën “jo”, kësisoj unë zgjeroj tek ai sferën e bindjes dhe brumosjes me principe, si dhe përforcoj tek ai aspekte të rëndësishme të personalitetit të fëmijës, siç janë vetëbesimi dhe vendimmarrja.
I nderuar prind! Lejomë të të tregoj mbi një gjë të rrezikshme, që për fat të keq konstatohet si një dukuri e pandarë tek njerëzit e devijuar.
A e di ti prind i nderuar, se të devijuarit, janë në masën dërrmuese individë, që thuajse kurrë nuk e kanë nxjerrë nga goja e tyre fjalën “jo”, gjatë gjithë jetës së tyre, se këta persona tanimë të inkriminuar dhe devijuar në devijime nga më të rrezikshmet, në fëmijërinë e tyre nuk kanë qenë agresorë, as të dhunshëm dhe as të ashpër?!
Përkundrazi, ata në fëmijërinë e tyre kanë qenë prej atyre, që kanë thënë gjithmonë vetëm “po”, kanë qenë fëmijë që kurrë nuk kanë refuzuar, kanë qenë “të mirë”, të përulur dhe të dorëzuar.
Këtij fëmije të përulur dhe dorëzuar kundrejt direktivave dhe tendencave të prindit, sjellja prindërore i ka mësuar të kuptojë një gjë të vetme, faktin që “ai lypset që me hir apo pahir, t’i bindet më të madhit dhe më muskulozit”. Ky fëmijë e ka nxjerrë këtë mësim apo konkluzion nga dy prindërit e tij, babai dhe mamaja, që e kanë mësuar t’u bindet atyre për shkak të moshës dhe përmes ekspozimit të forcës dhe muskujve. Bindja tek ky fëmijë bazohet mbi logjikën e moshës dhe forcës, nën sloganin “Bindju më të madhit dhe më të fuqishmit!” Ky është nocionin i bindjes tek ky fëmijë, i bazuar thjesht mbi moshën dhe forcën.
Kur ky fëmijë bëhet më i rritur, hyn në adoleshencë dhe bie në kontakt me një tjetër adoleshent, por që është më i madh se ai në moshë apo fizik, më i gjatë dhe tre-katër vjet më i madh me moshë. Atëherë me siguri fëmija yt ka për t’u komanduar nga ky shok i tij më i rritur apo më i fuqishëm. Nëse ky adoleshent është negativ dhe do t’i thotë fëmijës tënd: “Merre dhe pije këtë cigare”, fëmija yt me siguri do t’i thotë atij “po”, pasi ai nuk është mësuar ta thotë fjalën “jo” në shtëpinë e tij. Njëjtë nëse atij i thuhet: “Hajde të shkojmë të vjedhim”, sërish ai do të përgjigjet pozitivisht dhe nuk ka për ta thënë fjalën “jo”, të cilën nuk është mësuar ta thotë në familjen e tij. Po kështu do ndodhë me të edhe kur t’i thuhet: “Hajde të ikim nga mësimi”! Ai pa mëdyshje do të përulet dhe nënshtrohet. Lind pyetja: Përse?
Përgjigjja është se shkaku je ti o baba dhe ti oj nënë, përgjegjësit direkt për këtë dobësi të fëmijës tënd, pasi ti nuk e ke mësuar atë ta thotë fjalën “jo” dhe t’i përgjigjet rrethanave të jetës në përputhje me bindjet dhe normat dinjitoze pozitive. Nëse do e brumosje atë mbi vlera, norma, parime dhe bindje, me siguri që kur atij t’i thuhej “hajde të vjedhim”, ai do i kërkonte personit që e fton në këtë akt, që ta bindte se “përse duhet të vjedh?” Po kështu kur t’i thuhej “të pijë duhan” do t’i kërkonte sugjeruesit ta bindë se “ç’vlera pozitive ka nga pirja e duhanit?”. Në këtë rast fëmija yt do ta bënte me siguri këtë, pasi ai është edukuar në një mjedis, që ka strukturuar në personalitetin e tij vlera dhe standarde, nën principin “Bëje këtë gjë, se ka këtë vlerë dhe largoju nga kjo gjë, se ka këtë antivlerë!”
Prandaj duhet t’u japim shanse fëmijëve tanë, që ta thonë fjalën “jo”, pasi sa herë që fëmija e thotë fjalën “jo”, aspekte të shumta të personalitetit të tij inkurajohen dhe përforcohen.
T’i mësosh fëmijës tënd të thotë “jo”, do të thotë t’i mësosh atij vendimmarrjen, sepse kur ai thotë “jo”, ai kësisoj sapo e ka marrë një vendim. Mund të ndodhë, që fëmija të marrë një vendim të gabuar, por me siguri që një fëmijë që ndërmerr një vendim të gabuar, është qindra herë më i mirë, sesa një fëmijë i përulur dhe kokëvarur.
