Kjo është sot psikologjia mbizotëruese (të paktën në dukje) tek pushtetarët, politikanët intelektualët dhe opinioni i gjerë publik i shqiptarëve. Në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo është sjellje pragmatiste, më e lehta e që sjell dhe dobi. Nuk janë të paktë as shqiptarët që e parapëlqejnë këtë formulë edhe kur duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre në zgjidhjen e problemeve rreptësisht të brendshme të shtetit e shoqërisë së vet. U duket se kanë gjetur pikëmbështetjen magjike për të përballuar vështirësitë
Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë
Amerika është pa dyshim miku më i mirë dhe përkujdestari më i madh që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët. Por, është pretendimi pahijshëm kur politikanët shqiptarë Amerikën e cilësojnë “partneri ynë strategjik”, sepse Shqipëria nuk ka këllqe për të zënë një pozitë të tillë. Kultin e mikut shqiptarët e kanë kultivuar brez pas brezi, se nuk kanë pasur mik e aleat të natyrshëm e të përhershëm. Prandaj është e përligjur ta idealizojmë mikun e aleatin e tanishëm. Por, gabojmë kur mendojmë e presim që edhe aleati e miku ynë i madh të ketë ndjesitë e perceptimet tona. Shqipëria dhe Amerika janë shtete me përmasa, role e cilësi krejt të ndryshme. “Partneriteti Shqipëri-Amerikë” nuk mund të ekzistojë realisht, ashtu siç e perceptojmë ne shqiptarët. Amerika është sot shtet tipik për të cilin vlen të mbahet parasysh shprehja e politikanit britanik Palmerston se Britania e Madhe nuk ka miqësira të përhershme, por ka interesa të përhershme. Prandaj, shqiptarët duhet të bëjnë mirë llogaritë e tyre kur të ndjekin postulatin diplomatik “…si të thotë Amerika…”, që të mos e zhgënjejnë mikun e aleatin, e as mos ta gënjejnë veten. Shqiptarët janë mburrur shumë me konceptin e tyre të “Besës”, por edhe janë akuzuar se nuk e kanë zbatuar këtë koncept gjithnjë me përpikëri. Shqiptarët sot po e edukojnë veten me konceptin e mirënjohjes pa kufi për të mirat që u kanë bërë miqtë e aleatët e rinj në arenën ndërkombëtare. Por, njëkohësisht, herë pas here vuajnë edhe nga kompleksi i akuzës për mosmirënjohje ndaj bamirësve të tyre dhe kujtojnë se nga ky kompleks mund të çlirohen duke u përbetuar “…si të thotë Amerika…”, madje duke shtuar nganjëherë “… si të urdhërojë BE-ja…”.
Nuk është e papritur, as e rastit që shqiptarët sot njihen si populli më proamerikan në Europë, çka shpesh përmendet me ligësi nga bartësit e ndjesive të anti-amerikanizmit. Nuk ishte rastësi që në jubileun e 100-vjetorit të pavarësisë së kombit shqiptar dhuratën më të bukur diplomatike shqiptarëve ua e bëri Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, zonja Hillari Klinton, kur në fjalimin e saj të shkëlqyer para parlamentit të Shqipërisë, më 1 nëntor 2012, theksoi fort fjalët: “Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj, me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme dhe për 100 të tjera pas tyre dhe ato pas këtyre”. Kështu e vështroi ajo historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Fjalët e mësipërme kishin peshë të veçantë se thuheshin 5 vite pasi ish-presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush i Riu, më 10 qershor 2007 kishte shpallur në Tiranë se Kosova do të bëhej e të njihej ndërkombëtarisht si shtet pavarur, premtim që u bë realitet më 17-18 shkurt 2008. Me këtë u përmbyll dhe u kurorëzua në mënyrën më të mirë edhe puna e mrekullueshme, që kishte bërë presidenti i mëparshëm amerikan, Bill Klinton, që bashkë me kryeministrin britanik,Toni Bler, në vitin 1999 angazhuan fuqinë ushtarake të NATO-s për të çliruar Kosovën nga robëria serbe. Me rastin e kremtimit të 10-vjetorit të njohjes së pavarësisë së Kosovës të dy ish-presidentët e SHBA-ve i lumturuan edhe një herë shqiptarët me deklaratat e tyre se ishin të kënaqur që kishin vepruar në atë mënyrë.
Të gjitha këto shënojnë pika kulmore në përkujdesjet amerikane për të ndihmuar në realizimin e të drejtave dhe aspiratave kombëtare të shqiptarëve. Kur këto të drejta dhe aspirata iu bënë të njohura solemnisht e politikisht para diplomacisë europiane, para 140 vjetësh, nga Lidhja e Prizrenit, SHBA-të nuk ishin të pranishme në lojën diplomatike europiane, që të luanin rolin e tyre. Edhe në vitin 1912, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, SHBA-të nuk kishin dalë ende plotësisht nga vetëkufizimi diplomatik, i njohur me termin “izolacionizëm”. Megjithatë, ish-presidenti amerikan, Teodor Ruzvelt, e priti me dashamirësi krijimin e shtetit shqiptar dhe kjo ngjalli gëzim në zemrat e shqiptarëve, të cilët shprehën dëshirën ta kishin Teodor Ruzveltin si sundimtarin e tyre (“Ballkan”, 30.12. 2009; “Korrieri”, 10.02.2010). Në “Ballkan” është shkruar: “Ismail Qemali në Londër është shprehur, në qoftë se Ruzvelti dëshiron sundimin e Shqipërisë ne do ta vendosim emrin e tij si kandidat kryesor, përpara gjithë emrave që janë përmendur deri në këtë moment”.
Qysh në atë kohë sytë e shpresat e shqiptarëve drejtoheshin në mënyrë të veçantë tek Amerika. Edhe pse punët nuk shkuan siç donin shqiptarët, qysh atëherë përkrahja e SHBA-ve nuk u ka munguar shqiptarëve në çastet më të rrezikshme për ta, sidomos pas dy luftërave botërore, kur diplomacitë e disa shteteve të mëdha europiane donin ta rivinin në diskutim ekzistencën e mëtejshme apo integritetin e shtetit të cunguar shqiptar. Në kohën e ndërrimit të sistemeve politiko-shoqërore në Shqipëri, pas përfundimit të “Luftës së Ftohtë”, çështja shqiptare u vendos në vëmendjen e posaçme të diplomacisë së SHBA-ve e të aleatëve të saj të afërt perëndimorë. Prandaj, fjalët e Zonjës Klinton në Kuvendin e Shqipërisë na shtyjnë edhe tani të rikujtojmë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në kontaktet shqiptaro-amerikane, që kanë ndikuar fuqishëm në ecurinë mbi njëqindvjeçare të çështjes kombëtare shqiptare. Për disa fakte të rëndësishme historike politika dhe propaganda zyrtare në Shqipëri kanë heshtur fare gjatë dekadash ose ende belbëzojnë ngadalë e mbytur.
Zonja Klinton, në fjalimin e saj, ua kujtoi shqiptarëve ngjarjen e parë të rëndësishme dhe rrugën që nisi me këtë ngjarje: “Njëqind vjet më parë si këtë muaj, Presidenti i SHBA-ve, Udrou Uillson, e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe e ndaloi ndarjen e vendit tuaj gjatë pasojave të Luftës së Parë Botërore. Në dhjetëvjeçarët që pasuan, udhëheqësit amerikanë, si demokratë ashtu dhe republikanë, në mënyrë të përsëritur u ngritën për të mbështetur të drejtat dhe liritë tuaja, jo vetëm në këtë Shqipëri, por anekënd rajonit”. Për hir të së vërtetës dhe për respekt duhet të kujtojmë se ndihmesa e amerikanëve për zgjimin kombëtar të shqiptarëve dhe çlirimin e tyre nga sundimi osman dhe një politikë dashamirëse amerikane ndaj shqiptarëve kishte filluar qysh në shekullin XIX nga misionarë fetarë, edukatorë arsimi e vizitorë, si shkrimtarja e gazetarja Roze Uajdër Leine, specialistë të fushave të ndryshme të ekonomisë e nga bamirës amerikanë. Në Shqipëri nderohet njëri prej tyre, Çarls Telford Erikson, prift protestant, që luajti rolin e këshilltarit të delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe punoi shumë për çështjen shqiptare në Amerikë. Meriton të nderohet edhe më shumë diplomati amerikan, i harruar për një kohë të gjatë, Xhorxh Fred Uilliams, ish-përfaqësues diplomatik i SHBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi, i cili në vitin 1914 erdhi në Shqipëri si i pari misionar diplomatik amerikan në rolin e vëzhguesit pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Në atë kohë, Xhorxh Fred Uilliams-ie qortoi shumë rëndë dhe publikisht diplomacinë europiane për padrejtësitë dhe talljet me të drejtat e vuajtjet e kombit shqiptar, për pengesat që ia nxirrte shtetit kërthi shqiptar të ngrihej në këmbë. Ai i lavdëronte virtytet e kombit shqiptar dhe i hidhte poshtë akuzat se ky komb nuk bënte dot shtet e nuk vetëqeverisej dot. Por, Presidenti amerikan Uillson u detyrua ta largonte Uilliams-in nga shërbimi diplomatik për shkak të pakënaqësive që shkaktuan kritikat e tij te qeveritë europiane. Pas (vetë)largimit nga shërbimi diplomatik, Uilliams-i organizoi biseda e veprimtari të tjera në SHBA për çështjen shqiptare. Ai shkroi e botoi më 1915 libërthin e mrekullueshëm “Shqiptarët”, me vlerësime pozitive historike e politike për kombin shqiptar, me qortime të rënda për Fuqitë e Mëdha dhe me rekomandimin e vyer që SHBA-të të merrnin nën kujdesin e vet shtetin shqiptar. Në vitin 1998 një tjetër diplomat amerikan me integritet të lartë njerëzor e profesional, Uilliam Uoker, do të shfaqej si mirëbërës i madh i shqiptarëve në rolin e një vëzhguesi ndërkombëtar, kësaj radhe në emër të OSBE-së në Kosovë. Ai preku thellë ndërgjegjen e opinionit publik botëror e nervin e politikës perëndimore për masakrat që bënin serbët në Kosovë. Ai lëshoi i pari alarmin që çoi në ndërhyrjen e NATO-s. Të tjerë diplomatë, politikanë, politologë e juristë amerikanë do të angazhoheshin me dije e me shpirt për ta çuar çështjen e Kosovës përpara deri në shpalljen e pavarësisë e ndërtimin e shtetit të pavarur.
Shqiptarëve u është kujtuar vazhdimisht fakti se Fan Noli ka ndikuar shumë, kur arriti gjatë një pritjeje t’i afrohej presidentit të SHBA, Udrou Uillson, dhe mori prej tij premtimin se në Konferencën e Paqes në vitin 1919 në Paris zërin e tij do ta përdorte edhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Por është heshtur padrejtësisht për punën e madhe që kishin bërë në atë kohë në Amerikë Kristo Dako, motrat Qiriazi e të tjerë nga Partia Kombëtare Shqiptare, për të siguruar qëndrimin dashamirës nga Presidenti amerikan e këshilltarët e tij. Është heshtur dhe heshtet padrejtësisht nga politika, historiografia e propaganda zyrtare shqiptare për një fakt me rëndësi të veçantë politike e diplomatike: Presidenti Udrou Uillson, gjatë qëndrimit në Paris për Konferencën e Paqes, kishte pranuar në korrik të vitit 1919 të priste në një takim zyrtar Esat Pashë Toptanin. Esati kishte kërkuar mbështetjen e SHBA-ve dhe të vetë Presidentit që “të paktën të garantoheshin kufijtë shtetërorë të vitit 1913 për Shqipërinë”; “të pranohej vendosja e një protektorati amerikan mbi Shqipërinë”. Shpjegimet gojore që i dha Esati për çështjen shqiptare, presidenti amerikan kërkoi t’i paraqiteshin me shkrim. Kështu duket se lindi promemorja që paraqiti Esati edhe në Konferencën e Paqes, një dokument diplomatik i saktë dhe dinjitoz, që në gjuhën frënge duket ishte redaktuar me ndihmën e francezit Krajevski, që kishte qëndruar pranë qeverisë së kryesuar nga Esati në vitet e Luftës së Parë Botërore (Haris Silajxhiç, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit…” 1991; Ilir Ikonomi “Esat Pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti”, Tiranë 2016; Stephen Bonsal (ekspert pranë delegacionit amerikan), “Suitors and Suppliants. TheLittle Nations at Versaille”, 1946, 2001).
Vendosja e protektoratit amerikan mbi Shqipërinë ishte bërë në atë kohë një kërkesë e përgjithshme shqiptare, si kundërpeshë e synimeve të diplomacisë së Italisë e të fuqive europiane për ta vendosur Shqipërinë nën mandatin italian. Mendja dhe shpresat e shqiptarëve ishin drejtuar tek Amerika, sidomos pasi u bë i njohur Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 për copëtimin përfundimtar të shtetit të cunguar shqiptar. Diplomacia amerikane u vu në lëvizje për të njohur gjendjen në Shqipëri dhe çështjen shqiptare. Me misione vëzhgimi u dërguan konsujt amerikanë nga Italia. Në raportet e tyre këta shkruanin se shqiptarët i mbanin sytë tek Amerika, donin vetëm protektorat amerikan në Shqipëri (William Bland and Ian Price, “A Tangled Web. A history of Anglo-American Relations with Albania, 1912-1955”). Por, vendosja e protektoratit amerikan në Shqipëri (sipas modelit të Kubës e të Filipineve) nuk u bë kurrë politikë zyrtare në SHBA. Fuqitë europiane nuk donin që të vendosej një zonë ndikimi amerikane, si një “Republikë amerikane në Europë” (sipas titullit të një gazete në SHBA). Praninë e tyre e kërkuan në Shqipëri nëpërmjet kompanive të naftës dhe institucioneve fetare e arsimore, kështu që nuk pati asnjëherë gjasa të plotësoheshin ëndrrat e bukura të shqiptarëve për një protektorat amerikan. Por, të paktën, çështja shqiptare filloi ta tërhiqte dukshëm vëmendjen e Amerikës. Kjo u pasqyrua më vonë në një sërë hapash diplomatike dashamirëse, siç ishte edhe njohja e regjimit monarkist në Shqipëri, para se këtë ta bënin Britania e Madhe ose Franca, dhe nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh shtetërore me Shqipërinë.
Kurba e përkujdesjes amerikane për shqiptarët ra në nivelin më të ulët kur Italia fashiste sulmoi e pushtoi ushtarakisht Shqipërinë, në prill të vitit 1939. Fuqitë perëndimore iu përmbajtën me rreptësi “politikës së paqtimit” me nazi-fashizmin dhe nuk bënë as protesta formale kundër këtij pushtimi. U vunë në veprim ujditë e mëhershme për ta lënë Shqipërinë si kafshatë për ta qetësuar babëzinë e Italisë. Edhe SHBA-të tërhoqën shpejt përfaqësuesin diplomatik nga Shqipëria e pushtuar dhe e mbyllën Legatën e Shqipërisë në Uashington. SHBA-të iu përshtatën më tej politikës së Britanisë së Madhe për të mos lejuar krijimin e një qeverie shqiptare në mërgim, për të mos e njohur më Ahmet Zogun si Mbret të Shqiptarëve, për ta trajtuar atë si person privat që s’duhej të merrej me politikë. Prandaj, ishte veprim me rëndësi të veçantë për shqiptarët kur SHBA-të filluan ta ngrenë ngadalë kurbën e përkujdesjes për fatin politik të Shqipërisë e të shqiptarëve. Njëfarë shkëputje e diplomacisë amerikane nga ajo britanike për çështjen shqiptare u bë e dukshme kur më 10 dhjetor të vitit 1942 Kordell Hall, sekretar i Departamentit të Shtetit, lëshoi një deklaratë për rivendosjen e shtetit shqiptar pas mbarimit të luftës. Dy ditë pas bërjes publike të deklaratës ambasadori grek në Uashington e dorëzoi një notë proteste në Departamentin e Shtetit, në të cilën thuhej: “Kombi grek… nuk do të arrijë ta kuptojë një hap në drejtim të rivendosjes së Shqipërisë, pa një njohje të njëkohshme dhe të qartë të të drejtave të tij në krahinat e Vorio-Epirit”. Grekët morën nga amerikanët një përgjigje sa për të kaluar radhën, pa përmendur Vorio-Epirin. Britanikët e vonuan deklaratën e tyre deri në datën 17 dhjetor 1942, për të bërë ndryshimet që duhej të kënaqnin kërkesat greke. Departamenti Amerikan i Shtetit ia bëri me dije ambasadorit britanik se “teksti i ndryshuar i deklaratës ishte aq i mjegullt sa bëhej i pakuptimtë”. Diplomacia amerikane e kohës së Presidentit Franklin Dellano Ruzvelt po bënte kështu ndaj diplomacisë britanike një gjest pakënaqësie, që kjo e dyta nuk i ishte përmbajtur të njëjtës vijë të përbashkët sjelljeje. Një gjest të tillë pakënaqësie diplomatike e kishte bërë 20 vjet më herët Presidenti Uillson kundrejt Anglisë, Francës dhe Italisë, që pa e vënë në dijeni atë kishin vendosur që krahina e Korçës t’i jepej Greqisë.
Në vitin 1945 u shtrua problemi i njohjes së qeverisë së Shqipërisë. Shpesh është thënë se SHBA-të dhe Britania e Madhe qysh në fillim e bënë të qartë se nuk do ta njihnin atë, pa iplotësuar qeveria shqiptare disa kushte. Më e saktë është të mendohet se ato e njohën jo vetëm de facto, por edhe de jure qeverinë shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha. Në një letër të sjellë dorazi në Misionin e Shqipërisë pranë OKB-së, në vitin 1981, kryetari atëhershëm i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Kleiborn Pell, shkruante se ka qenë caktuar sekretar në përfaqësinë diplomatike që do të hapej në Tiranë. Por, u krijua një kompleks rrethanash fatkeqe, që marrëdhëniet politike e diplomatike dhe lidhjet e tjera midis SHBA-ve e Shqipërisë nuk u vunë në binarët e zhvillimeve normale e miqësore për disa dekada. Kjo bëri që Shqipëria për shumë kohë të mbetej, ashtu siç tha zonja Klinton në Tiranë, “vendi më i izoluar në Europë”. Veçse ajo nuk tha “vendi më i vetizoluar në Europë”, sikurse shprehen shpesh vëzhguesit e analistët shqiptarë. Edhe pasi marrëdhëniet amerikano-shqiptare hynë në rrugën e acarimit të gjatë, SHBA-të nuk e lanë pas dore përkujdesjen diplomatike për të drejtat e shqiptarëve, nuk u lanë rrugë krejt të lirë diplomatëve e priftërinjve grekë të fitonin terren diplomatik amerikan në mbështetje të pretendimeve greke për Vorio-Epirin, as në kohën e luftimeve greko-shqiptare në kufi në vitin 1949. Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1946, delegatët amerikanë ia kujtuan Enver Hoxhës se e kishte të drejtën të propozonte që të diskutohej për Kosovën. Ky fakt dëshmon se qysh atëherë diplomacia amerikane e njihte Kosovën si territor etnik shqiptar.
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë tërhoqën vëmendjen e diplomacisë e të opinionit publik në SHBA. Për këtë arsye në SHBA filluan t’i kushtonin më shumë vëmendje edhe pozitës e rolit të Shqipërisë në Ballkan. U shtuan demarshet për ndonjë kontakt fillestar midis SHBA-ve e Shqipërisë. Këtu mund të përmend dhe takimin e bisedën që kam pasur në Gjenevë, në vitin 1981, me senatorin Kleiborn Pell, sipas dëshirës së tij. Ai më tha se kurrë nuk e kishte humbur interesimin për Shqipërinë. Në vitet 1981-82, si përfaqësues i Shqipërisë në OKB, kam ndjerë pezmatim kur në ndonjë takim të rrallë me gazetarë amerikanë (jo diplomatë) më përcillnin mesazhet se shqiptarët duhej të ishin të kujdesshëm, sepse SHBA-të nuk dëshironin ngritje tensionesh në Kosovë e në Ballkan, por interesoheshin për ruajtjen e status quo-së. Vite më vonë jam gëzuar kur kam lexuar një analizë mbi zhvillimet në Ballkan e në Kosovë të paraqitur në korrik të vitit 1983 prej senatorit konservator Xhesi Helms në Kongresin Amerikan, në të cilën ai sugjeronte një ndryshim radikal në politikën e SHBA-ve ndaj çështjes shqiptare dhe i kërkonte qeverisë së Presidentit Regan të mendonte e të punonte që shqiptarët të bashkoheshin në një shtet të vetëm jokomunist, të lirë e demokratik. Deri tani kjo është pika më kulmore e mendimit politik amerikan për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Nuk mund të themi ende se ky mendim po kthehet në rrymë mbizotëruese në politikën e diplomacinë zyrtare amerikane. Por, janë shënuar hapa shpresëdhënës për përmbushjen e vizionit të senatorit Helms.
* * *
Për t’i shprehur më qartë perceptimet e përjetimet e mia mbi pozitën e palakmueshme të shqiptarëve sot, po i rikthehem titullit të shkrimit. Në fëmijëri dëgjoja shpesh të rriturit që kur qanin hallet e jetës e nuk gjenin dot rrugëdalje, i jepnin vetes gajret me fjalët “Allah Qerim”. Mos kemi mbërritur tani në pikën e pafuqisë, sa mungesën e vullnetit politik për të qenë vetvetja përpiqemi ta maskojmë me shprehjen “… si të na thotë Amerika…” ?!