Nga: Dr Ahmed Salih
Si ti mbrojmë fëmijët tanë nga ngacmimet seksuale
Disa informacione të gabuara rreth dhunës seksuale tek fëmijët:
1. Është diçka që ndodh rrallë.
2. Është një fenomen i përhapur vetëm në vendet perëndimore.
3. Ndodh vetëm në lagjet e varfra.
4. Viktimat e dhunës dhe ngacmimeve seksuale janë vetëm vajzat e reja.
5. Ndodh vetëm tek familjet e shpërbëra dhe të çrregullta.
6. Ngacmuesit mund të dallohen dhe identifikohen kollaj, pasi janë të ndryshëm nga njerëzit e tjerë.
7. Ngacmuesit e fëmijëve, zakonisht janë njerëz të huaj dhe të panjohur për fëmijët.
Të gjitha këto pika të lartpërmendura, janë informacione të gabuara rreth fenomenit të ngacmimit seksual.
Është krejt e mundshme që fëmijët të informohen dhe edukohen lidhur me këtë fenomen, si në familje ashtu dhe në shkollë. Këshillohet që informacionet tu përsëriten çdo gjashtë muaj, me qëllim që tu rrënjosen. Kjo mund të fillojë që me fëmijët në moshën katër vjeçare, sigurisht me fjalor dhe metoda të thjeshta, të kuptueshme për moshën e tij.
Fëmija mund të pyetet për konceptin e tij për “rrezikun” dhe të kundërtën e tij “sigurinë”. Mandej i flitet për gjërat që na garantojnë siguri në jetën tonë të përditshme, ku ndër to është dhe mos bisedimi me njerëz të huaj.
Atyre u flitet edhe për rrezikun kur njerëz të rritur u prekin trupin në vende të ndryshme duke i vënë në siklet. Fëmijëve u thuhet se tre janë vendet kryesore të trupit, të cilat nuk duhen prekur nga të tjerët. Këto vende janë:
1. Gjoksi.
2. Vithet.
3. Organet gjenitale dhe kofshët.
Fëmijëve u kërkohet që ti përsërisin këto tre vende të cilat nuk duhet të lejojnë që njerëz të tjerë t’ua prekin. Një përjashtim bëjnë prindërit kur janë duke i larë fëmijët dhe doktori kur i viziton në prezencën e prindërve.
Përveç kësaj, prindi u flet fëmijëve se çfarë duhet të bëjnë fëmijët, nëse dikush orvatet ose i prek në njërin nga këto tre vende:
1. Bërtitja me zë të lartë “Jooo”
2. Largimi me shpejtësi nga personi abuzues.
3. Njoftimi i një të rrituri, i cili konsiderohet njeri i besueshëm dhe i sigurt për fëmijën, për ta ndihmuar. Këta janë prindërit – babai ose nëna -, njëri nga gjyshërit, mësuesi ose mësuesja. Mandej, i kërkohet fëmijës që të shkruajë emrat e njerëzve të rritur, të cilët i konsideron burim sigurie.
Çështja e edukimit dhe sensibilizimit të fëmijëve për rrezikun e ngacmimit seksual, duhet të merret seriozisht nga prindërit. Nëse ndodh që fëmija e njofton prindin për diçka të tillë, prindi duhet të marrë menjëherë masat dhe jo ta injorojë, aq më pak të kritikojë fëmijën për ato që thotë, kushdo qoftë ngacmuesi.
5 – 10% e të rriturve kanë pranuar se kur kanë qenë fëmijë, janë ekspozuar ndaj abuzimit dhe ngacmimit seksual nga persona të rritur. 30 – 50% e fëmijëve pranojnë se janë prekur nga të rriturit, në një formë e cila i ka vënë në siklet.
Ndërgjegjësimi i fëmijëve mbi format si të mbrohen nga ngacmimet seksuale, është një përgjegjësi dhe amanet i prindërve.
Dr Ahmed Salihi
…