Që fëmija im të jetë i aftë të marrë vendim, kjo është një gjë e shkëlqyeshme, teksa që ai të gabojë në vendimin që merr, kjo është një gjë e thjeshtë që nuk duhet ekzagjeruar. Nëse ai gabon, atëherë thjesht unë si prind e mësoj atë se si të mos gabojë herë tjetër. Nuk ka dyshim se për atë prind, fëmija i të cilit merr një vendim të gabuar, është një gjë më e lehtë sesa ai fëmijë të jetë një njeri që s’është i aftë të marrë një vendim, të bëj një zgjedhje të tijën, të mos vendosë vetë për veten dhe jetën e tij, të jetë i destabilizuar dhe i luhatur e të rritet i tillë.
Pikërisht për shkak të gjithë kësaj që u përmend më sipër, në shoqëritë tona janë të shumtë individët e luhatur dhe të hallakatur. Këtu fshihet dhe sekreti, se përse shoqëritë tona lëngojnë nga këta individë, që thuajse nuk kanë asnjë aftësi vendimmarrje dhe që deri edhe për rrobat e veta që veshin kanë nevojë që dikush tjetër të vendosë për to, në vend të tij. Madje ky pasivitet është karakteristik për ta, deri edhe në hapin më të rëndësishëm në jetë, hapin drejt martesës. Po kështu pasiviteti është faktori i mungesës së iniciativës së këtij personi edhe në çdo hap tjetër transformues të jetës së tij. Një person i tillë gjithmonë ka nevojë për dikë tjetër, që të vendosë për të, në vend që ai vetë të vendosë për vetveten. E gjitha kjo ndodh me këtë person, ngaqë ai është edukuar dhe rritur në një ambient dekurajues, që nuk i ka dhënë shanse dhe nuk i ka dhuruar një atmosferë shpirtërore dhe shoqërore në favor të vendimmarrjes. 
Kemi thënë më se një herë, se teksa fëmija përballet me të ndryshmen, në shtatë vitet e para të jetës së tij, gjëja që ai mëson dhe i vyen më së shumti, si dhe është në përputhje me ambiciet e tij personale të kësaj periudhe, është vendimmarrja, vetëpranimi dhe imazhi pozitiv mbi vetveten, që të gjitha arte jetike që fëmija e ka shumë të lehtë që t’i mësojë në shtatë vitet e tij të para, ndërsa pas kësaj moshe është shumë e vështirë t`i mësohen atij këto.
I nderuar prind edukator! Kësisoj të duhet që të perceptosh dhe vetëdijesohesh, se fjala “jo” që del nga goja e fëmijës tënd, ka anët e saj të shumta pozitive dhe të duhet ta marrësh shumë në konsideratë trajtimin e fjalës “jo” në procesin e edukimit të fëmijës, pasi ajo ndikon fuqishëm në realizimin pozitiv të këtij procesi.
I nderuar prind edukator! Mëso dhe kualifikohu në vazhdimësi sesi ta trajtosh fjalën “jo” në një formë sa më pozitive.
Kur flasim mbi “jo-në” e fëmijës, nuk kemi për qëllim të nënkuptojmë apo nxisim, që fëmijëve t`iu jepet gjithçka që ata dëshirojnë, por kemi për qëllim që si fjala “jo” ashtu edhe fjala “po”, të dala nga goja e fëmijës sonë, të jenë të balancuara, pasi kësisoj arrihet tek edukimi i balancuar.
Rritja dhe edukimi pozitiv i fëmijës ka nevojë pikërisht për këtë balancim delikat të përdorimit të ndërthurur si prindëror ashtu edhe fëmijëror, të fjalës “jo” dhe “po”. Trajtimi i balancuar i këtyre dy fjalëve përbën metodikën dhe programin e duhur në edukimin dhe trajtimin pozitiv të fëmijës.
Vërtet që në pamje të parë fjala “po” bart kuptimin përkëdhelje, dashuri, dhembshuri, ndërsa fjala “jo” bart kuptimin vrazhdësi, përbuzje dhe indinjatë; por ama orientimi prindëror i fjalës “jo” dhe “po” në vendin e duhur dhe të dobishëm, bën të mundur balancimin shpirtëror dhe edukativ në sjelljen e fëmijës.
Deri në trajtesën e ardhshme u lë në garancinë e Allahut, duke e përshëndetur me përshëndetjen e bukur islame “Es Selam Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu!”
 
Perktheu: Altin Torba

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit